BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko merr pjesë në Klubin e Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit

Data e publikimit: 31.10.2016

 

Në datat 30 tetor – 1 nëntor 2016, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mori pjesë në takimin e 36-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit. Ky takim, i cili u zhvillua në Jerusalem, Izrael, drejtohej nga Guvernatorja e Bankës së Izraelit, Dr. Karnit Flug dhe në të merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të 24 vendeve anëtare të Klubit.

Gjatë takimit, diskutimet u bazuan në sfidat e ndryshme me të cilat përballen sot bankat qendrore në përmbushjen e objektivit të tyre për ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve dhe stabilitetit makroekonomik. Një çështje të cilës iu kushtua rëndësi e veçantë ishte edhe siguria e informacionit dhe zhvillimet e fundit teknologjike. Nga ky këndvështrim, drejtuesit e institucioneve ndanë me njëri-tjetrin përvojat e tyre dhe masat e marra nga bankat qendrore në drejtim të mbrojtjes së të dhënave institucionale.

Takimi shërbeu gjithashtu si një platformë diskutimi për të shkëmbyer idetë dhe eksperiencat mbi zhvillimet e teknologjisë, ku të gjitha bankat qendrore prezantuan angazhimin e tyre në adoptimin e masave bashkëkohore lidhur me sigurimin dixhital dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike.

foto 31 10 2016 8904 0

Guvernatori i Bankë së Shqipërisë, z. Gent Sejko, gjatë këtij takimi mbajti një prezantim për të pranishmit, ku i njohu ata me zhvillimet më të fundit në ekonomi dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë për të stimuluar aktivitetin ekonomik të vendit. Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e nevojshëm nëpërmjet politikës monetare lehtësuese në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

Më tej, Guvernatori Sejko prezantoi para të pranishmëve zhvillimet e fundit në planin institucional, ku veçoi projektin e menaxhimit të rrezikut operacional, dhe në planin kombëtar angazhimet e Bankës së Shqipërisë në kuadër të strategjive për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, kërcënimet kibernetike, etj., duke u fokusuar në përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit që synon adoptimin e direktivave evropiane në këtë fushë dhe arritjen e standardeve bashkëkohore.

Informacion mbi Klubin

Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë: Shqipëria (që në vitin 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia dhe Sllovenia. Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit.