BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, merr pjesë në takimin vjetor të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare

Data e publikimit: 02.07.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, mori pjesë në takimin vjetor të Bankës për Rregullimet Ndërkombëtare (Bank for International Settlements), që u zhvillua nga data 28-30 qershor 2003 në Bazel të Zvicrës. Në takim përveç Guvernatorëve të bankave antare të BIS-it, merrnin pjesë edhe Guvernatorë të bankave të tjera qëndrore dhe drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Temat kryesore e Takimit të 73-të vjetor të BIS-it kishin të bënin me zhvillimet e fundit në tregjet financiare, normat e interesit të bankave qëndrore, zhvillimet monetare dhe deflacionin në vendet e Eurozonës si dhe paraqitjen e Raportit Vjetor.

Z.Nout Wellink, President i BIS-it, duke folur përpara Guvernatorëve të rreth 100 bankave qendrore dhe institucioneve ndërkombëtare që ndiqnin konferencën, u shpreh se kohët e fundit po përballemi me një normë të ulët inflacioni, rënie të kërkesës botërore dhe investimeve të komunitetit të biznesit, të pazakonshme për një situatë pas-lufte. Duke folur për parashikimet për të ardhmen, z.Wellink u shpreh se ka sinjale inkurajuese lidhur me moderimin e çmimit të naftës, eleminimin e disa risqeve dhe rritjen e besimit në tregjet financiare, gjë që shtron nevojën e e bashkëpunimit mes autoritetve monetare dhe atyre fiskale.

Në konkluzionet e Takimit vjetor, BIS-i parashikon një rritje ekonomike fare të vogël në ekonominë botërore në fundin e këtij viti për shumicën e vendeve. Rritja parashikohet në rreth 1 për qind për 12 vendet e Eurozonës, 2.3 për qind në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 0.8 për qind për ekonominë japoneze dhe 2 për qind në Britaninë e Madhe. Shumë nga folësit në Takim ishin më shumë të shqetësuar për deflacionin sesa për inflacionin pasi do të rrezikonte rritjen ekonomike madje mund të çonte në recension në ekonominë evropiane.

Presidenti i Bankës Qëndrore Evropiane, Wim Duisenberg, u shpreh se "BQE se do të mbajë një normë inflacioni më afër kufirit të sipërm 2 për qind (objektivi i BQE-së është për nivelin 0-2 për qind), kështu që më shumë do të luftojë deflacionin sesa inflacionin. Gjermania, e cila ka një normë inflacioni aktualisht në 1 për qind po shikon rrezikun e deflacionit".

Shqipëria ka patur 500 aksione të BIS-it që nga momenti i krijimit në vitin 1925, në vitin 1969 numri i aksioneve u dyfishua me një vlerë nominale 2 milionë e 500 mije franga ari dhe me vlerë reale 25 % të shumës ose rreth 625 mijë franga ari (vlera e investuar në momentin fillestar). Por më 26 maj të vitin 1976, Banka e Shtetit Shqiptar kërkoi largimin nga Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare, ndërsa në muajin shtator të një viti më pas, BIS pranoi largimin e Bankës së Shtetit Shqiptar duke i kthyer shumën 3.1 milionë franga zvicerane ose 1.285 milionë dollarë.

Guvernatori Cani pati një sërë takimesh me guvernatorë e personalitete të tjera të botës financiare ndërkombëtare.