BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit midis Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Fondit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë

Data e publikimit: 06.06.2014

 

Në datën 4 qershor 2014, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit midis Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe Fondit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë (FSDK). Në aktivitetin e zhvilluar në Prishtinë, Kosovë, merrnin pjesë Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Fehmi Mehmeti, Kryesuesja e Bashkëpunimit Zhvillimor, në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, zj. Henriette Kotter, Drejtori i Përgjithshëm i ASD, z. Toni Gogu dhe Drejtoresha e Menaxhimit e FSDK, zj. Violeta Arifi-Krasniqi.

Nëpërmjet këtij memorandumi, dy institucionet synojnë të rrisin bashkëpunimin midis tyre përmes shkëmbimit të eksperiencës, të forcojnë kapacitetet njerëzore, si dhe të përmirësojnë skemat e sigurimit të depozitave në juridiksionet përkatëse në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe ato evropiane.

Me ftesë të organizatorëve, Guvernatori Fullani mbajti një fjalë për të pranishmit, ku theksoi rolin e rëndësishëm që luajnë agjencitë e sigurimit të depozitave në ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit financiar të vendit.

Gjithashtu, Guvernatori Fullani, gjatë fjalës së tij, nxiti drejtuesit e ASD-së dhe FSDK-së, që të adoptojnë standardet më të mira në fushën e sigurimit të depozitave. Në këtë kontekst, ai u shpreh se: “Si Banka e Shqipërisë ashtu dhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, janë pjesë e një bashkëpunimi rajonal në kuadrin e Nismës së Vjena II, dhe institucionet tuaja mund të përfitojnë nga koordinimi në kohë i përpjekjeve për përafrimin me standardet më të mira në fushën e sigurimit të depozitave në nivel evropian”.