BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, takon Ambasadorin e Rumanisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Mircea Perpelea
Data e publikimit: 18.11.2020
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti sot, më datë 18 nëntor 2020, në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e Rumanisë në vendin tonë, Sh.T.Z. Mircea Perpelea, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.
Në fokus të kësaj bisede ishte trajtimi i situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe efektet e saj jo vetëm në ekonomitë e të dy vendeve, por edhe në atë globale.
Guvernatori Gent Sejko e njohu Ambasadorin Perpelea me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe kontributin e Bankës së Shqipërisë për të mbështetur aktivitetin ekonomik në vend, i cili ka ardhur në përmirësim gjatë muajve të verës, pas rënies së fortë të shënuar në tremujorin e dytë. Ky rikuperim pasqyroi lehtësimin e masave të distancimit social dhe mbështetjen e siguruar nga stimuli i gjithanshëm fiskal, monetar e makroprudencial.
Më konkretisht, në përgjigje të situatës së krijuar, Banka e Shqipërisë mori masa të menjëhershme si ulja e normës bazë të interesit dhe shtimi i injektimeve të likuiditetit; lehtësimi rregullator i përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimi i pagesave të dividentit në sektorin bankar; si dhe, heqja e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave.
Përsa i përket sektorit bankar, Guvernatori theksoi se ky sektor ka vijuar veprimtarinë e tij në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht sfidave që paraqiti situata e pandemisë në vend. Ky sektor ka akomoduar nevojat e kredimarrësve, duke ofruar shtyrje të përkohshme të kësteve të kredisë për klientët dhe ristrukturime tërësore të saj, dhe duke marrë mbi vete një pjesë të barrës financiare të krizës.
Ambasadori Perpelea pasi falënderoi Guvernatorin Sejko për mikpritjen e treguar gjatë gjithë qëndrimit të tij në Shqipëri, theksoi mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave të Shqipërisë për aderimin në Bashkimin Evropian, si dhe siguroi asistencën e nevojshme në kuadër të procesit të integrimit evropian të saj.
Gjithashtu, Ambasadori i Rumanisë shprehu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet bankave qendrore të dy vendeve dhe ofroi ekspertizën e Bankës Kombëtare të Rumanisë në fusha të ndryshme të bankingut qendror, e cila ka qenë vazhdimisht një ndihmesë për Bankën e Shqipërisë.
Më tej, Sh.T.Z. Perpelea, vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend, sidomos në këto kohë të vështira, me masa ekstreme dhe pasiguri të ndryshme. Ai nënvizoi se masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë synuar zbutjen e efekteve negative si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese.
Guvernatori e falënderoi në veçanti Ambasadorin Perpelea për dy librat e tij shumë të vyer të botuar në gjuhën shqipe kushtuar marrëdhënieve rumuno-shqiptare me titull: “Miqësi nëpër kohëra: Përbashkësi rumuno-shqiptare” dhe “Duke ardhur në Shtëpi në Evropë... nga Lindja”. Libri i dytë i kushtohet aderimit të Rumanisë në Bashkimin Evropian dhe paraqet realitetet e një tranzicioni, para dhe pas aderimit, shprehur me argumente ekonomike. Këta libra ndihmojnë jo vetëm në përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe, por shërbejnë dhe si udhërrëfyes për Shqipërinë në hapat e mëtejshëm të integrimit evropian.
Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.