BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, merr pjesë në Klubin e Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit

Data e publikimit: 29.09.2017

 

Në datat 28-29 shtator 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në takimin e 38 të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit. I zhvilluar në Moskë, Rusi, ky takim drejtohej nga Guvernatorja e Bankës Qendrore të Federatës Ruse, zj. Elvira Nabiullina dhe në të merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të 24 vendeve anëtare të Klubit.

Diskutimet e këtij takimi ishin fokusuar në dy drejtime kryesore: teknologjitë financiare, trendet botërore dhe kuadri rregullator; si dhe normalizimi i politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës së Anglisë e ndërlikimet e mundshme për ekonomitë e vendeve anëtare të Klubit.

dsc 1922

Në fokusin e këtyre çështjeve, drejtuesit e institucioneve monetare ndanë me njëri-tjetrin përvojat e tyre dhe sfidat me të cilat përballen bankat qendrore, veçanërisht nën këndvështrimin e ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare, si një element i rëndësishëm i veprimtarisë së bankave qendrore sot.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, gjatë këtij takimi mbajti një prezantim për të pranishmit, duke u ndalur te zhvillimet ekonomiko-financiare në Shqipëri dhe ndikimet e mundshme që mund të ketë normalizimi i politikës monetare nga ana e Bankës Qendrore Evropiane.

Guvernatori Sejko u shpreh se normalizimi monetar në Evropë, nuk pritet të ketë efekte negative në Shqipëri. Madje këto efekte mund të jenë pozitive, duke pasur parasysh sinkronizimin që gëzon politika monetare e Bankës së Shqipërisë me atë të Bankës Qendrore Evropiane si dhe integrimin aktual që ka Shqipëria në tregjet evropiane. Në përfundim, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme duke dhënë kontributin e saj në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

dsc 1699

Përsa i përket zhvillimit teknologjik, Guvernatori Sejko parashtroi masat e ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të inovacionit dhe digjitalizimit. Pavarësisht fillimit të vonshëm, hapat e ndjekur vitet e fundit kanë qenë të përshpejtuar, në bazë të një strategjie të ndjekur nga qeveria shqiptare për digjitalizimin e shërbimeve dhe krijimin e e-governance.

Nga ana tjetër, Guvernatori theksoi se sistemi bankar sot prezantohet me produkte inovative, duke ndjekur zhvillimet e fundit në fushën e shërbimeve të këtij lloji. Prandaj, në rolin e rregullatorit, Banka e Shqipërisë tregon vëmendje të veçantë për kuadrin përkatës, për të krijuar kornizën ligjore dhe infrastrukturën e duhur në mbështetje të këtij procesi. Si shembull në këtë aspekt, Guvernatori solli krijimin e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave nga ana e Bankës së Shqipërisë, i cili shërben si një katalizator për bashkëpunimin ndërinstitucionaldhe kontribues në rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri.

Informacion mbi Klubin

Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë: Shqipëria (që në vitin 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia dhe Sllovenia. Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit.