BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në prezantimin në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Opinioni i Bankës së Shqipërisë mbi Projektbuxhetin e vitit 2022

Data e publikimit: 05.11.2021

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Në radhë të parë, më lejoni t’ju falënderoj për ftesën për t’u paraqitur në këtë Komision dhe për të prezantuar para jush opinionin e Bankës së Shqipërisë për Projektbuxhetin e vitit 2022.

Ky Projektbuxhet përcakton qëndrimin e politikës fiskale për vitin 2022, alokon fondet e nevojshme për financimin e programeve të zhvillimit, si dhe prezanton legjislacionin tatimor për vitin e ardhshëm. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar dhe vlerëson në vazhdimësi diskutimin e hapur mbi projeksionet ku bazohet ky projekt, objektivat e përfshira në të, si dhe instrumentet e parashikuara për arritjen e tyre. Shpresoj që edhe kontributi ynë në këtë proces të japë një vlerë të shtuar.

 DSC9058 498

Si gjithnjë, në respektim të mandatit ligjor, opinioni i Bankës së Shqipërisë për Projektbuxhetin do të përqendrohet në ato çështje, të cilat janë brenda sferës sonë të kompetencës dhe ekspertizës.

Më konkretisht, komentet e mia do të adresojnë çështjet e mëposhtme:

  1. Kahu dhe efekti i politikës fiskale në ekonomi;
  2. Huamarrja publike dhe ndikimi i saj në tregjet e brendshme financiare; dhe, së fundi,
  3. Rritja e efektivitetit dhe e qëndrueshmërisë së financave publike.

Më lejoni, në fillim, të paraqes në mënyrë të përmbledhur vizionin tonë mbi perspektivën e zhvillimit të vendit dhe kontributin që ne si politikëbërës duhet të japim në të.

 DSC9706 498

1. Konteksti makroekonomik, politika fiskale dhe projeksionet buxhetore

Projektbuxheti i vitit 2022 merr jetë në kontekstin e një procesi rimëkëmbjeje të ekonomisë shqiptare, pas goditjes së dyfishtë të tërmetit dhe pandemisë, por edhe në sfondin e sfidave të vazhdueshme afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit që kemi përpara.

Goditjet me të cilat u përballëm gjatë dy viteve të fundit testuan fort ekuilibrat ekonomikë, monetarë dhe financiarë të vendit, si dhe qëndrueshmërinë e burimeve të rritjes.

 DSC9461 498

Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, zhvillimet ekonomike të vitit 2021, dhe në veçanti: normat e larta të rritjes gjatë gjysmës së parë të vitit; rikuperimi i pjesshëm i treguesve të tregut të punës; përmirësimi gradual i bilanceve financiare të sektorit privat; stabiliteti i inflacionit dhe i kursit të këmbimit; si dhe kreditimi në rritje i sektorit privat; tregon se ekonomia shqiptare po e përballon me sukses këtë sfidë. Po ashtu, fakti se vëllimi i prodhimit në vend, si në nivel agregat dhe në pjesën më të madhe të sektorëve, ka kaluar nivelin që kishte para tërmetit dhe pandemisë, tregon se ndikimi afatmesëm e afatgjatë i këtyre dy goditjeve në burimet e rritjes ekonomike, ka shumë gjasa të jetë i ulët.

Rimëkëmbja ekonomike është ushqyer nga reduktimi i kufizimeve të marra për kontrollin e pandemisë, nga përmirësimi i besimit të bizneseve dhe familjeve, nga përmirësimi i kërkesës së huaj, por edhe nga politika stimuluese monetare dhe fiskale. Ndër të tjera, këto politika garantuan stabilitetin monetar edhe financiar të vendit, nxitën kreditimin me kosto të ulët të aktivitetit ekonomik, si dhe lehtësuan barrën financiare të sektorit privat.

Banka e Shqipërisë gjykon se perspektiva e zhvillimit të vendit mbetet pozitive dhe se rimëkëmbja ekonomike po vjen drejt konsolidimit. Për këtë arsye, politikat tona ekonomike – ajo monetare dhe ajo fiskale – duhet të fillojnë të orientohen gradualisht drejt normalizimit. Ky normalizim do t’i shërbejë përmirësimit të ekuilibrave makroekonomikë, rritjes së hapësirës për përballimin e goditjeve potenciale në të ardhmen, si dhe forcimit të qëndrueshmërisë financiare të vendit. Në gjykimin tonë, sekuencimi optimal i këtij procesi normalizimi do të ishte konsolidimi fiskal, i pasuar dhe i mbështetur nga tërheqja graduale e stimulit monetar. Kjo përqasje ofron mbështetjen e duhur për procesin e rimëkëmbjes dhe zbut rreziqet fiskale që burojnë prej rritjes së borxhit publik.

Bazuar në sa më sipër, Banka e Shqipërisë dëshiron të ndajë me ju konstatimet e mëposhtme.

Ky Projektbuxhet bazohet në supozimin e një rritjeje pozitive dhe të qëndrueshme të ekonomisë, si gjatë vitit 2022 ashtu edhe në horizontin afatmesëm. Në veçanti, Projektbuxheti parashikon se të ardhurat buxhetore të vitit 2022 do të rriten me rreth 8% ndaj nivelit të pritur të vitit 2021, duke arritur në 28.7% të PBB-së.

Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, projeksionet makroekonomike, të cilat konturojnë buxhetin, janë realiste në skenarin e tyre bazë, edhe pse ato mbeten në kahun e sipërm të pritjeve tona. Po ashtu, projeksionet e të ardhurave buxhetore për vitin 2022 duken të pranueshme, por ato faktorizojnë dhe një efekt pozitiv të pritur nga rritja e formalizimit të ekonomisë.

Në këtë prizëm, Banka e Shqipërisë:

  • sugjeron nevojën për vëmendje të vazhduar nga autoritetet fiskale ndaj ecurisë së të ardhurave, për të identifikuar në kohë diferencat e mundshme negative midis faktit dhe planit, si dhe për të marrë masat e nevojshme për kontrollin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik;
  • inkurajon zbatimin në kohë dhe me vendosmëri të masave që mbështesin formalizimin e ekonomisë. Përvoja jonë ka treguar se – pavarësisht kostove të tyre afatshkurtra – reformat strukturore prodhojnë përfitime afatgjata për vendin;
  • vlerëson të domosdoshëm finalizimin dhe zbatimin në një kohë sa më të shpejtë të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave publike. Ndër të tjera, kjo strategji duhet të synojë thjeshtimin e sistemit tatimor, rritjen e qëndrueshmërisë në kohë të tij dhe shmangien e përjashtimeve tatimore joefektive. Së bashku me rritjen e formalizimit, kjo do të mundësojë rritjen e shkallës së grumbullimit të të ardhurave dhe përmirësimin e konkurrencës, brenda dhe midis sektorëve.

Së dyti, Projektbuxheti i vitit 2022 parashikon fillimin e procesit të konsolidimit fiskal. Sipas projeksioneve të Projektbuxhetit, deficiti buxhetor programohet të ulet në 5.4% të PBB-së për vitin 2022, kundrejt nivelit 6.8% të pritur për vitin aktual. Po ashtu, deficiti primar programohet të regjistrojë një konsolidim prej 1.9 pikë përqindjeje të PBB-së gjatë vitit 2022, ndërsa borxhi publik bruto parashikohet të reduktohet me 1.1 pikë përqindjeje.

Banka e Shqipërisë mirëpret fillimin e procesit të konsolidimit fiskal gjatë vitit 2022. Shpejtësia e konsolidimit duket e kushtëzuar nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nevoja e përfundimit të procesit të rindërtimit. Në mungesë të tyre, Banka e Shqipërisë gjykon se ky konsolidim do të duhej të ishte më ambicioz. Po ashtu, ne mirëpresim adoptimin e një objektivi numerik për ritmin e konsolidimit fiskal, të materializuar përmes vendosjes në Ligjin Organik të Buxhetit të një objektivi mbi një balancë primare pozitive duke filluar nga viti 2024.

Në këtë prizëm, Banka e Shqipërisë:

  • inkurajon adoptimin e dispozitave relevante në Projektbuxhet, të cilat mundësojnë përshpejtimin e ritmit të konsolidimit fiskal gjatë vitit 2022 – pra reduktimin e mëtejshëm të deficitit dhe të borxhit – në rast se të ardhurat buxhetore rezultojnë më të larta se pritjet apo në rast se nevoja për subvencionimin e importeve të energjisë rezulton më e ulët se vlerësimi aktual;
  • sugjeron rishikimin e dispozitave të nenit 7 të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022, duke mundësuar që të ardhurat në formë granti me destinacion financimin e rindërtimit të dëmtimeve të tërmetit të përdoren për reduktimin e deficitit buxhetor;
  • inkurajon një ritëm më të shpejtë të konsolidimit fiskal në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë;
  • vlerëson se ky konsolidim, në linjë dhe me adoptimin e strategjisë afatmesme të të ardhurave publike, duhet të bazohet më shumë në rritjen e të ardhurave sesa në shkurtimin e shpenzimeve publike.

Së treti, Projektbuxheti i vitit 2022 parashikon investime publike në nivelin 6.4% të PBB-së. Ky nivel vjen në rënie të lehtë krahasuar me vitin paraardhës, por ai mbetet gjithsesi mjaftueshmërisht i lartë.

Banka e Shqipërisë inkurajon ruajtjen e hapësirave për investime kapitale në strukturën e buxhetit të vendit. Këto investime janë të nevojshme për përmirësimin e gjithanshëm të infrastrukturës së vendit, në interes të përshpejtimit të ritmit të rritjes ekonomike në afatin e mesëm dhe të gjatë, si dhe në interes të rritjes së mirëqenies së shoqërisë.

Në këtë prizëm, Banka e Shqipërisë:

  • vlerëson se disiplinimi i shpenzimeve korrente dhe rritja e qëndrueshme e bazës së të ardhurave publike do të krijojnë premisa për ruajtjen e hapësirave për investime publike, edhe në prani të konsolidimit fiskal;
  • gjykon se procesi i përzgjedhjes së projekteve të investimeve mund të përmirësohet më tej, nëpërmjet adoptimit të një strukture formale të vlerësimit të rentabilitetit të tyre në kohë.

2. Tregjet financiare, deficiti buxhetor dhe borxhi publik

Projektbuxheti i vitit 2022 parashikon një deficit buxhetor prej rreth 101 miliardë lekësh ose 5.4% të PBB-së. Ky deficit parashikohet të financohet në masën 50 miliardë lekë (ose 2.7% të PBB-së) nga huamarrja e brendshme dhe 51 miliardë lekë (përsëri 2.7% të PBB-së) nga financimi i huaj.

Financimi në tregun e brendshëm parashikohet të sigurohet nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë. Ndërkohë, financimi i huaj pritet të sigurohet si më poshtë: 25 miliardë lekë (ose 1.4% e PBB-së) nga projektet e mbuluara nga financimi i huaj, rreth 17.5 miliardë lekë (ose 1% e PBB-së) nga mbështetja buxhetore e partnerëve ndërkombëtarë dhe pjesa e mbetur prej 8.5 miliardë lekësh (ose 0.3% e PBB-së) nga fondet e siguruara nga emetimi pritur i një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2021.

Ky Eurobond (i pritur në nivelin e 700 milionë eurove, ose rreth 85 miliardë lekë) do të përdoret si më poshtë: 34.1 miliardë lekë për mbulimin e pagesave të borxhit të huaj gjatë vitit 2021, 42.5 miliardë lekë për mbulimin e pagesave të borxhit të huaj në vitin 2022 dhe 8.5 miliardë lekë për financimin e deficitit buxhetor gjatë vitit 2022. Në mungesë të Eurobondit, qeveria do të duhej të ulte në një masë korresponduese shpenzimet e planifikuara gjatë periudhës 2021-2022, ose të rriste huamarrjen në tregun e brendshëm.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ky plan financimi është i arsyeshëm, në kushtet e niveleve të larta të deficitit dhe huamarrjes së synuar nga qeveria në horizontin 2021-2022. Financimi tërësor i këtyre deficiteve në tregun e brendshëm financiar do të sillte rritje të normave të interesit dhe reduktim të fondeve në dispozicion të kreditimit të sektorit privat. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë mbështet objektivat dhe punën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për zgjatjen e mëtejshme të strukturës së maturimit të borxhit publik.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjen me vend të theksojë se trendi rritës i huamarrjes së huaj dhe asaj të denominuar në valutë, ekspozon borxhin publik jo vetëm ndaj rrezikut të normave të interesit por dhe ndaj rrezikut të luhatjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë gjykon se struktura e financimit të deficitit dhe të borxhit duhet të synojë një mbështetje më të madhe në tregjet dhe monedhën vendase në afatin e mesëm dhe të gjatë. Kjo përqasje do të reduktonte probabilitetin dhe intensitetin e goditjeve të mundshme në të ardhmen.

Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë sugjeron:

  • së pari, rishikimin e dispozitave të parashikuara në nenin 10 të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022, të cilat kufizojnë huamarrjen në tregjet e brendshme financiare – të destinuar për financimin e deficitit buxhetor – në nivelin maksimal prej 50 miliardë lekësh, dhe e reduktojnë këtë huamarrje për maksimalisht gjysmën e sasisë së të ardhurave të mundshme të privatizimit të përftuara gjatë vitit;
  • së dyti, vijimin e punës për zgjerimin dhe diversifikimin e mëtejshëm të bazës së investitorëve në tregun e brendshëm. Ky objektiv duhet përmbushur – ndër të tjera – nëpërmjet vijimit të programit të përmirësimit të funksionimit të tregut dytësor, çka rrit interesin e investitorëve vendas;
  • së treti, adoptimin e një përqasjeje më ambicioze për reduktimin e borxhit të huaj në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë. Ky objektiv shkon në linjë me – dhe bëhet i mundur nga – objektivi primar i reduktimit të nivelit të borxhit publik.

Në vijim, më lejoni të përmbledh shkurtimisht disa sugjerime të Bankës së Shqipërisë, të cilat, në vizionin tonë, do të ndihmonin në rritjen e qëndrueshmërisë afatgjatë dhe efektivitetit të financave publike.

3. Mbi rritjen e efektivitetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike

Duke vlerësuar Projektbuxhetin e vitit 2022 si një akt balancues midis – nga njëra anë – nevojave të mbështetjes së rikuperimit të ekonomisë dhe reduktimit përfundimtar të pasojave të tërmetit dhe pandemisë, dhe – nga ana tjetër – ruajtjes dhe konsolidimit të qëndrueshmërisë së financave publike, Banka e Shqipërisë gjen me vend të bëjë dhe sugjerimet e rekomandimet e mëposhtme.

Mbi deficitet e krijuara nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore

Projektbuxheti i vitit 2022 parashikon se deficiti i krijuar nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore do të jetë në nivelin e 101 miliardë lekëve ose 5.4% të PBB-së. Ky nivel është i barabartë me deficitin buxhetor të vitit 2022 dhe rreth dy herë më i lartë se niveli i deficitit buxhetor të targetuar për  vitet 2024 – 2025.

Skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vijojnë të përbëjnë një barrë të ndjeshme për financat e shtetit. Në këtë kontekst, duke pasur parasysh dhe trendet e pafavorshme demografike, Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të skemës së pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale, me synim ruajtjen e këtyre skemave në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit.

Mbi administrimin e Programeve të Partneritetit Publik - Privat

Projektbuxheti i vitit 2022 parashikon se pagesat nga buxheti i shtetit për detyrimet që lindin nga kontratat koncesionare dhe PPP-të do të jenë brenda kufizimeve ligjore, më konkretisht në nivelin 3% të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës.

Megjithatë, në linjë dhe me qëndrimet tona të mëparshme, Banka e Shqipërisë sugjeron:

  • përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike;
  • integrimin e procesit të kontraktimit dhe përzgjedhjes së PPP-ve me programin strategjik të investimeve, sikundër janë identifikuar në programet afatgjata të zhvillimit të vendit;
  • përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit.

Mbi ritmin e realizimit të shpenzimeve buxhetore

Së fundi, Banka e Shqipërisë vazhdon të përsërisë thirrjen për një shpërndarje më të mirë kohore të shpenzimeve gjatë vitit. Ritmi i realizimit të shpenzimeve buxhetore gjatë vitit vazhdon të shfaqë një përqendrim të theksuar në tremujorin e katërt. Ky fenomen, i përsëritur dhe i diktuar në masën më të madhe nga ritmi jo i njëtrajtshëm i realizimit të investimeve, krijon luhatje të panevojshme gjatë vitit në treguesit e likuiditetit dhe të normave të interesit në tregun e brendshëm financiar.

Ju faleminderit për vëmendjen!