BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mban një leksion publik on-line të organizuar nga Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike të Londrës (LSE), 7 tetor, ora 17:00

Data e publikimit: 08.10.2021

 

Ditën e enjte, datë 7 tetor 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mbajti një leksion publik virtual të organizuar nga Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike të Londrës (LSE) me temë: “Planning for the Post-COVID world: central bank policies in emerging economies”.

 DSC4292 498

 

Në leksionin e mbajtur, Guvernatori Sejko e fokusoi prezantimin në tre çështje kryesore. Fillimisht ai u ndal në përvojën e vendeve të rajonit të Evropës Juglindore në përballjen me tre krizat më të fundit të kaluara si: kriza financiare globale, 2008-2009; kriza e borxhit sovran evropian, 2010-2012; dhe kriza aktuale e pandemisë COVID-19.

Duke u ndalur më gjatë në krizën COVID-19, Guvernatori u shpreh se në mars të vitit 2020, ashtu si mbarë bota, dhe Shqipëria u përball me një situatë të pazakontë, një krizë shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19, i cili i detyroi qeveritë të ndërmarrin masa ekstreme dhe të pezullojnë një sërë aktivitetesh.

 DSC4510 498

 

Në këtë situatë të vështirë, paralelisht me krizën shëndetësore, institucionet duhet të menaxhonin edhe situatën ekonomike, e cila u ndikua drejtpërdrejtë nga kjo krizë. Në këtë kuadër, një rëndësi të veçantë patën masat e menjëhershme të ndërmarra nga institucionet kryesore në vend, në bashkërendim me njëra-tjetrën.

Të gjitha institucionet koordinuan përpjekjet e përbashkëta për të ndihmuar agjentët ekonomikë në përballimin e kushteve të vështira dhe për të krijuar mundësitë për një rimëkëmbje sa më të shpejtë.

 DSC4678 498

 

Si një ndër institucionet kryesore në vend, Banka e Shqipërisë mori në kohën e duhur masat e nevojshme për të mbështetur ekonominë shqiptare të goditur nga pandemia. Këto masa ndihmuan në zbutjen e efekteve negative në mirëqenien e bizneseve dhe individëve, si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje më të shpejtë të ekonomisë post-pandemi.

Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë, duke monitoruar vazhdimisht situatën, përdori një sërë instrumentesh operacionale dhe hapësirën rregullatore në dispozicion, për të minimizuar pasojat e pandemisë në ekonomi dhe në sistemin financiar shqiptar në veçanti.

 DSC4253 498

 

Masat e marra kanë dhënë rezultatin e tyre, duke garantuar ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, dhe lehtësimin e kostove të krizës për bizneset dhe familjet shqiptare.

Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se një rol të rëndësishëm në përballimin me sukses të kësaj situate luajtën një sërë reformash të ndërmarra nga autoritetet shqiptare me impakt të drejtpërdrejtë në ruajtjen e stabilitetit financiar, por dhe koordinimi i vazhdueshëm në kohë me institucionet ndërkombëtare.

 DSC4353 498

 

Së fundi, Guvernatori u shpreh se me tejkalimin e krizës së krijuar nga pandemia, vëmendja e institucioneve është përqendruar drejt sfidave të reja që paraqiten në panoramën ekonomike si përballja me goditjen e fundit të çmimeve globale, normalizimi i politikave të ndryshme dhe vlerësimi i ndikimeve të mundshme strukturore në ekonomi.

Më tej, prezantimi i Guvernatorit, u pasua nga diskutimet e profesorëve të Shkollës Ekonomike dhe  Shkencave Politike të Londrës (LSE), z. Ricardo Reis, zj. Piroska Nagy-Mohácsi, dhe z. Vassilis Monastiriotis, të cilët e morën fjalën duke vlerësuar mjaft pozitivisht menaxhimin e kësaj krize nga vendi ynë. Ata theksuan se Shqipëria, pavarësisht se një vend i vogël përballë kësaj krize globale, në një situatë me shumë të panjohura dhe me ndryshime të thella ekonomike, politike e shoqërore falë reagimit të shpejtë dhe koordinimit të politikave ekonomike arriti të dalë nga kjo situatë dhe të nisë rimëkëmbjen ekonomike.

Në menaxhimin e kësaj krize, profesorët veçuan eficiencën e stimulit fiskal me bashkërendimin e politikës monetare, si dy faktorë kyçë që kontribuuan në përgatitjen e një përgjigjeje  më të plotë dhe efikase ndaj krizës dhe efekteve të pritshme të saj në nivel kombëtar.

Në vijim ata vlerësuan në veçanti  masat e marra nga Banka e Shqipërisë brenda fushës së saj të kompetencës të cilat plotësuan mjaft mirë politikën fiskale dhe shtuan se falë këtij koordinimi, përkeqësimi i situatës ekonomike mbeti i përkohshëm dhe tashmë Shqipëria ka marrë rrugën drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Gjithashtu, profesorët e LSE-së falënderuan Guvernatorin Sejko për mbajtjen e leksionit dhe çështjet  e  trajtuara, të cilat janë tepër aktuale dhe paraqitën mjaft interes për pjesëmarrësit.

Në përfundim, Guvernatori Sejko ju përgjigj interesit dhe pyetjeve të të pranishmëve në këtë leksion.