BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, merr pjesë në takimin përmbyllës të vitit të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave

Data e publikimit: 21.12.2017

 

I nderuar z. kryetar,

Të nderuar drejtues të bankave,

Të dashur miq dhe kolegë,

Si gjithmonë, është kënaqësi të jem në takimin përmbyllës të vitit 2017 me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, një aktivitet ky i përvitshëm që organizohet nën kujdesin e Shoqatës Shqiptare të Bankave. Në adresimin e sotëm do të doja të trajtoja shkurtimisht disa momente interesante që kanë karakterizuar zhvillimin ekonomik e financiar gjatë vitit 2017, si dhe disa nga synimet tona për vitin e ri 2018.

 aab 20.12.2017

Ekonomia shqiptare

E parë edhe në kontekstin e përgjithshëm global e rajonal, duket se dhe ekonomia shqiptare është në një moment të përgjithshëm pozitiv rigjallërimi. Aktiviteti ekonomik i vendit ka vijuar të shënojë rritje, duke pasqyruar ambientin e favorshëm financiar, përmirësimin e besimit, impulset e gjeneruara nga rritja e punësimit dhe nga nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, si dhe momentin pozitiv të ekonomive partnere tregtare.

Në terma të kërkesës agregate, rritja është mbështetur nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga përmirësimi i ndjeshëm i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, sidomos në tremujorin e tretë të vitit. Në përgjigje të përmirësimit me rreth 10.5% të bilancit tregtar në mallra e shërbime, deficiti i llogarisë korrente zbriti në 4.6% të PBB-së gjatë tremujorit të tretë, një nga nivelet më të ulëta të dekadës së fundit. Nga ana tjetër, stimuli fiskal vlerësohet të ketë ardhur në rënie gjatë tremujorit të tretë e të katërt, ndonëse të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore kanë vijuar të shënojnë norma të larta rritjeje.

Zgjerimi i vazhdueshëm i kërkesës agregate ka sjellë një përdorim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese. Norma e papunësisë zbriti në 13.6% gjatë tremujorit të tretë, në rënie me 1.1 pikë përqindjeje krahasuar më të njëjtin tremujor të vitit paraardhës. Megjithatë, konvergjenca graduale e ekonomisë drejt ekuilibrit nuk është shoqëruar ende me rritjen e presioneve inflacioniste, në mënyrë të mjaftueshme për të kthyer inflacionin në objektiv.

Politika jonë monetare lehtësuese ka ulur kostot e financimit të sektorit privat, ka nxitur rritjen e kreditimit në lekë dhe ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes financiare të huamarrësve. Gjatë muajve të fundit, tregjet financiare janë karakterizuar nga një ecuri e relativisht e qetë, me norma të ulëta interesi, me prime të kontrolluara rreziku dhe me një tendencë stabilizimi të kursit të këmbimit.

Sistemi bankar

Viti 2017 ishte pozitiv edhe në drejtim të zgjerimit dhe të shëndetit të veprimtarisë bankare në Shqipëri. Një analizë e shpejtë e 10-mujorit të krijon bindjen për këtë konkluzion. Aktivet e sektorit bankar u zgjeruan më tej përgjatë periudhës, duke shënuar një rritje vjetore në nivelin 4%. Me përmirësim paraqitet edhe situata financiare e sektorit dhe kapitalizimi i veprimtarisë. Si rezultat i rënies së ndjeshme të provigjioneve për kredi, rezultati financiar ka një përmirësim të dukshëm krahasuar me një vit më parë. Po kështu edhe treguesit e rentabilitetit, RoA dhe RoE, janë dyfishuar në respektivisht, 1.6% dhe 16.3%, krahasuar me 0.74% dhe 7.8% një vit më parë.

Situata e likuiditetit shfaqet e qëndrueshme, ndërkohë që treguesit e tij vijojnë të jenë në nivele të kënaqshme. Në terma vjetorë, baza e depozitave ka shënuar rritje me 2.7%, duke manifestuar lëvizje në strukturë sipas maturitetit. Ambienti me përqindje interesi të ulëta, ka ndikuar në një ulje të depozitave me afat në nivelin 2.1%. Ndërkohë, duke iu referuar përkatësisë së monedhave, të dy llojet e depozitave, si ato në lekë ashtu edhe ato në valutë, kanë pësuar rritje me përkatësisht 1.4% dhe 3.9%.

Teprica e kredisë u zgjerua kundrejt një viti më parë me 0.8%. Kredia afatgjatë ka dominuar kredidhënien, ndërkohë që kreditë me maturitet afatshkurtër dhe afatmesëm janë tkurrur. Kredia për individët u zgjerua me 4.6%, ndërsa kredia për bizneset u zvogëlua me 1.7% krahasuar me një vit më parë.

Ndër zhvillimet më të spikatura të vitit që po mbyllim, do të veçoja uljen e raportit të kredive me probleme në nivelin 14.4%, krahasuar me nivelin 18.23% në fund të vitit të kaluar. Tashmë pas një periudhe relativisht të suksesshme duket se plani i koordinuar, që ndërmorëm bashkërisht për uljen e kredive me probleme, i ka dhënë rezultatet e shumëpritura. Si rezultat, përtej fshirjeve të kredive të humbura nga bilanci, është bërë një punë e madhe edhe në drejtim të shlyerjeve dhe të ristrukturimit të kredive problematike.

Gjatë vitit që po lëmë, në vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë kanë zënë vend shumë rregullore dhe akte të tjera nënligjore, të cilat synojnë të përmirësojnë veprimtarinë bankare në drejtim të eficiencës, administrimit të rreziqeve, rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së depozitueseve. Një moment i veçantë përkon me krijimin e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në vend si dhe themelimin e "Fondit për ndërhyrjen e jashtëzakonshme", i cili do të plotësohet në vazhdimësi përmes kontributeve të rregullta vjetore të sektorit bankar.

Të nderuar drejtues të sektorit bankar,

E përmenda edhe më sipër, që momenti është i përshtatshëm, ndërkohë që e ardhmja mbart ende pikëpyetje. Nga kjo konsideratë e përgjithshme nuk bën përjashtim as ekonomia jonë. Përfitoj nga rasti të sjell në vëmendjen tuaj se institucioni që përfaqëson gjithsecili prej nesh, ka një rol të caktuar në jetën e përditshme ekonomiko-financiare të vendit. Pasi jemi njohur edhe me objektivat e shpallur nga ana e ekzekutivit për vitin 2018, kuptohet se bëhet fjalë për një vit të ri tejet sfidues, si nga këndvështrimi i gjallërimit të mëtejshëm të ekonomisë, ashtu edhe përsa i takon forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit.

Nga ky këndvështrim, dëshiroj të theksoj se në optikën e Bankës së Shqipërisë, prioritete konstante përgjatë gjithë vitit 2018, ashtu si edhe në 2017, do të vazhdojnë të jenë:

  • Garantimi i një ambienti makroekonomik të qëndrueshëm, me inflacion nën kontroll, me tregje likuide me volatilitet të ulët. Politika monetare do të synojë një furnizim të përshtatshëm, si në terma të sasisë ashtu edhe të çmimit. Objektivi final i politikës monetare do të jetë i pandryshuar, ndërkohë që kahu lehtësues i zbatuar këto vitet e fundit do të vijojë të jetë i pranishëm përgjatë 2018.
  • Gjallërimi i mëtejshëm i aktivitetit kreditues në vend. Ne besojmë se gjallërimi i mëtejshëm i ekonomisë krijon një ambient më miqësor për kreditimin e ekonomisë. Për më tepër, ne do të këmbëngulim me më shumë forcë për zbatimin e programit të përbashkët për uljen e kredive me probleme. Nga ky këndvështrim, presim që edhe sistemi bankar të jetë më proaktiv në drejtim të kreditimit të ekonomisë.
  • Forcimi i mbikëqyrjes bankare dhe garantimi i stabilitetit financiar të sistemit, si një nga objektivat themelorë të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Njësoj si në të kaluarën ne do të jemi në kërkim të rregullave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare duke synuar një sistem bankar të shëndetshëm financiarisht dhe të aftë për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.
  • Deeuroizimi i ekonomisë shqiptare. Masat, që bashkërisht kemi ideuar, do të hyjnë në fuqi në gjysmën e parë të vitit 2018. Për rrjedhim, na duhet që po bashkërisht të përpiqemi të maksimizojmë rezultatet e pritshme, duke i përkthyer ato në praktikë në një besim dhe përdorim më të madh të monedhës kombëtare në ekonomi.
  • Komunikimi i vazhdueshëm me sektorin për të gjithë vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, veçanërisht për ato që i takojnë së ardhmes. Dialogu me industrinë bankare vlerësohet thelbësor për të ndihmuar në identifikimin e problemeve, për të garantuar zbatueshmërinë e kuadrit ligjor dhe për të mundësuar kapërcimin e sfidave.
  • Rritja e përfshirjes financiare dhe thellimi i mëtejshëm i edukimit financiar. Përkrah rolit rregullator dhe mbikëqyrës, ai edukativ është dhe do të jetë një tjetër element i rëndësishëm i punës sonë të përditshme, të cilin ne e konsiderojmë si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomiko-social të vendit.

Në përfundim, më lejoni t’ju garantoj se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë përherë një partner serioz dhe i përkushtuar.

Duke ju uruar vit të mbarë dhe suksese në punë dhe në familjet tuaja, ju falënderoj për vëmendjen!