BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervista e Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni për revistën Monitor

Data e publikimit: 21.05.2018

 

  1. Edhe një herë, çfarë synohet me strategjinë e deeuroizimit dhe pse u prezantua pikërisht tani? A ka eksperienca të vendeve të tjera me strategji të ngjashme?

Shqipëria është një vend me nivel të lartë përdorimi të monedhave të huaja (euroizim).

Kjo është vërtetuar empirikisht nga disa studime të kryera nga autorë vendas (përfshirë dhe nga Banka e Shqipërisë) dhe të huaj, të cilët konfirmojnë preferencën e publikut për të mbajtur në monedhë të huaj një pjesë të konsiderueshme të aktiveve dhe të detyrimeve të tij. Kjo pasqyrohet drejtpërdrejt në aktivet dhe detyrimet e sektorit bankar, ku përkatësisht kredia në valutë (detyrimet e publikut) dhe depozitat në valutë (aktivet e publikut) janë në vlera relativisht të larta. Studimet evidentojnë gjithashtu praninë e euroizimit monetar dhe real, pra kur përkatësisht, monedha e huaj shërben si mjet pagese në transaksionet financiare ose kur çmimet për disa produkte/mallra (kryesisht ato të qëndrueshme dhe me vlera të mëdha) dhe pagat në sektorë apo shtresa të caktuara, paguhen në monedhë të huaj (euro) ose indeksohen me kursin e këmbimit të saj.

Niveli i lartë i përdorimit të monedhave të huaja në ekonomi, ka pasoja negative afatgjata për efektivitetin e politikave ekonomike dhe ekspozimin e ekonomisë ndaj rreziqeve. Më lejoni t’i rendis më në detaje:

Në drejtim të politikave makroekonomike, niveli i lartë i euroizimit:

  • ndikon në uljen e efektivitetit të politikës monetare;
  • kufizon rolin e kursit të lirë të këmbimit si një stabilizues automatik në rastin e goditjeve makroekonomike, në kushtet e ndjeshmërisë më të lartë të subjekteve ekonomike ndaj luhatjeve të mëdha të kursit të këmbimit;
  • cenon efektivitetin e politikës fiskale përmes rritjes së mundshme të kostos së shërbimit të borxhit dhe ndryshimit të padëshiruar të strukturës së tij;
  • shoqërohet zakonisht me kosto për bankën qendrore në formën e kostos oportune për mbajtjen e një niveli relativisht më të lartë të rezervave valutore, si edhe për humbjen e të ardhurave (senjorazh), që shoqërojnë zëvendësimin e monedhës vendase nga ajo e huaj.

Në drejtim të stabilitetit financiar, niveli i lartë i euroizimit:

  • rrit ekspozimin e sistemit financiar dhe të operatorëve ekonomikë, veçanërisht të atyre me pozicione të hapura valutore në bilanc, ndaj zhvillimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit;
  • shton rrezikun e kreditit dhe ndikon në aftësinë e sektorit bankar për të kryer ndërmjetësimin financiar dhe mbështetur rritjen ekonomike;
  • ekspozon sistemin financiar ndaj rreziqeve të likuiditetit në valutë, në kushtet kur instrumentet e bankës qendrore për mbështetjen e likuiditetit në valutë, janë objektivisht më të kufizuara.

Për këto arsye, procesi i deeuroizimit ka gjetur mbështetje edhe nga strukturat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane. Ky rast vlen jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për disa vende të tjera të rajonit tonë.

Ne vlerësojmë se koha është e përshtatshme për ta ndërmarrë këtë strategji.

Arsyet janë:

  • prania e stabilitetit ekonomik dhe atij financiar dëshmojnë për besimin e publikut në monedhën kombëtare dhe ndihmojnë në adoptimin më të lehtë dhe rritjen e efektivitetit të masave. Nëse këta faktorë qëndrueshmërie do të mungonin, atëherë mungesa e besimit të publikut do t’i bënte këto masa joefektive.
  • nevoja për të adresuar disa zhvillime në bilancet e sektorit bankar, siç janë rënia e kreditimit në valutë apo edhe niveli i lartë i depozitave në valutë. Këto kanë tendenca të ndikojnë njëri-tjetrin në mënyrë dinamike. Përmes këtyre masave, ne dëshirojmë të kontrollojmë ecurinë e depozitave në valutë, dhe të ruajmë nivele më të ulëta kreditimi në valutë, veçanërisht të atij ku subjektet huamarrëse janë të pambrojtura nga rreziku i kursit të këmbimit.

Strategjia ka një këndvështrim afatgjatë dhe synon rritjen e rezistencës së të gjithë ekonomisë.

Strategjia e nxitjes së përdorimit të monedhës kombëtare, trajton një dukuri strukturore të ekonomisë dhe sistemit financiar në vend. Pritshmëritë tona, mbështetur edhe në përvojën e vendeve të tjera, janë që efektet e strategjisë të zhvillohen gradualisht dhe të bëhen të dukshme në afat të gjatë. Efektet pritet të shfaqen veçanërisht në sektorin bankar. Një ndërgjegjësim më i mirë i bankave dhe i klientëve të tyre për rreziqet që shoqërojnë veprimtarinë e pajustifikuar në valutë, si dhe masat konkrete rregullative, pritet të shoqërohen me rritje të preferencës për përdorimin e monedhës kombëtare në të dy krahët e bilancit të sektorit bankar. Gjithashtu, synimi i strategjisë është të rrisë përdorimin e monedhës kombëtare në vendosjen e çmimeve dhe në tregtimin e aktiveve, si dhe të nxisë adoptimin e sjelljeve dhe përdorimin e instrumenteve që e zbusin këtë rrezik.

Duhet theksuar që efektiviteti i strategjisë, do të varet shumë nga harmonizimi i mirë i veprimeve mes autoriteteve publike. Ashtu siç parashikon edhe dokumenti i Memorandumit të nënshkruar në prill 2017 “Për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare”, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të ndërmarrin veprime konkrete dhe të monitorojnë zhvillimet në fushat e tyre të kompetencës.

  1. Çfarë instrumentesh konkrete do të aktivizohen në kuadër të saj nga Banka e Shqipërisë dhe për sa kohë? Cilat janë impaktet që këto masa pritet të kenë dhe në çfarë horizonti kohor shtrihen?

Në mbledhjen e datës 7 shkurt 2018, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi paketën e vendimeve/masave në kuadër të strategjisë ndërinstitucionale “Për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare”. Këto masa ishin konsultuar më parë me industrinë bankare.

Paketa përfshin dokumentin e Politikës “Mbi zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobanka që mbikëqyren e rregullohen nga Banka e Shqipërisë”, si dhe masat që aktivizohen gjatë këtij viti në zbatim të kësaj politike.

Dokumenti i Politikës përkufizon në parim format e kontributit të BSh-së në kuadrin e kësaj strategjie dhe mënyrën me të cilën do të vlerësohen rezultatet e këtij kontributi.

Masat synojnë ta bëjnë më pak të preferuar veprimtarinë në valutë të sektorit bankar, si dhe të forcojnë ndërgjegjësimin e kredikërkuesve për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Pa dashur të zgjatem shumë, portofoli i masave konsiston në rritjen e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë të sektorit bankar kundrejt uljes së saj për detyrimet në lek; rritjen e kërkesës minimale rregullative për aktivet likuide në valutë; dhe pajisjen paraprake të huamarrësve në valutë me një shembull konkret që tregon mënyrën e ndryshimit të këstit të kredisë, në rastin e ndryshimit të pafavorshëm të kursit të këmbimit. Këto ndryshime hyjnë në fuqi pas muajit qershor të këtij viti.

Në kuadër të paketës së deeuroizimit dhe për vlerësimin e ndikimit të masave të marra, Banka e Shqipërisë do të publikojë dy herë në vit një raport në të cilin monitorohet ecuria e disa treguesve financiarë që reflektojnë nivelet e euroizimit. Raporti i parë është publikuar menjëherë pas miratimit të masave, dhe i dyti parashikohet të publikohet në qershor 2018. Frekuenca e publikimit të raportit në të ardhmen do të jetë çdo gjashtë muaj.

Krahas bashkëpunimit të ngushtë me industrinë bankare, Banka e Shqipërisë ka përdorur disa kanale komunikimi për ta bërë të njohur këtë strategji tek publiku i gjerë. Miratimi i strategjisë u shoqërua me publikimin e saj në faqen tonë të internetit. Gjithashtu, objektivat e saj, masat e ndërmarra dhe horizonti kohor i realizimit të pritjeve tona janë bërë të njohura për publikun përmes konferencave për shtyp. Në përputhje me filozofinë tonë të dialogut, Banka e Shqipërisë është gjithmonë e hapur për të diskutuar në vazhdimësi mbi çështjet e mësipërme.

  1. Kohët e fundit ka pasur një nënçmim të fortë të euros dhe deeuroizimi mendohet të jetë një nga shkaktarët. Sa e vërtetë është kjo?

Për t’i dhënë përgjigje pyetjes suaj, duhet të dallojmë prirjen afatgjatë të kursit të këmbimit të Lekut, nga lëvizjet afatshkurtra të tij, si dhe të fokusohemi tek efekti i deeuroizimit në lëvizjen afatshkurtër të kursit të këmbimit.

Në afatin e gjatë, Leku shfaq një prirje mbiçmuese, më e dukshme që prej vitit 2015 e këtej. Në vlerësimin tonë, mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut reflekton zhvillime të qëndrueshme ekonomike që lidhen me:

  • përmirësime strukturore në ekonominë shqiptare, ku dallojnë zgjerimin e bazës së eksporteve dhe përmirësimet në sektorin e turizmit, të cilat kanë sjellë ngushtim të deficitit të llogarisë korrente përgjatë kohës. Gjithashtu, mënyra e financimit të këtij deficiti, me flukse të qëndrueshme kryesisht nga Investimet e Huaja Direkte, përforcon vlerësimin tonë për këto zhvillime pozitive;
  • rënien e preferencës së mbajtjes së aktiveve në valutë, për shkak të normave shumë të ulëta të kthimit të tyre për një kohë të gjatë. Është fakt, që prej gati 3 vjetësh, investimet në euro ofrojnë një normë kthimi/interesi negative ose (në rastin më të mirë) pranë zeros, duke rritur ndjeshëm kostot e administrimit të këtij portofoli nga subjektet ekonomike, duke përfshirë edhe bankat. Kjo ka të ngjarë të ketë ndikuar në uljen e preferencës së këtyre subjekteve për të vepruar në valutë.

Në këtë prirje afatgjatë mbiçmuese të Lekut, është e qartë që procesi i deeuroizimit nuk ka pasur ndikim, pasi Strategjia përkatëse dhe masat e para konkrete, janë miratuar në periudhën 2017 - fillimi i vitit 2018.

Por, muajt e fundit është vënë re një përshpejtim i mbiçmimit të lekut ndaj valutave kryesore. Për të kuptuar efektin që mund të kenë pasur masat e deeuroizimit në mbiçmimin e lekut, duhen dalluar:

       - ndikimet e mundshme që vijnë nga mënyra e konceptimit të masave;

       - ndikimet e mundshme që vijnë nga faktorë të tjerë, duke përfshirë ata psikologjikë.

a) Në vlerësimin tonë, ndikimet nga mënyra e konceptimit të masave të deeuroizimit, nuk ekzistojnë, aktualisht. Kjo sepse mënyra e konceptimit të masave është e tillë që, ndryshimet në pozicionin valutor dhe në strukturën e bilancit të bankave, për shkak të tyre, nuk priten në afat të shkurtër. Nëse ndryshimet në bilancin e bankave mungojnë, atëherë edhe prania e tyre në treg, posaçërisht për të akomoduar masat e marra, është e panevojshme.

Po jua ilustroj me një shembull. Rritja e kërkesës minimale rregullative për aktive likuide nuk ka nevojë për ndryshime të pozicionit në valutë të bankave, por vetëm për zhvendosje të investimeve në valutë nga aktivet e tjera drejt atyre likuide. Edhe kjo zhvendosje, mund të jetë e nevojshme vetëm në ndonjë bankë të veçantë, pasi në nivel sektori, niveli aktual i aktiveve likuide është dukshëm më i lartë se niveli i kërkuar nga masa përkatëse.

Rritja e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë, për periudhën nga qershori 2018 deri në qershor 2019, do të mbahet në lek (duke shfrytëzuar likuiditetin në lek që çlirohet nga ulja e normës së rezervës së detyrueshme në lek), duke mos krijuar nevojë për transaksione që do të ndryshonin pozicionet në valutë të bankave (vetëm për shkak të kësaj mase) edhe për një vit tjetër.

bNdikimet e mundshme psikologjike, është e vështirë të maten, dhe si të tilla janë të vështira të përjashtohen në mënyrë kategorike. Megjithatë, ndikimi i mundshëm psikologjik, zakonisht me natyrë afatshkurtër, do të duhej të shoqërohej me veprime konkrete të publikut për zhvendosjen e portofolit të kursimeve/investimeve nga valuta në lek. Në fakt, të paktën deri në T1-2018, këto zhvendosje nuk janë shfaqur. Kështu, sipas raportimeve të bankave, depozitat në valutë tregojnë rënie në fund të tremujorit të parë 2018, por kjo është ndikuar totalisht nga mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut (monedhë në të cilën ato raportohen). Sipas valutave origjinale (euro, usd etj.), depozitat në valutë pranë sektorit bankar janë rritur si në krahasim me fundin e vitit 2017, ashtu edhe me një vit me parë (Mars 2017). Edhe nëse krahasojmë ritmin e rritjes së depozitave në valutat origjinale në tremujorin e parë 2017 dhe në tremujorin e parë 2018, madhësia e rritjes së depozitave në Euro dhe në Usd, në valutat origjinale në T1-2018 ka qenë më e lartë se rritja në T1-2017. Pra, deri në fund të T1 të këtij viti, analiza e shifrave agregate nuk tregon zhvendosje të portofoleve nga valuta në drejtim të lekut. Pra, ndikim psikologjik nga prezantimi i masave të marra nuk ka.

Dua të përsëris se euroizimi është një dukuri strukturore në ekonominë shqiptare. Si e tillë, do të kërkojë kohë të gjatë që ndikimi mbi të, të jetë i dukshëm. Konkluzionet në disa media se masat e deeuroizimit po ndikojnë kursin e këmbimit, pra që ato po japin efekt dhe euroizimi po korrigjohet në afat kaq të shkurtër, janë të nxituara dhe jorealiste. Nëse masat do të jenë efektive, ato pritet të ndikojnë në rritjen e preferencës së agjentëve ekonomikë për mbajtjen dhe përdorimin e monedhës kombëtare. Këto masa pritet të fillojnë të japin rezultat në një afat kohor 3 – 5-vjeçar. Shtrirja e tyre në kohë përjashton ndikimet potenciale mbi kursin e këmbimit.

c) Më lejoni të shtoj, se Shqipëria nuk është i vetmi vend që po përballet me mbiçmimin e monedhës kombëtare. Shumë vende të tjera, në rajon por edhe më gjerë, duke përfshirë edhe ato që nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për (ose që nuk kanë probleme me) deeuroizimin, po përballen me këtë zhvillim. Mund t’ju them që në Mbledhjen e Pranverës së këtij viti me FMN-në, këtyre zhvillimeve iu dedikuan seksione të veçanta diskutimi.

d) Ne vlerësojmë, se arsyet për përshpejtimin e mbiçmimit të Lekut në afat të shkurtër, mund të lidhen me faktorë të tjerë. Pritjet për sezonin turistik janë shumë të mira. Kjo do të thotë që pritshmëritë për të ardhurat nga ky sektor të jenë më të larta, dhe potencialisht kjo mund të ketë sjellë më përpara në kohë, veprime të caktuara me valutat. Ky element, nëse provohet i tillë nga të dhënat e bilancit të pagesave, është i rëndësishëm pasi, ndonëse mund të sjellë volatilitet në afat të shkurtër, mund të ndikojë në zbutjen e sjelljeve të mëparshme sezonale dhe të kontribuojë në qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit në afat më të gjatë. Gjithashtu, nga informacionet në shtyp, publiku është njohur me vendimet e disa bankave për të konvertuar pjesë të kapitalit të tyre nga valuta në lek. Ndonëse ky është një veprim normal, plotësisht i mbështetur në kuadrin rregullator, që ka ndodhur edhe më parë, nuk përjashtohet mundësia që lajmi të ketë ndikuar në pritjet e agjentëve ekonomikë për ecurinë e kursit të këmbimit. Duhet të theksoj se efekti i këtyre veprimeve, të cilat janë të rralla, është tërësisht i përkohshëm. Për më tepër, bankat po tregojnë kujdesin e duhur që veprimet të shtrihen maksimalisht në kohë dhe të kryhen në momentet më të përshtatshme.

  1. Së fundmi, ky forcim është parë me shqetësim nga eksportuesit, të cilët edhe janë prononcuar për dëmet që u shkakton. Cilat janë impaktet në ekonomi të këtij forcimi?

Kursi i këmbimit luan një rol të rëndësishëm në ekonomitë e vogla dhe të hapura, si Shqipëria. Ndikimi i tij është disadimensional; ai ndikon konkurrueshmërinë e eksporteve, fuqinë blerëse të kredimarrësve në monedhë të huaj të pambrojtur ndaj kursit të këmbimit, dhe, gjithashtu ndikon inflacionin nëpërmjet shportës së mallrave të importuara, si dhe indirekt nëpërmjet ndikimit në rritjen ekonomike. Nëse forcimi i kursit të këmbimit është shprehje e përmirësimit të ekonomisë dhe e prospekteve të saj, ai shoqëron natyrshëm ekonominë.

Në çdo rast, si dhe për çdo tregues tjetër agregat financiar, luhatjet e kursit të këmbimit prodhojnë rezultate të kundërta, pra humbje apo fitime potenciale financiare, në segmente të ndryshme të ekonomisë. Ky është një realitet i pashmangshëm në një ekonomi me regjim të lirë të kursit të këmbimit. Për këtë arsye, ne i kemi tërhequr vazhdimisht vëmendjen agjentëve ekonomikë dhe financiarë për të qenë të kujdesshëm në ekspozimet e tyre ndaj kursit të këmbimit dhe për të përdorur instrumente financiare mbrojtëse. Nga ana tjetër, ndryshimet në kursin e këmbimit në terma realë nënkupton nevojën për axhustime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë për të eksploruar alternativa për të rritur produktivitetin dhe për t’u bërë më eficient në treg.

Sa i takon ndikimit të tij të mundshëm negativ mbi eksportet apo konkurrueshmërinë e produkteve tona në tregjet ndërkombëtare, të dhënat e disponueshme sugjerojnë se ky mbiçmim duhet parë më tepër si reflektim i rritjes së konkurrueshmërisë dhe eksporteve tona, sesa si pengesë e mundshme për to.

  1. Mendohet që ky trend të vazhdojë apo e shikoni si diçka afatshkurtër?

Kursi i këmbimit, ashtu si dhe çmimet e tjera të përcaktuara në tregjet financiare është shumë i vështirë për t’u parashikuar. Sjellja e tij përcaktohet nga një gamë e gjerë faktorësh që variojnë nga ata fondamentalë tek mënyra sesi komunikohet për kursin.

Siç e përmenda pak më parë, sjellja e kursit të këmbimit është produkt i kërkesës dhe ofertës së valutës në treg, që vihen në lëvizje nga transaksione tregtare dhe financiare, të cilat vlerësohen se janë të qëndrueshme. Volatiliteti afatshkurtër është diçka normale për tregjet valutore. Ai është i pranueshëm dhe i tolerueshëm për sa kohë mbetet afatshkurtër; ai tregon vetëm luhatje rreth trendit afatgjatë dhe përfaqëson tentativa të tregut për të zbuluar çmimin e ri ekuilibër.

Banka e Shqipërisë mbetet në monitorim të ecurisë së kursit të këmbimit, të faktorëve përcaktues të kësaj ecurie dhe të ndikimit të saj në ecurinë e çmimeve dhe në aftësinë tonë për përmbushjen e objektivit të inflacionit.

  1. Në disa qëndrime të BSh-së është vënë theksi tek shmangia e sjelljeve spekulative, përdorimi i instrumenteve mbrojtëse nga risku i kursit të këmbimit, etj. Mund të kemi një elaborim më të hollësishëm të tyre?

Në regjimin e lirë të kursit të këmbimit, të gjithë agjentët e ekonomisë reale, të cilët vendosin të angazhohen në transaksione valutore, janë normalisht të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Disa prej tyre, zgjedhin (me qëllim, duke përfshirë këtu sjelljet spekulative, ose nga mungesa e kulturës së mjaftueshme financiare) të mbajnë pozicione të hapura në valutë, të cilat mund të sjellin fitim ose humbje, në varësi të pozicionit që kanë në bilancin e tyre dhe të drejtimit të lëvizjes së kursit të këmbimit. Disa të tjerë, zgjedhin të mbajnë pozicione të mbyllura valutore.

Një mënyrë e thjeshtë për t’u mbrojtur nga rreziku i kursit është mbrojtja “natyrale”, duke përputhur flukset valutore në hyrje dhe në dalje, sipas ciklit të biznesit. Në praktikë, realizimi i mbrojtjes natyrale është i vështirë, duke pasur parasysh diferencat në kohë midis flukseve. Në këto raste dhe në të tjera, është e udhës që subjektet ta “blejnë” këtë mbrojtje nëpërmjet përdorimit të instrumenteve të caktuara financiare nga bankat ose institucione të tjera financiare jobankare. Nëpërmjet këtyre instrumenteve, subjektet shmangin pasigurinë për nivelin e kursit të këmbimit në të ardhmen dhe efektet e kursit të këmbimit në bilanc, duke bërë një planifikim më të mirë të veprimtarisë së tyre.

  1. Çfarë roli pritet të luajë më tej BSh-ja? A planifikohet ndërhyrje nëse do të ketë mbiçmim të mëtejshëm të lekut? Nëse po, cilat janë instrumentet që mund të përdoren?

Në përputhje me mandatin tonë ligjor, Banka e Shqipërisë fokusohet ekskluzivisht mbi arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, ndërkohë që regjimi i kursit të këmbimit ka qenë dhe mbetet një regjim i lirë. Kjo do të thotë se Banka e Shqipërisë nuk shënjestron një nivel të caktuar të kursit të këmbimit apo të luhatshmërisë së tij. Ajo nuk e përdor kursin e këmbimit si instrument të saj.

Si rregull, reagimi i politikës monetare ndaj luhatjeve në kursin e këmbimit merr në konsideratë një matricë kriteresh si shkaku i luhatjeve, kohëzgjatja e pritur e tyre, si dhe situatën e përgjithshme makroekonomike. Kështu, Banka e Shqipërisë nuk influencon, apo përpiqet të influencojë, ecurinë e kursit të këmbimit kur kjo lëvizje është në përputhje me fondamentet. Dhe, ashtu sikurse e përmenda më lart, volatiliteti afatshkurtër është diçka normale për tregjet valutore, për sa kohë mbetet i tillë.

Megjithatë, kursi i këmbimit është padyshim një faktor me rëndësi në përcaktimin e dinamikave të rritjes ekonomike dhe të inflacionit. Mbiçmimi i kursit të këmbimit ndikon stabilitetin e çmimeve drejtpërsëdrejti, nëpërmjet çmimeve të ulëta të importit, dhe tërthorazi, nëpërmjet efektit në kërkesën agregate dhe hendekun e prodhimit. Për këtë arsye, në formulimin e qëndrimit tonë të politikës monetare, ne marrim në konsideratë ndikimin e pritur të kursit të këmbimit, në atë nivel dhe për aq kohë sa ai ndikon përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit. Presionet frenuese në inflacion, të cilat kanë buruar edhe nga forcimi i lekut, kanë theksuar më tepër nevojën për një politikë monetare stimuluese në të ardhmen afatshkurtër. Vendimmarrja jonë ka qenë konsistente me arritjen e objektivit, duke ruajtur më gjatë në kohë kahun stimulues të politikës monetare.

Po e mbyll përgjigjen time për këtë pyetje komplekse, duke cituar pjesë nga njoftimi i fundit për shtyp dhënë pas vendimmarrjes për politikën monetare, ku thuhet: “Në rast se intensiteti dhe kohëzgjatja e faktorëve frenues për kthimin e inflacionit në objektiv do të rezultojë më e fortë se vlerësimet tona aktuale, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë, nëpërmjet instrumenteve konvencionale në dispozicion dhe në përputhje me regjimin e politikës monetare”.