BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko merr pjesë në Klubin e Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit

Data e publikimit: 29.09.2015

 

Në datat 25-27 shtator 2015, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mori pjesë në takimin e 34-t të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit. I zhvilluar në Tbilisi, Gjeorgji, ky takim drejtohej nga Guvernatori i Bankës Kombëtare të Gjeorgjisë, z. Giorgi Kadagidze dhe në të merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të 23 vendeve anëtare të Klubit.

7898 7625 0

Fokusi kryesor i diskutimeve të këtij takimi ishte mbi nivelin e lartë të dollarizimit dhe efektet e tij në ekonomitë e këtyre vendeve. Drejtuesit e institucioneve monetare ndanë me njëri-tjetrin përvojat e tyre dhe masat e marra nga bankat qendrore në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar të vendit.

img 6512 copy 2 7626 0


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, gjatë këtij takimi mbajti një prezantim për të pranishmit, ku i njohu ata me zhvillimet më të fundit në ekonomi dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë në garantimin e stabilitetit makroekonomik e financiar të vendit.

img 6524 copy 7627 0


Gjatë prezantimit të tij, Guvernatori Sejko u ndal tek treguesit makroekonomikë dhe theksoi se viti 2014, u karakterizua nga një veprimtari ekonomike e ngadaltë dhe nga një  nivel i ulët inflacioni. Për të stimuluar aktivitetin ekonomik të vendit, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare lehtësuese dhe aktualisht norma bazë e interesit është në nivelin më të ulët historik prej 2%.  Për të nxitur më tej aktivitetin ekonomik, Banka e Shqipërisë ka kombinuar stimulin e saj monetar me politika lehtësuese makroprudenciale. Guvernatori Sejko theksoi se gjatë këtij viti Banka e Shqipërisë ka kryer disa ndryshime të akteve rregullative të cilat synojnë zgjerimin e kreditimit, uljen e kostove të ndërmjetësimit dhe nxitjen e procesit të ristrukturimit të kredive me probleme. Në këtë drejtim, Guvernatori Sejko prezantoi para të pranishmëve angazhimin e ndërmarrë nga të gjitha institucionet qeveritare dhe financiare në Shqipëri për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe rregullator për zgjidhjen e çështjes së kredive me probleme. Guvernatori Sejko vuri në dukje se zgjidhja e kësaj çështjeje ka një rëndësi të veçantë për ecurinë e kreditimit dhe të ekonomisë në Shqipëri.

Prezantimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, u ndoq me mjaft interes nga pjesëmarrësit në takim. Në mbyllje të prezantimit, masat makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, si dhe plani i veprimit për rritjen e kreditimit në vend, ishin disa nga çështjet kryesore të cilat u vunë në qendër të diskutimeve midis Guvernatorit dhe homologëve të tij.

Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë: Shqipëria (që nga viti 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia dhe Sllovenia. Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit.