BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani takohet me Guvernatorin e Bankës së Italisë, z. Mario Draghi

Data e publikimit: 09.03.2006

 

Është zhvilluar në Romë, në 6 mars 2006, takimi midis Guvernatorit Fullani dhe homologut të tij italian, z. Mario Draghi. Fillimisht, z. Fullani ka falenderuar z. Draghi për ftesën dhe mikpritjen, si dhe e ka uruar atë për detyrën e re.

fullani draghi 1060 0

Në foto: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe Guvernatori i Bankës së Italisë, z. Mario Draghi

Z. Fullani i bëri një ekspoze të gjerë zhvillimeve ekonomike në Shqipëri duke vënë theksin tek investitorët italian në përgjithësi, dhe tek bankat italiane në veçanti, të cilët kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë dhe të sistemit bankar privat në Shqipëri. Z. Fullani shprehu besimin se prania e dy bankave të reja italiane si SanPaolo Imi dhe Banka Italiane e Zhvillimit, do të kontribuojnë më tej në progresin e industrisë bankare shqiptare.

Më pas, z. Draghi dhe z. Fullani biseduan dhe ndanë të njëjtin mendim për të zgjeruar më tej bashkëpunimin midis të dy institucioneve.

Gjatë takimit Guvernatori Fullani vuri theksin mbi asistencën e Bankës së Italisë në drejtim të:

  1. Mbikëqyrjes bankare;
  2. Krijimit të Zyrës së Informacionit të Kredive;
  3. Administrimit të borxhit publik;
  4. Krijimit të lehtësirave për kanalizimin e remitancave nëpërmjet sistemit bankar, si edhe rritjen e efektivitetit të përdorimit të tyre.

Guvernatori Draghi pasi vlerësoi arritjet e deritanishme të Bankës së Shqipërisë shprehu gatishmërinë për të rritur asistencën dhe mbështetjen për Bankën e Shqipërisë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani takohet me Presidentin e Shoqatës së Bankave Italiane, z. Maurizio Sella dhe Drejtorin e Përgjithshëm të kësaj shoqate, z. Giuseppe Zadra

Gjatë qëndrimit të tij në Itali, Guvernatori Fullani është takuar me Presidentin e Shoqatës së Bankave Italiane, z. Maurizio Sella dhe Drejtorin e Përgjithshëm të kësaj shoqate, z. Giuseppe Zadra.

Takimi u zhvillua në kuadër të një seminari të përbashkët, të organizuar nga Shoqata e Bankave Italiane dhe Banka e Shqipërisë. Qëllimi ishte njohja e eksperiencës italiane në lidhje me krijimin e Zyrës së Informacionit të Kredive në Shqipëri.

Në seminar, përfaqësues të Shoqatës së Bankave Italiane, të bankave italiane dhe kompanive që administrojnë zyra të informacionit të kredive në Itali dhe jashtë saj, kanë prezantuar eksperiencën shumëvjeçare në këtë fushë.

Z. Fullani pasi njohu përfaqësuesit e lartë të Shoqatës së Bankave Italiane (ABI) me përpjekjet e hershme të sistemit bankar shqiptar për të ngritur Zyrën e Informacionit të Kredive, theksoi se tashmë Banka e Shqipërisë është e vendosur të krijojë këtë zyrë.

Në përfundim të seminarit, z. Zadra dhe z. Sella u shprehën të gatshëm për të asistuar dhe për të mbështetur nismën e Bankës së Shqipërisë për krijimin e Zyrës së parë së Informacionit të Kredive në Shqipëri.