BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani zhvillon një seancë leksionesh speciale me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Vlorës

Data e publikimit: 08.05.2003

 

"Banka Qendrore dhe Pavarësia e saj" ishte tema e përzgjedhur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani për studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit "Ismail Qemali" të qytetit të Vlorës.

Sipas Guvernatorit, argumenti ose bindja më e përhapur dhe më kryesore është që "bankat qendrore të pavarura shoqërohen me nivel më të ulët inflacioni". Lidhur me pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, Guvernatori u shpreh se ekzistojnë tre parakushte të nevojshme për një autonomi reale të bankës qendrore. Së pari, një bankë qendrore autonome duhet të ketë një objektiv të përcaktuar qartë, që quhet stabilitet i çmimeve. Së dyti, banka qendrore duhet të ketë edhe autoritet të mjaftueshëm (juridikisht dhe faktikisht) edhe instrumente të përshtatshme për të administruar likuiditetin në sistemin bankar për të përmbushur përgjegjësinë e saj parësore. Së treti, veprimet e bankës qendrore duhet të jenë transparente dhe informacioni duhet të jepet (raportohet) rregullisht në mënyrë të tillë që banka qendrore të mund të ketë përgjegjshmëri për politikën monetare dhe për rezultatin e inflacionit".

Por, vijoi më tej z.Cani, pavarësia e bankës qendrore varet nga një grup faktorësh të ndryshëm duke filluar nga pavarësia që asaj i njihet me ligj dhe duke marrë në konsideratë deri edhe personalitetin dhe reputacionin e drejtuesve të bankës qendrore apo traditat dhe mentalitetin në një vend të caktuar. Kjo bën që matja sasiore e pavarësisë së bankës qendrore të jetë mjaft e vështirë, madje për disa faktorë krejt e pamundur. Për këtë arsye, studiuesit kanë ndërtuar një sërë treguesish për matjen sasiore të pavarësisë së bankës qendrore duke përcaktuar më parë disa pavarësi.

"Pavarësia ligjore, sipas Guvernatorit, nënkupton pavarësinë që një banke i njihet me ligj apo në statutin e saj. Pavarësia ligjore në vetvete ka dy komponentë, pavarësinë politike dhe atë ekonomike. E para nënkupton pavarësinë që i sanksionon ligji një banke qendrore nga ndërhyrjet politike në ndjekjen e objektivit (objektivave) kryesor(ë). E dyta nënkupton pavarësinë që i njeh ligji nga ndërhyrjet e qeverisë. Por, më e rëndësishmja është matja e pavarësisë reale të bankës qendrore që siç e jep dhe vetë termi do të thotë sa e pavarur në të vërtetë është banka qendrore pavarësisht nga klauzolat ligjore në fuqi.

Megjithatë, sipas z.Cani, pavarësia ligjore nuk është pavarësi reale. Aq më tepër kjo bëhet e vlefshme në vende si Shqipëria ku, pa dashur të tregohemi shumë të ashpër, ndjenja dhe dëshira për respektimin e ligjit ende nuk janë të forta.

Sipas Guvernatorit "është parashikuar se Banka e Shqipërisë është e pavarur nga çdo subjekt tjetër për realizimin e objektivit kryesor të saj dhe në ushtrimin e detyrave të ngarkuara. Kjo do të thotë që: Banka e Shqipërisë është e pavarur në marrjen e vendimeve të saj në fushën e kompetencave që ligji i akordon pushtet. Pavarësia e Bankës së Shqipërisë përforcohet me idenë e shprehur në këtë pikë se të gjithë subjektet e tjerë jashtë saj janë të detyruara të respektojnë autoritetin, që ligji i ka dhënë Bankës së Shqipërisë dhe nuk duhet që nëpërmjet ndërhyrjeve të tyre të influencojnë në marrjen e vendimeve nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Duke parë ligjin në tërësinë e tij, vërehet që për këtë element plotësohet kushti që i njeh pavarësi të plotë bankës qëndrore, duke siguruar në këtë mënyrë efektivitet më të madh në realizimin e funksioneve dhe objektivave të saj.

Sipas Guvernatorit, "i vetmi autoritet përpara të cilit Banka e Shqipërisë përgjigjet me anë të raporteve të saj për zbatimin e detyrave që ligji i përcakton, është organi ligjvënës - Kuvendi. Një raport i tillë përforcon akoma edhe më shumë pozicionin e Bankës së Shqipërisë, pavaresine e saj, dhe tregon nivelin e lartë institucional në të cilin ligji e ka vendosur atë. Një nga detyrimet që ligji i ka vënë Bankës së Shqipërisë, është dorëzimi në Kuvend dhe Këshillin e Ministrave, në intervale gjashtëmujore, i një raporti mbi vleresimin e realizimit të objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë, që është ruajtja dhe arritja e stabilitetit te çmimeve. Sipas ligjit, kjo deklaratë vihet në dispozicion të publikut, si një tjetër element i transparencës të Bankës së Shqipërisë".

Pavarësia dhe përgjegjshmëria, tha z.Cani, janë dy elemente plotësues të njëri-tjetrit. Përgjegjshmëria e bankës qëndrore sigurohet nga respektimi i të gjitha neneve të ligjit. Nga ana tjetër, dhënia e parashikimeve dhe përmbushja e tyre ndihmon vetë Bankën për të forcuar besueshmërinë dhe për të konsoliduar pavarësinë.

Ligji aktual i jep Bankës autoritet të kufizuar "për t'i dhënë hua shtetit. Aktualisht, shuma e drejtëpërdrejtë e kredisë që BSH mund t'i japë qeverisë nuk mund të kalojë ekuivalentin prej 5 për qind të të ardhurave mesatare vjetore të tre viteve të fundit të qeverisë ndërsa deri në vitin 2005 financimi i deficitit buxhetor nga ana e BSH-së synohet të shkojë në zero. Banka e Shqipërisë në përputhje me objektivin e saj kryesor mund të ndërhyjë pa kufi në tregun e hapur dhe atë sekondar të letrave me vlerë të borxhit të qeverisë.

Guvernatori iu përgjigj pyetjeve të stafit akademik dhe studentëve të pranishëm lidhur me çështje të ndryshme të sistemit bankar dhe ekonomisë në përgjithësi.