BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori prezanton Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Data e publikimit: 20.04.2021

 

Sot, më 20 prill 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, nëpërmjet një komunikimi online, prezantoi përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF), Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020.

Raportimi në Kuvendin e Shqipërisë është detyrim ligjor, nëpërmjet të cilit përmbushet procesi llogaridhënës dhe i transparencës së institucionit për punën dhe rezultatet gjatë harkut kohor të një viti. Ai gjithashtu i njeh ligjvënësit me objektivat kryesorë që do të realizohen nga institucioni me qëllim garantimin e stabilitetit monetar e financiar të vendit në periudhën në vijim.

DSC 7111

Në fillim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të ecurisë ekonomike të vendit për vitin 2020, duke theksuar se viti që lamë pas ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare, i shënjuar nga efekti negativ i pandemisë COVID-19.

Guvernatori theksoi se pandemia COVID-19 është sfida më serioze ekonomike me të cilën jemi përballur gjatë dy dekadave të fundit. Duke u ndalur në ecurinë ekonomike të vendit për vitin 2020, Guvernatori Sejko u shpreh se vëllimi i aktivitetit ekonomik u tkurr me 3.3%. Rënia ekonomike pasqyroi kontraktimin e njëkohshëm të thuajse të gjithë përbërësve të kërkesës agregate dhe të të gjithë sektorëve të ekonomisë, por kriza goditi në mënyrë më të veçantë konsumin privat dhe flukset tregtare, ku rënie shënoi si eksporti i mallrave ashtu edhe ai i shërbimeve. Nga ana tjetër, konsumi dhe investimet publike erdhën në rritje, duke kompensuar pjesërisht rënien e kërkesës private.

DSC 7125

Në këto rrethana, ndërhyrja e autoriteteve publike me masa të jashtëzakonshme stimuluese ishte e domosdoshme, jo vetëm për të lehtësuar efektet negative imediate të krizës, por edhe për të kufizuar ndikimin afatgjatë të saj në ekonomi.

Guvernatori u shpreh se në koordinim me stimulin fiskal, Banka e Shqipërisë vuri në jetë një paketë të plotë masash monetare, makroprudenciale dhe operacionale, të cilat synuan ruajtjen e likuiditetit në tregjet financiare, uljen e kostove të huamarrjes, vijimin e kreditimit dhe ruajtjen e një fluksi të pandërprerë të shërbimeve financiare. Për rrjedhojë, ndikimi i krizës në ekonomi rezultoi më i vogël nga sa pritej, duke dëshmuar si efektin pozitiv të masave të marra nga autoritetet publike ashtu dhe fleksibilitetin dhe rezistencën e ekonomisë dhe të sistemit tonë financiar.

DSC 7181

Duke u ndalur më konkretisht në masat e marra nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të situatës së krijuar, Guvernatori përmendi: uljen e normës bazë të interesit në minimumin historik prej 0.5%; shtimin e injektimeve të likuiditetit; lehtësimin rregullator të përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimin e pagesave të dividentit në sektorin bankar; heqjen e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave; si dhe angazhimin në një komunikim frekuent dhe transparent me publikun, mbi masat e marra, efektin e tyre dhe pritjet për të ardhmen.

DSC 7317

Guvernatori Sejko shtoi se masat e marra kanë qenë efektive, duke mbështetur ekonominë në disa drejtime. Në tërësi, Banka e Shqipërisë vlerëson se politika jonë stimuluese monetare ka prodhuar një efekt pozitiv prej 3.7 pikë përqindjeje në vëllimin e aktivitetit ekonomik gjatë viteve të fundit, duke dhënë një kontribut të prekshëm në punësim dhe në mirëqenie për familjet shqiptare. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë parashikon se ekonomia shqiptare do të shënojë një kthesë drejt rimëkëmbjes gjatë vitit 2021, me reduktimin gradual të ndikimit negativ të pandemisë. Rritja ekonomike do të ndihmojë në shtimin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv, brenda vitit 2022.

DSC 7277

Më tej, lidhur me sektorin bankar në vend, Guvernatori theksoi se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit e të shëndetit financiar. Ai nënvizoi se ky sektor ka ndihmuar në zbutjen e pasojave të goditjes së pandemisë, duke marrë përsipër një pjesë të barrës financiare të saj, si dhe duke ruajtur në të njëjtën kohë të gjithë treguesit në parametra të shëndetshëm.

DSC 7192

Normat e ulëta të interesit dhe likuiditeti i bollshëm u shoqëruan me një rritje mesatare prej 6.7% të portofolit të kredisë gjatë vitit 2020, duke mbështetur vijimin e investimeve dhe nevojat në rritje të ekonomisë për kapital qarkullues. Aktivet e sektorit bankar u rritën me rreth 7%, si dhe raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në fund të muajit dhjetor, një nivel ky pranë minimumeve historike të dekadës së fundit.

DSC 7162

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori renditi shkurtimisht disa nga drejtimet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë për forcimin e mbikëqyrjes bankare dhe për mbështetjen e stabilitetit financiar si: zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës (KiE) për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL); përafrimin rregullator e metodologjik dhe rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse, nëpërmjet miratimit të akteve të reja rregullatore dhe rishikimit të rregulloreve në fuqi, duke e përafruar më tej këtë kuadër me acquis të BE-së, parimet e Komitetit të Bazelit dhe me praktikat më të mira të mbikëqyrjes bankare; monitorimin rigoroz të sistemit financiar nëpërmjet inspektimeve në vend; fuqizimin e aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme; zhvillimin dhe zbatimin e politikës makroprudenciale në funksion të stabilitetit financiar etj.

Funksionimi i ekonomisë dhe sistemit bankar gjatë vitit 2020 është mbështetur edhe nga një sistem eficient dhe i sigurt i pagesave. Gjatë vitit 2020, u bë rishikimi i kuadrit rregullator që lidhet me operimin e dy sistemeve të pagesave, AECH dhe AIPS. Sistemet janë vlerësuar nga ekspertët ndërkombëtarë kundrejt parimeve të Bankës për Rregullime Ndërkombëtare (BRN) dhe Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe kanë rezultuar të përputhshme me këto parime.

Po ashtu, në funksion të realizimit të objektivave të strategjisë, Banka e Shqipërisë ka nisur punën për transpozimin e Direktivës së BE-së “Për llogarinë e pagesës”, e cila pritet të rrisë transparencën në shërbimet e pagesave dhe përfshirjen financiare të popullsisë. Viti 2020 shënoi një rritje me 18.5% të përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike, trend i cili është ndikuar edhe nga masat e Bankës së Shqipërisë për uljen e kostove të transfertave elektronike në lekë.

Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë, si një nga institucionet e përfshira në Planin Kombëtar të Integrimit Evropian (PKIE), e veçanërisht në rolin e koordinatorit kombëtar për kapitujt 4 dhe 17, ka përmbushur të gjitha detyrimet për raportim, si dhe ka integruar rekomandimet e Komisionit Evropian në realizimin e detyrave të saj të përditshme.

Më tej, Guvernatori shtoi se Banka e Shqipërisë ka bërë progres edhe në fushat e tjera të veprimtarisë së saj, si në drejtim të përpilimit dhe shpërndarjes së statistikave financiare, të administrimit të rezervës valutore, të kërkimit shkencor dhe komunikimit me publikun, të administrimit të monedhës kombëtare etj.

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare shfaqi një rezistencë të admirueshme ndaj goditjes gjatë vitit të shkuar dhe ka premisa pozitive zhvillimi edhe në të ardhmen e afërt e të largët. Megjithatë, rreziqet e kahut të poshtëm mbeten të shumta dhe mjedisi ekonomik dhe financiar mbetet sfidues. Guvernatori siguroi se, nëpërmjet ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar, Banka e Shqipërisë mbetet e përkushtuar për të dhënë kontributin e saj në këtë drejtim.

Në fund, Guvernatori iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF).