BANKA E SHQIPËRISË

Guvernatori prezanton Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Data e publikimit: 10.04.2018

 

Sot, më datë 10 prill 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, prezantoi përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF), Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017.

Raportimi në Kuvendin e Shqipërisë është detyrimi ligjor, me anë të së cilit përmbushet procesi llogaridhënës i institucionit për veprimtarinë e vitit të kaluar ushtrimor, si dhe për të njohur ligjvënësit me disa nga objektivat kryesorë që do të udhëheqin punën e institucionit në periudhat në vijim.

 DSC9743-2 - 498

Fillimisht, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë zbatimit të rekomandimeve të lëna nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave në Rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2016”.

Më tej, ai bëri një ekspoze të panoramës ekonomike e financiare të vendit, në të cilën theksoi se viti 2017 ka qenë një vit progresi për ekonominë dhe për sistemin financiar shqiptar.

 Më konkretisht, Guvernatori u ndal në kontributin që Banka e Shqipërisë ka dhënë në përmirësimin e ambientit ekonomik e financiar nëpërmjet: zbatimit të një politike monetare stimuluese, e cila mbështeti rritjen e ekonomisë, punësimit, pagave dhe inflacionit; mbikëqyrjes së kujdesshme dhe përqasjes proaktive të rregullimit bankar, duke ndihmuar përmirësimin e treguesve të aktivitetit të sektorit bankar; rritjes së sigurisë së sistemit bankar, përmes ngritjes së strukturave të specializuara për të administruar ndërhyrjet e ristrukturimet e nevojshme tek bankat me vështirësi paguese; nxitjes së zhvillimit e funksionimit eficient të sistemit të pagesave; nxitjes së edukimit financiar; forcimit të mëtejshëm të institucionit të bankës qendrore, falë investimit të vazhdueshëm për rritjen e profesionalizmit, të pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës; si dhe përmes bashkëpunimit e shkëmbimit të informacioneve e opinioneve me partnerë të brendshëm e të jashtëm.

 DSC9771-2 - 498

Guvernatori theksoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur në vitin 2017 ka qenë faktor i rëndësishëm për mbështetjen e aktivitetit ekonomik të vendit. Nëpërmjet saj është garantuar një ambient ekonomik dhe financiar me norma të ulëta interesi, në kushtet e një likuiditeti të bollshëm. Megjithatë bashkërendimi i politikës monetare me atë fiskale ka qenë jetik për forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe për sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme.

Gjithashtu, Guvernatori Sejko shtoi se përcjellja e efektit të politikës monetare në tregjet financiare dhe ekonominë shqiptare – apo thënë ndryshe mekanizmi i transmetimit - vijon të vuajë nga tre pengesa strukturore për të cilat Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masat e saj:

  1. niveli relativisht i lartë i përdorimit të monedhës euro në tregjet financiare dhe në ekonominë shqiptare;
  2. gatishmëria ende e ulët e bankave për të zgjeruar kreditimin; 
  3. shkalla e zhvillimit të tregjeve financiare dhe diapazoni i ngushtë i instrumenteve financiare.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozesë së Guvernatorit iu kushtua veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes e promovimit të stabilitetit financiar, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit bankar, rritjen e rezistencës së tij në përballimin e goditjeve dhe adoptimin e standardeve ndërkombëtare.

Guvernatori u shpreh se veprimtaria e sektorit bankar gjatë vitit 2017 ka qenë e qëndrueshme dhe mbështetëse për ruajtjen e stabilitetit financiar. Treguesit kryesorë financiarë të veprimtarisë së sektorit bankar u shfaqën në përmirësim, ndërsa rezultati financiar neto i sektorit bankar është rritur dukshëm gjatë vitit 2017. Në veçanti, rreziku i kreditit shënoi ulje të ndjeshme gjatë këtij viti, sikurse është ilustruar nga rënia e kredive me probleme. 

Ai shtoi se pavarësisht zhvillimeve pozitive, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për përmirësimin e mëtejshëm të kapaciteteve të saj mbikëqyrëse dhe të kuadrit rregullator.

Me asistencën e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar është duke u hartuar një kuadër rregullativ, i cili synon të nxisë bashkëpunimin dhe koordinimin e bankave për adresimin e kredimarrësve të përbashkët.

Gjithashtu Guvernatori u ndal dhe në zbatimin e ligjit “Mbi rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë” i cili e njeh Bankën e Shqipërisë si Autoritet i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për bankat dhe degët e bankave të huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vend, duke përbërë një tjetër hap në drejtim të adoptimit të standardeve evropiane në kuadrin rregullator të Bankës së Shqipërisë.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF).

Në emër të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputeti Anastas Angjeli relatoi mbi veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2017, duke vlerësuar në përgjithësi punën e saj për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit, si dhe përmirësimin e qeverisjes së brendshme dhe përmbushjen e objektivave institucionalë, sipas rezolutës të vitit të kaluar të Kuvendit.

Në përfundim, z. Angjeli theksoi dhe sfidat me të cilat përballet Banka e Shqipërisë, duke vënë në dukje dhe rekomandimet e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.