BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Informacion sqarues mbi lajmin e dhënë nga Televizioni Top - Channel me titull: Bonot e thesarit, s'paguhet interesi i plotë për qytetarët

Data e publikimit: 20.01.2006

 
  • Pse nuk arritën individet të investonin të gjithë shumën e kërkuar në bonot e thesarit 3, 6 dhe 12-mujore?

Ministria e Financave, në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka vendosur të emetojë për individët në bonot e thesarit 3, 6 dhe 12-mujore shumat si më poshtë:

Bono thesari 3-mujore 40 milionë lekë
Bono thesari 6-mujore 168 milionë lekë
Bono thesari 12-mujore 1,079 miliardë lekë

Individët nga ana e tyre, nëpërmjet të gjithë sistemit bankar përfshi edhe Bankën e Shqipërisë, kanë vendosur të investojnë fondet e tyre të lira në bonot e thesarit 3, 6 dhe 12-mujore. Në rastin konkret kemi që individët kanë kërkuar të investojnë si më poshtë:

Bono thesari 3-mujore 232 milionë lekë
Bono thesari 6-mujore 490 milionë lekë
Bono thesari 12-mujore 1,533 miliardë lekë

Si rezultat i këtyre vendimeve, të marra nga Ministria e Financave dhe individët pavarësisht nga njëri-tjetri, kemi daljen e raporteve (përqindjeve) të mëposhtme:

Bono thesari 3-mujore 40 / 232 = 17,23%
Bono thesari 6-mujore 168 / 490 = 34,25%
Bono thesari 12-mujore 1,079 / 1,533 = 70,35%

Mbi bazën e raporteve të mësipërme është bërë edhe llogaritja për pjesën e investimit të individëve në tregun primar për bonot e thesarit 3, 6 dhe 12-mujore. Më konkretisht, për individët që kanë kërkuar të investojnë në bono thesari :

  • 3-mujore u është marrë vetëm 17,23%, e shumës së tyre;
  • 6-mujore u është marrë vetëm 34,25% e shumës së tyre;
  • 12-mujore u është marrë vetëm 70,35% e shumës së tyre.

 

  • Pse nuk na është thënë ky informacion që në momentin e bllokimit të shumës?

Siç tashmë të gjithë ju e dini, emetimi i bonove të thesarit bëhet nëpërmjet një ankandi të organizuar nga ana e Bankës së Shqipërisë. Para zhvillimit të këtij ankandi nuk është e mundur të dihet:

  1. shuma e pjesëmarrjes së individëve dhe bankave në këtë ankand;
  2. "yield"-et e kuotuara nga ana e bankave tregtare;

pasi të dyja këto elemente janë rastësore dhe ndikohen nga kushtet e tregut të momentit.

Ndodhur në këto kushte, ky informacion mësohet vetëm në datën e zhvillimit të ankandit e si rrjedhim, nuk është i vlefshëm në momentin e bllokimit të fondeve nga ana e individëve.