BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, takon Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, SH.S.Zj. Susanne Schütz
Data e publikimit: 22.12.2016
Në datë 22 dhjetor 2016, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me Ambasadoren e re të Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, SH.S.Zj. Susanne Schütz.
Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu falënderimet Ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, SH.S.Zj. Susanne Schütz, për marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve, duke theksuar rëndësinë dhe impaktin pozitiv të mbështetjes së Gjermanisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në fushën ekonomike, në fushën e drejtësisë për përmirësimin e kuadrit ligjor, si dhe perspektivat potenciale në të ardhmen.
Më tej, takimi vijoi me bisedime lidhur me panoramën ekonomike të vendit, ku Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare lehtësuese e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë i ka dhënë efektet e saj, duke influencuar pozitivisht trajektoren e zhvillimit ekonomik, qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit.
Diskutimet dypalëshe u ndalën gjithashtu edhe në kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë po jep në procesin e integrimit evropian të vendit, nëpërmjet përafrimit të kuadrit rregullator dhe praktikave të punës, me direktivat dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, shprehu mirënjohjen e tij ndaj Bankës së Gjermanisë për ndihmën në shkëmbimin e përvojave dhe asistencën teknike të dhënë në fusha të ndryshme të bankingut qendror.
Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko përcolli në emër të Bankës së Shqipërisë dhe në emrin e tij personal, ngushëllimet për jetët e humbura gjatë sulmit terrorist të pak ditëve më parë në Berlin, dhe shprehu bindjen se populli gjerman do të gjejë forcat për ta kapërcyer këtë moment të vështirë.
Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, SH.S.Zj. Susanne Schütz, falënderoi Guvernatorin Sejko për këtë takim dhe shprehu vlerësimet e saj për kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.
Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.