BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko takohet me Guvernatorin e Bankës së Francës, z. François Villeroy de Galhau

Data e publikimit: 29.05.2016

 

Në datat 26-27 maj 2016, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko zhvilloi një vizitë pune dyditore pranë Bankës së Francës. Kjo vizitë konsiderohet mjaft e rëndësishme në kuadër të marrëdhënieve të bashkëpunimit dypalësh që ekzistojnë midis dy bankave qendrore.

Gjatë qëndrimit në Francë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko zhvilloi takime me Guvernatorin e Bankës së Francës, z. François Villeroy de Galhau, si dhe me drejtues të tjerë të lartë këtij institucioni. Bisedat u përqendruan kryesisht në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, në ecurinë e sistemit bankar shqiptar, promovimin e potencialeve të Shqipërisë si dhe në zhvillimet më të fundit në Eurozonë.

foto franc 350 1 8435 0

Guvernatori Sejko e njohu homologun e tij me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në Shqipëri, duke theksuar se pavarësisht situatës të pafavorshme ndërkombëtare, Shqipëria ka shënuar një ecuri pozitive në drejtim të rritjes ekonomike të vendit. Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e nevojshëm nëpërmjet politikës monetare lehtësuese në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

foto franc 350 4 8439 0

Gjatë takimit, të dy guvernatorët diskutuan mbi rolin dhe sfidat me të cilat përballet politika monetare sot, në një situatë pasigurie dhe inflacioni të ulët kudo në botë dhe në Evropë dhe ndanë të njëjtin mendim se harmonizimi i politikave makroekonomike ndikon në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të të dy vendeve.

Duke u ndalur në veçanti në zhvillimet e sektorit bankar, Guvernatori Sejko vlerësoi arritjet dhe potencialet që ofron ky sektor në Shqipëri, me parametra optimalë të treguesve financiarë. Banka e Shqipërisë, në rolin e autoritetit mbikëqyrës e rregullator, është në përpjekje të vazhdueshme për përafrimin e legjislacionit bankar me atë evropian, si një parakusht për të krijuar ambientin e përshtatshëm për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.

Guvernatori Sejko falënderoi Guvernatorin Villeroy de Galhau për bashkëpunimin e suksesshëm midis dy institucioneve, e veçanërisht për asistencën e dhënë nga Banka e Francës në projektet e përbashkëta të zhvilluara deri tani në disa fusha të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë.

Nga ana e tij, Guvernatori Villeroy de Galhau vlerësoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Ai theksoi se politikat e ndjekura dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe të integritetit të saj.

Guvernatori Villeroy de Galhau theksoi se lidhjet midis dy institucioneve kanë qenë dhe vijojnë të jenë mjaft të qëndrueshme dhe të frytshme. Në cilësinë e Anëtarit të Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane, ai siguroi Guvernatorin Sejko se Banka e Francës dhe bankat anëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për Bankën e Shqipërisë, për përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe adoptimin e standardeve ndërkombëtare të bankingut qendror, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane. Ky bashkëpunim mund të vijojë në fusha, si: konvergjenca e legjislacionit me standardet evropiane, zgjidhja e çështjeve të kredive me probleme, qeverisja e bankës qendrore, etj.

Në përfundim të takimit, Guvernatori Sejko duke e falënderuar për mikpritjen e ngrohtë, ftoi homologun Villeroy de Galhau të zhvillojë një vizitë në Shqipëri, në një kohë të përshtatshme për axhendën e tij.