BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim CANI takohet me Ambasadorin e SHBA-së në Kroaci, z.Lawrence G. ROSSIN i cili shoqërohej nga zv.Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë znj.Elisabeth SHELTON

Data e publikimit: 29.04.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim CANI, u takua ditën e premte me Ambasadorin e e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kroaci, z. Lawrence G.Rossin dhe zv.Ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, znj.Elisabeth Shelton.

Në fjalën e saj, znj.Shelton u shpreh se ambasadori Rossin ka marrë detyrën e tij që në vitin 2001 në ambasadën amerikane në Zagreb dhe tashmë do të kthehet në Departamentin Amerikan të Shtetit për të koordinuar marrëdhëniet e SHBA-së me rajonin e Ballkanit.

Guvernatori Cani, duke uruar ambasadorin Rossin për detyrën e re, pas një eksperience pozitive diplomatike në Ballkan, u shpreh se si një njohës i rajonit, zgjedhja e tij në Departamentin e Shtetit, është një shans më shumë për vendet ballkanike për intensifikimin e marrëdhënieve me SHBA-në.

Ndërsa ambasadori Rossin u shpreh se që nga vizita e tij e fundit në vendin tonë më kënaqësi vërej se Shqipëria ka bërë progres në përgjithsi dhe për më tepër ka një klimë të përmirësuar politike dhe për zhvillimin ekonomik në përgjithsi.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin opinion se rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar prej 4.7 për qind, megjithëse poshtë parashikimit prej 6 për qind, tregon shenja të qarta se ekonomia shqiptare është në progres, megjithë problemet e varfërisë që e shoqërojnë si çdo vend në zhvillim.

Sa i përket parashikimeve për vitin 2003, Guvernatori u shpreh se janë premisat dhe argumentat për të patur një rritje ekonomike 6 për qind por duhet bërë më shumë kujdes në përmirësimin e situatës energjitike, pasi, megjithë reformën e ndërmarrë dhe përmirësimin e situatës krahasuar me vitet paraardhëse, duhet të shtohet furnizimi me energji për bizneset edhe gjatë periudhës së dimrit.

Lidhur me reformën në bujqësi, e cila zë një peshë të rëndësishme në Produktin e Brendshëm Bruto, z.Cani u shpreh se duhet punuar për të krijuar kushtet për zhvillimin e tregut të shitblerjes së tokës, për të krijuar kolateralet e nevojshme, në mënyrë që bankat t'i afrohen kreditimit edhe në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë vendase.

Më pas Guvernatori bëri një përshkrim të shkurtër të zhvillimeve kryesore të sistemit bankar, duke veçuar rritjen e numrit të bankave dhe degëve të tyre, përmirësimin e shërbimeve bankare, rritjen e kredisë për biznesin nga viti në vit, uljen e pozitës dominuese të Bankës së Kursimeve dhe procesin e ristrukturimit të saj para privatizimit etj.