BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani merr pjesë në Forumin e Pestë Ndërkombëtar të Bankingut në Greqi

Data e publikimit: 08.12.2006

 

Gjatë datave 5 - 6 dhjetor 2006, "The Economist Conferences" organizuan në Athinë Forumin e Pestë Ndërkombëtar të Bankingut. Tema e Forumit ishte: "Greqia dhe Evropa Juglindore: Reformat Ekonomike dhe e Ardhmja e Bankingut. A kemi kohë të begata përpara nesh?"

Ky aktivitet mblodhi mbi 300 presidentë dhe drejtorë të përgjithshëm të bankave tregtare, si dhe guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë të bankave qendrore nga rajoni i Ballkanit, përfaqësues të lartë të kompanive publike, private dhe ndërkombëtare nga Greqia dhe vendet e Evropës, organizata ndërkombëtare, anëtarë të kabinetit të Qeverisë greke, si dhe përfaqësues nga mediat ndërkombëtare dhe ato greke.

Me ftesë të përfaqësuesve të "The Economist Conferences", Guvernatori Ardian Fullani mbajti një fjalë gjatë ditës së parë të Forumit në panelin: "Ekonomitë e Evropës Juglindore: Reformat Ekonomike". Në qendër të fjalës së tij, ishte roli i bankës qendrore si mbështetëse dhe gjeneruese e reformave ekonomike në tregjet e kapitalit, punës dhe produkteve. Ai theksoi se efektet e këtyre reformave do të shtrihen përtej përfitimeve ekonomike të vendeve individuale, duke ndihmuar kështu procesin e integrimit evropian të rajonit.

Më pas, ai shpjegoi natyrën e këtyre reformave, bazuar në zhvillimet aktuale dhe ato të pritshme të tregjeve financiare rajonale, si dhe paraqiti fokusin dhe strategjinë e reformave të ardhshme. Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Fullani theksoi se: "Për t'i bërë reformat më efektive, bankat qendrore të rajonit dhe institucionet evropiane duhet të vazhdojnë dialogun. Për më tepër, institucionet evropiane duhet të marrin një rol më aktiv në mbikëqyrjen, mbështetjen, asistencën dhe drejtimin e reformave në infrastrukturën financiare, ekonomike dhe ligjore. Ky proces do të rriste përgjegjësinë dhe besueshmërinë tonë për ta bërë Shqipërinë partner legjitim për integrimin evropian."