BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, takohet me përfaqësues të komunitetit të biznesit, të bankave të nivelit të dytë, të shoqërinë civile dhe të mediave të qytetit të Sarandës dhe prefekturës së Gjirokastrës.

Data e publikimit: 14.05.2004

 

Pas takimeve në qytetin e Vlorës, lidhur me prezantimin e programit të Bankës së Shqipërisë "Përtej parasë"", Guvernatori Cani zhvilloi dje dhe sot takime me përfaqësues të biznesit, të bankave të nivelit të dytë, të shoqërisë civile dhe të mediave përkatësisht të qytetit të Sarandës dhe të prefekturës së Gjirokastrës. Ai parashtroi shqetësimin e Bankës së Shqipërisë për përmasat e cash-it në ekonomi, reduktimi i të cilit konsiderohet si një sfidë, që mund të përballet vetëm me veprime e aksione të konverguara. Në gjithë programin e saj të titulluar "Përtej parasë", Banka e Shqipërisë synon bashkërendimin e të gjithë aktorëve të përfshirë në sistemin e pagesave periodike, potencialisht të mundshme për të kaluar nëpërmjet sistemit bankar, me synimin kryesor reduktimin në maksimum të pagesave me para në dorë.

Në këtë pikë, ai vuri theksin në interesin e përbashkët të të gjithë aktorëve ekonomikë për ndërmarrjen e iniciativave efektive për reduktimin e cash-it: si të bankave të nivelit të dytë, që do të përfitojnë më shumë klientë e transaksione, të cilat përkthehen në më shumë të ardhura dhe fitime të relizuara, ashtu edhe të biznesit, që do të gëzonte mbështetjen financiare e logjistike të bankave, duke u prezantuar si një partner serioz per biznes, jo vetëm në Shqipëri por edhe me partnerët e huaj; si të organeve tatimore e doganore, që do të rrisnin performancën e të ardhurave të siguruara dhe të shërbimeve ndaj biznesit, nëse tatimpaguesit do t'i drejtoheshin bankave, ashtu edhe të autoritetet vendimmarrëse, që do të ishin më efikase në ndërmarrjen e politikave buxhetore afatmesme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen ekonomike, apo edhe të konsumatorëve, që do të përfitonin shërbime më cilësore të pagesave te entet publike, Albtelekom, KESH, Ujësjellës, dhe pagesa pagash e pensionesh, në mënyrë më të qytetëruar e bashkëkohore, pa pritur radhë të gjata e pa humbje kohe.

Guvernatori Cani mori mbështetjen e komunitetit bankar dhe të biznesit, të pranishëm në këto takime, për programin "Përtej parasë" dhe synimet e tij, të cilët nga ana tjetër nuk ngurruan të parashtrojnë e të diskutojnë edhe për probleme të ndryshme që duhen zgjidhur. Kështu, përfaqësuesit e bankave, edhe në këto rrethe, ngritën problemin e vakuumit në legjislacionin për bankingun elektronik dhe shtruan nevojën e përshpejtimit të hapave konkretë; ndërkohë, ata theksuan se si rezultate të pritshme në periudhën afatshkurtër, pra në harkun e një viti, do të dëshironin liberalizimin e plotë të llogarive të buxhetit, kreditimin e pagave në llogari për buxhetorët edhe për biznesin e madh.

Nga ana e tij, komuniteti i biznesit renditi si çështje të rëndësishme që duhen shtruar për zgjidhje sa më të shpejtë, funksionimin më të mirë të zyrës së regjistrimit të pasurive të patundshme, gjë e cila jo rrallëherë shkakton pengesa e madje vonesa në përfundimin e praktikave të kreditimit të biznesit. Përfaqësuesit e biznesit kërkuan nga sistemi bankar më shumë perspektivë e me shumë bashkëpunim, që nënkupton orientim e këshillim të specializuar të bizneseve lokale në ngritjen e bizneseve e ndërmarrjen e investimeve. Një shqetësim tjetër, që u bë prezent prej tyre, ishte edhe ndërhyrja e tatimorëve. Kundrejt këtij shqetësimi, përfaqësuesit e tatimorëve kërkuan më tepër sinqeritet e transparencë nga bizneset, pasi ligji është ligj dhe detyrimet fiskale duhen paguar rregullisht.