BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, takon Ambasadorin e ri të Austrisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Christian Steiner
Data e publikimit: 11.06.2020
Në datën 10 qershor 2020, Guvernatori Gent Sejko priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e ri të Republikës së Austrisë në vendin tonë, Sh.T.Z. Christian Steiner.
Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu falënderimet Ambasadorit të Austrisë në Shqipëri për marrëdhëniet e mira, të cilat i kanë karakterizuar edhe në të kaluarën e hershme dy vendet, duke nënvizuar me këtë rast rëndësinë e mbështetjes nga Republika e Austrisë së hapjes së negociatave për vendin tonë.
Në krye të bisedës ishte trajtimi i situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe efektet e saj në ekonominë shqiptare. Guvernatori u shpreh se si pasojë e masave të kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë, ekonomia shqiptare gjatë vitit 2020 pritet të shënojë rënie dhe të rikuperohet gradualisht vitet e ardhshme.
Në vijim, Guvernatori prezantoi gjendjen e sektorit bankar në vend, duke theksuar se ky sistem është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit dhe shëndetit financiar. Ky sektor ka vijuar pa asnjë ndërprerje aktivitetin normal dhe ka qëndruar i gatshëm të japë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.
Gjithashtu, Guvernatori e njohu Ambasadorin me ndërhyrjen e autoriteteve publike për përballimin e kësaj situate, si dhe me masat e marra nga Banka e Shqipërisë për t’iu ardhur në ndihmë bankave dhe klientëve të tyre, si dhe për të minimizuar kostot e pandemisë Covid-19 në ekonominë e vendit, si ulja e normës bazë të interesit në nivelin historik prej 0.5%, furnizimi me likuiditet sistemin bankar duke hequr kufijtë sasiorë, eliminimi i kostove të operimit të sistemeve të pagesave elektronike, sigurimi i pandërprerë i ekonomisë me para fizike, shtyrja me dy tremujorë e pagesave të kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi financiare, si dhe ndryshime rregullative.
Ambasadori Steiner theksoi rëndësinë në drejtim të zbatimit të reformave ekonomike, strukturore e sektoriale, dhe vlerësoi kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë po jep në procesin e integrimit evropian të vendit, nëpërmjet përafrimit të kuadrit rregullator dhe praktikave të punës, me direktivat dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i shprehu mirënjohjen Ambasadorit Steiner për bashkëpunimin e frytshëm dhe asistencën teknike të dhënë në fusha të ndryshme të bankingut qendror nga Banka Kombëtare e Austrisë.
Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik me Austrinë si partner strategjik, kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.