BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani zhvilloi një seancë leksionesh speciale me studentët e

Data e publikimit: 09.05.2003

 

"Stabiliteti makroekonomik dhe roli i Bankës Qendrore", ishte tema e leksionit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit "Eqerem Çabej" në qytetin e Gjirokastrës që u zhvillua të enjten pasdite. Guvernatori u shpreh se "në procesin e zhvillimit ekonomik të një vendi, institucionet hartuese dhe zbatuese të politikave ekonomike të një vendi e venë theksin në vazhdimësi te arritja dhe ruajtja e këtij stabiliteti dhe është një prioritet konstant i punës së tyre. I gjithë ky proces, që në gjuhën e institucioneve quhet "edukim i publikut", ka bërë që qëndrueshmëria makroekonomike të pranohet si një objektiv me rëndësi të padiskutueshme".

Megjithatë, vazhdoi z.Cani, arsyetimi ekonomik na bën të ndërgjegjshëm për një fakt: mirëqenia e një vendi dhe ritmi i rritjes së saj varen nga rritja ekonomike.

Duke folur për zhvillimin ekonomik, z.Cani u shpreh se "zhvillimi është një situatë e rritjes ekonomike të një vendi, duke nënkuptuar rritjen e prodhimit dhe uljen e papunësisë. Rritja ekonomike e vendit shprehet nëpërmjet rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), i cili është një tregues sintetik që mat nivelin e prodhimit dhe të ardhurave të gjeneruara nga rezidentët e një ekonomie. Është e kuptueshmë që rritja e prodhimit, duke përjashtuar situatat ekstreme të revolucioneve teknologjike, shoqërohet me rritje të punëzënies dhe ulje të papunësisë.

Nga pikëpamja makroekonomike, u shpreh Guvernatori ekonomia e një vendi ndahet në katër sektorë: sektori real, sektori i jashtëm, sektori fiskal dhe sektori financiar. Rritja ekonomike dhe niveli i punëzënies në vend është kontribut i të gjithë këtyre sektorëve.

Banka qendrore, u shpreh z.Cani, është themeli i sistemit bankar. Ajo licencon, mbikëqyr dhe rregullon aktivitetin e këtij sistemi. Banka qendrore është përgjegjëse për emetimin e monedhës, hartimin dhe zbatimin e politikës monetare, organizimin dhe rregullimin e sistemit të pagesave. Ndër rolet e tjera të bankës qendrore mund të përmendim edhe përcaktimin dhe regjimit valutor të vendit, rolin e agjentit fiskal të qeverisë, etj. Secili nga këta funksione është një funksion kyç në ecurinë e ekonomisë. Megjithatë, hartimi dhe zbatimi i politikës monetare është funksioni më i rëndësishëm dhe i patjetërsueshëm i bankës qendrore.

Diferenca (Gap-i) midis kursimeve dhe investimeve në një ekonomi, u shpreh Guvernatori, mund të shihet si përdorim i burimeve valutore të një vendi ose si rritje e huamarrjes nga jashtë. Në një ekonomi të mbyllur, agregati i kursimeve është i barabartë me atë të investimeve. Në një ekonomi të hapur, diferenca midis tyre është e barabartë me bilancin e llogarisë korrente. Pra, nëse kemi investime më shumë nga sa janë kursimet (ekonomia absorbon më shumë se i lejojnë të ardhurat e saj) atëherë këto duhen mbuluar nga kursimet e huaja, pra nga huamarrja nga jashtë. Është e qartë që huamarrja nga jashtë nuk mund të vazhdojë për një kohë të papërcaktuar. Herët a vonë ajo do të çojë në uljen e aftësisë paguese të vendit, në zhvlerësimin e monedhës së tij dhe në inflacion të lartë.

Sipas Guvernatorit, rritja e inflacionit, zhvlerësimi i monedhës dhe rritja e pasigurisë në vendimmarrje krijojnë një klimë të pafavorshme për rritjen ekonomike. Në mënyrë të thjeshtuar, rasti i Argjentinës është një ilustrim konkret i këtyre zhvillimeve.

Një aspekt tjetër i ndikimit të politikës fiskale, vazhdoi z.Cani, në ekuilibrat makroekonomikë është dhe deficiti buxhetor dhe financimi i tij. Rritja e shpenzimeve të qeverisë përtej mundësive të saj paguese sjell një deficit buxhetor të rritur. Sipas tij, ekzistojnë të paktën tre kanale me të cilët një deficit i lartë buxhetor ndikon në c'balancime në ekonomi dhe, në analizë të fundit, pengon rritjen ekonomike:

- Rritja e huamarrjes së ekonomisë sjell norma interesi nominale dhe reale të larta. Rritja e normave të interesit kufizon investimet.

- Në rast të mbulimit të deficitit buxhetor nga banka qendrore, deficiti i lartë buxhetor është burim inflacioni.

- Në rast të mbulimit të deficitit buxhetor nga sistemi bankar ose agjentët e tjerë të ekonomisë, deficiti buxhetor sjell ulje të investimeve private.

Në kuadrin sektorial të llogarive kombëtare, u shpreh ai, sektori real përcaktohet si shumë e individëve dhe sektorit privat (ku futet sektori jo-qeveritar, sektori jo-bankar). Ashtu si sektorët e tjerë, edhe sektori privat ka detyrime buxhetore që lidhin gapin midis të ardhurave dhe shpenzimeve të këtij sektori me financimin e tyre.

Duke folur për inflacionin, Guvernatori u shpreh se është vërtetuar se ekonomitë zhvillohen më mirë në drejtim të rritjes, punësimit dhe standardit të jetesës, kur inflacioni është i ulët, sesa kur inflacioni qëndron vazhdimisht në nivele të larta.

"Pikërisht lidhja negative midis inflacionit dhe ritmeve të rritjes ekonomike ka bërë që bankat qendrore (me përjashtime të vogla) ta bëjnë inflacionin e ulët qëllimin kryesor të politikës së tyre monetare. Veprime të tilla tregojnë rëndësinë e madhe të këtij qëllimi", përfundoi Guvernatori. Më pas z.Cani iu përgjigj pyetjeve të studentëve të pranishëm.