BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani akohet me drejtorin e USAID-it në Tiranë z. Harry Birnholz

Data e publikimit: 07.01.2003

 

Sot paradite Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Shkëlqim Cani, priti në një takim zotin Harry Birnholz, Drejtor i Misionit të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara (USAID) në Shqipëri.

Tema kryesore e bisedës ishin zhvillimet kryesore në ekonominë shqiptare gjatë vitit 2002, parashikimet për vitin në vazhdim dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Në fjalën e tij Guvernatori Cani u shpreh se "Banka e Shqipërisë vëren se ekonomia shqiptare gjatë vitit të kaluar, megjithë problemet që kaloi, në përgjithësi shënoi zhvillime pozitive. Guvernatori u shpreh se të dhënat më të fundit statistikore tregojnë që norma e inflacionit, një nga objektivat kryesorë të Bankës së Shqipërisë parashikohet të jetë brenda objektivit 2 - 4 për qind. Në këtë tregues vlerësohet se ka ndikuar edhe fushata e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë kundër spekullimeve me çmimet, fushatë që në përgjithësi gjeti mbështetjen e publikut dhe medias".

Nga ana e tij, z. Birnholz e vlerësoi të suksesshme Bankën e Shqipërisë në realizimin e objektivave të saj për vitin 2002 dhe u shpreh se USAID do të vazhdojë të mbështesë Bankën e Shqipërisë me asistencë teknike gjatë vitit 2003.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se prioritetet kryesore për vitin në vazhdim, përsa i përket sistemit bankar, janë privatizimi i Bankës së Kursimeve dhe gjetja e pronarit të Bankës Kombëtare Tregtare. Ndërsa përsa i përket zhvillimeve të pritshme të ekonomisë në përgjithësi Guvernatori Cani dhe z.Birnholz u ndalën në hapat që duhen ndërmarrë për zhvillimin e sektorit bujqësor, domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemit të furnizimit me energji elektrike, etj.

Gjatë vitit të kaluar USAID, nëpërmjet FSVC, ka ndihmuar Bankën e Shqipërisë në procesin e ngritjes së Agjencisë për Sigurimin e Depozitave dhe ka dhënë asistencë teknike në fusha të tjera të bankingut qendror.