BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, takohet me studentë të zgjedhur të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës

Data e publikimit: 24.07.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim CANI priti ditët e fundit në një takim, 20 studentë të Fakultetit Ekonomik të Unversitetit të Tiranës, të përzgjedhur nga stafi akademik i Fakultetit.

Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit institucional të Bankës së Shqipërisë me fakultetet e ekonomisë në veçanti dhe me universitetet në të gjithë vendin, dhe synonte krijimin e mundësive për punësim në Bankën e Shqipërisë për studentët më të dalluar gjatë viteve të fundit.

Ftesa e Bankës së Shqipërisë, sipas Guvernatorit, vlen për të gjithë të diplomuarit në fushën e ekonomisë, të cilët kanë arritur rezultate të larta duke mos paraqitur asnjë kufizim për pjesëmarrjen në konkurset e hapura, që zhvillon Banka e Shqipërisë.

Ndërkohë, institucioni qendror bankar po u krijon të gjitha kushtet e mundshme të diplomuarve të interesuar për t'u njohur me punën e Bankës së Shqipërisë, me synimin për të siguruar një staf cilësor për të ardhmen e këtij institucioni.

Në fjalën e tij, z. Cani paraqiti mundësitë që Banka e Shqipërisë ofron për studentët e fakulteteve ekonomike në mbarë vendin në drejtim të punësimit të tyre në Bankën e Shqipërisë, si dhe mundësitë e mëdha që punonjësit e Bankës së Shqipërisë kanë për të bërë punë kërkimore, akademike dhe shkencore.

Gjithësesi, studentët u inkurajuan nga Guvernatori të shikojnë edhe mundësinë që, të aspirojnë për të punuar në bankat e nivelit të dytë, pasi në tërësi sistemi bankar në Shqipëri vlerësohet si pjesa më e konsoliduar e tregut të punës.

Guvernatori i siguroi të diplomuarit e pranishëm dhe përcolli mesazhin tek të interesuarit e tjerë, se Banka e Shqipërisë do të eleminojë në maksimum procedurat e zgjatura të testimit por selektimi i kandidatëve do të bëhet duke respektuar konkurrencën, kuadrin rregullativ të Bankës së Shqipërisë dhe Kodin e Punës.

Ndër bashkëpunimet e tjera me universitetet z.Cani përmendi:

v Thellimin e transparencës së Bankës së Shqipërisë në drejtim të punësimit të stafit të ri.

v Bashkëpunimin mes stafit të Bankës së Shqipërisë dhe studentëve në hartimin e temave të diplomës me interes për Bankën e Shqipërisë.

v Mundësinë e financimit të studimeve "Master" për studentët me "Medalje" me kusht që të kthehen të punojnë për Bankën e Shqipërisë.

v Organizimin e konferencave të tjera shkencore të përbashkëta mes Bankës së Shqipërisë dhe Fakultetit Ekonomik.

v Ofrimin e hapësirave të Bibliotekës së Bankës së Shqipërisë për studentët e interesuar etj..

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë bashkëpunimin me fakultetet e ekonomisë në universitetet e të gjithë vendit në funksion të shkëmbimit të eksperiencave akademike dhe intensifikimit të marrëdhënieve publike.