BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori prezanton Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2018, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Data e publikimit: 23.04.2019

 

Sot, më datë 23 prill 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, prezantoi përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF), Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2018. Raportimi në Kuvendin e Shqipërisë përbën instrumentin kryesor llogaridhënës të Bankës së Shqipërisë si institucion i pavarur.

DSC 7212 498

Veprimtaria e Bankës së Shqipërisë për vitin 2018 është udhëhequr nga tre parime kryesore: objektivat dhe detyrat ligjore dhe nënligjore, objektivat e përcaktuar në strategjinë afatmesme të saj dhe rekomandimet e Kuvendit të dhëna një vit më parë. 

Fillimisht, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke theksuar se viti 2018 ishte një vit progresi për ekonominë dhe financat shqiptare. “Aktiviteti ekonomik dhe punësimi vijuan të zgjerohen, pagat dhe presionet e brendshme inflacioniste erdhën në rritje, treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar shënuan përmirësim, dhe një sërë indikatorësh të balancave të brendshme dhe të jashtme ekonomike erdhën drejt forcimit.” - u shpreh Guvernatori.

Si autoriteti monetar në vend, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare stimuluese, e cila ka nxitur rritjen ekonomike, ka kontribuuar në zgjerimin e kërkesës agregate dhe ka ndihmuar në qëndrueshmërinë e monedhës vendase. Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se politika monetare lehtësuese ka kontribuuar pozitivisht, mesatarisht me 0.5 pikë përqindje, në rritjen ekonomike të dy viteve të fundit.

Përsa i përket inflacionit, Guvernatori theksoi se ai është ndikuar nga mbiçmimi i kursit të këmbimit, si faktor frenues, dhe nga rritja e presioneve të brendshme inflacioniste, nga efekti i të cilave inflacioni rezultoi me një normë vjetore prej 2%. Më tej, ai prezantoi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2018 për zbutjen e ritmit të mbiçmimit të kursit të këmbimit, i cili vinte në rrezik përmbushjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm.  

Si autoriteti mbikëqyrës e ruajtës i stabilitetit financiar, Guvernatori vlerësoi se veprimtaria e sektorit bankar gjatë vitit 2018 u paraqit e qëndrueshme dhe me tregues të mirë të performancës e të rezistencës financiare. “Rezultati financiar i sistemit ishte pozitiv: norma e kthimit nga aktivet (RoA) rezultoi në nivelin 1.3% dhe norma e kthimit nga kapitali (RoE) arriti në nivelin 13%. Nivelet e kapitalizimit dhe të likuiditetit rezultuan mbi kërkesat rregullatore përkatëse. Rreziku i kredisë vijon të përfaqësojë rrezikun kryesor të aktivitetit të sektorit bankar, por cilësia e kredisë është rritur në krahasim me një vit më parë. Në fund të vitit 2018, raporti i kredive me probleme shënoi 11.1%, nga 13.2% një vit më parë, ndërkohë që teprica e kredive me probleme u zvogëlua me 20%.” - u shpreh Guvernatori.

Më tej, ai u ndal në ristrukturimin e sektorit bankar, si pasojë e të cilit sektori bankar e ka reduktuar numrin e bankave nga 16 në 14, gjatë vitit 2018.  Banka e Shqipërisë vlerëson se konsolidimi i sistemit bankar është një zhvillim i mirëpritur, i cili do të sjellë një gjallërim të aktivitetit bankar, do të rrisë eficiencën bankare dhe do të mbështesë politika zhvilluese dhe modernizuese kreditimi e pagesash.

Si Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë vijoi punën për plotësimin e kuadrit rregullator dhe procedural për planifikimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, themeloi Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe përgatiti procedurën për monitorimin e administrimit të tij, duke thelluar marrëdhëniet e bashkëpunimit më Agjencinë e Sigurimit të Depozitave.

Përtej këtyre fushave kryesore, Banka e Shqipërisë ka punuar intensivisht për përvetësimin e standardeve dhe praktikave më të mira të bankingut qendror, me një progres të dukshëm në përmirësimin e statistikave, punës kërkimore, plotësimit të kritereve të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, forcimit të qeverisjes së institucionit etj.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori garantoi se Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbetet një institucion i përkushtuar në respektimin e objektivave të tij ligjorë.

Në emër të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputetja Evis Kushi relatoi mbi veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2018, duke vlerësuar, në përgjithësi, pozitivisht punën e saj për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit, si dhe përmirësimin e qeverisjes së brendshme dhe përmbushjen e objektivave institucionalë sipas rezolutës së vitit të kaluar të Kuvendit. Në përfundim, ajo theksoi dhe sfidat me të cilat përballet Banka e Shqipërisë, duke vënë në dukje dhe rekomandimet e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për përmirësimin e aktivitetit të Bankës së Shqipërisë dhe rritjen e kontributit të mëtejshëm të saj në mbështetje të ekonomisë së vendit.

Në fund të seancës, Guvernatori iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga deputetët e KEF-it për çështje të veçanta lidhur me veprimtarinë e bankës qendrore dhe të sistemit bankar.