BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko dhënë për Vizion Plus për edicionin e lajmeve, 26 nëntor 2015

Data e publikimit: 27.11.2015

 

Pyetje: Këtë muaj Banka e Shqipërisë bëri një tjetër lëvizje në politikën monetare të saj, duke ulur sërish në një minimum historik interesin e lekut. Nëse llogarisim dhe normën e inflacionit prej 2.1%, atëherë interesi për depozitat për herë të parë kap një vlerë negative. Ç'do të thotë kjo për qytetarët shqiptarë, të cilët kanë një depozitë, por edhe për borxhin publik të qeverisë shqiptare? Dhe sa e kombinuar mund të themi që është politika monetare me atë fiskale?

Guvernatori: Faleminderit. Sikurse e kemi deklaruar, në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë uli normën e interesit në nivelin 1.75%. Kjo ulje është në nivelin minimal historik, në linjë me politikën monetare stimuluese që Banka e Shqipërisë po ndjek prej kohësh dhe është ndikuar nga mjedisi ekonomik në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë. Banka e Shqipërisë ka ulur normën e interesit në funksion të qëllimit të saj kryesor: ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Por, njëkohësisht që ulja e kësaj norme interesi ka dhe si synim nxitjen e kreditimit dhe rritjen e ekonomisë.

vizion plus

E vërteta është që ky instrument i politikës monetare, ulja e normës bazë të interesit që synon uljen e kostos së fondeve në ekonomi, është një instrument i përdorur gjerësisht nga bankat qendrore. Fillimisht nga Rezerva Federale - Banka Qendrore Amerikane - dhe kjo politikë i ka dhënë efektet e saj. Edhe Banka Qendrore Evropiane i ka zbritur deri në nivel negativ normat e interesit. Të njëjtën gjë e ka bërë dhe Banka e Shqipërisë. Njësoj si bankat e tjera qendrore, ajo përpiqet të stimulojë kreditimin duke ulur koston e fondeve, pra koston e çmimit të kredisë.

Por, duhet thënë se nuk janë vetëm çmimi dhe norma e interesit ato që ndikojnë në kreditim, sepse në të kundërt do të kishte një lidhje korrelative të thjeshtë: sa më shumë të ulim normën e interesit, aq më shumë do të rritej dhe kredia. E kemi theksuar dhe më parë që, perceptimi i rrezikut është ai që ndikon tej mase institucionet financiare. Këtu kemi të bëjmë me ofertën dhe kërkesën. Ne si bankë qendrore përpiqemi të ndikojmë në kahun e ofertës, që ajo të jetë sa më atraktive për tregun dhe për klientët. Nga ana tjetër, vetë bankat shikojnë nivele të larta rreziku, ndërkohë që biznesi nga ana e tij ka disa frenime në iniciativat për investim.

Ne po punojmë njëkohësisht edhe me bankat, duke parë dhe mundësi të tjera përveç instrumentit të normës bazë të interesit. Në radhë të parë ne si Këshill Mbikëqyrës po marrim në analizë të gjithë elementët dhe faktorët e tjerë që mund të përdoren në të ardhmen për të stimuluar kreditimin, pasi rritja e kredisë me sa kemi parë nga shifrat nuk ka qenë në nivelet e pritura.

Nga kahu tjetër, sigurisht që depozitat preken nga ulja e normave të interesit dhe kjo bëhet pikërisht me të njëjtin qëllim që njerëzit, individët dhe bizneset, të kenë iniciativa investimi më të larta, të rritet konsumi dhe investimet. Një normë e ulët interesi depozitash bën që klientët e bankave dhe të institucioneve financiare të mëdha të shikojnë alternativa investimi të ndryshme nga mbajtja e depozitave në bankat e nivelit të dytë.

Sikurse thashë në fillim të intervistës, bankat e tjera qendrore kanë kaluar dhe më thellë në uljen e normës së interesit, ku sot Banka Qendrore Evropiane ka kaluar në interesa negativë.

Inflacioni në Shqipëri është më i ulët se sa ai që kemi parashikuar. Ne kemi parashikuar inflacionin këtë vit në nivelin 2%, ndërkohë që deri tani ai ka qenë në nivelin mesatar 1.8%, inflacion i matshëm. Nuk është se ne jemi shumë poshtë nivelit të pritur të inflacionit. Norma bazë e interesit që kemi aktualisht është vërtetë një normë e ulët, por mbetet më e lartë se normat e interesit të vendeve të tjera.

Në mënyrë të përmbledhur, do të thosha se banka qendrore e përdor normën e interesit si instrument kryesor për stimulimin e kreditimit, rritjes ekonomike dhe të mirëqenies, ndërsa nga krahu tjetër ajo ndikon në stimulimin e iniciativave të konsumit dhe të investimeve në ekonomi.

Pyetje: Ju thatë në fakt që jeni në biseda me bankat për të parë instrumente të tjera për të nxitur kreditimin, por është dhe një plan ndërinstitucional, ku Banka e Shqipërisë është një ndër institucionet kryesore, për pastrimin e kredive të humbura, por edhe për kredi që performojnë dobët. Deri në çfarë faze është ky plan veprimi? Dhe si mendoni, është më tepër një çështje vullneti apo çështje mundësish?

Guvernatori: Për të qenë realist me situatën ekonomike, nuk është vetëm çështje vullneti, por është dhe çështje mundësish. Bizneset, sidomos bizneset e mëdha shqiptare, kanë kaluar në një proces të vështirë i cili ka qenë i lidhur me situatën makroekonomike në Shqipëri dhe në rajon. Ne jemi në dijeni që bizneset kanë pasur detyrime nga ana e qeverisë, të cilat janë shlyer tashmë, por kanë qenë të pamjaftueshme për t'i dhënë frymëmarrje biznesit për të vazhduar me të njëjtin trend iniciativat e tyre investuese për projekte. Nga kahu tjetër, ekonomia ka pasur vështirësitë e saj në raport me importet dhe eksportet. Ka rënë niveli i eksporteve si pasojë e vështirësive ekonomike që kanë pasur vendet partnere kryesore eksportuese të Shqipërisë, si Greqia dhe Italia. Kjo ka ndikuar pa diskutim në nivelin prodhues të kompanive, si dhe në nivelin e investimeve të huaja direkte. Po marrim si shembull fasonët, të cilët i kanë riorientuar produktet e tyre drejt tregjeve të tjera: nga Greqia dhe Italia po kërkojnë tregje të reja si Gjermania apo vende të tjera, të cilat kanë thithur këto produkte.

Bizneset kanë pasur vështirësitë e tyre, të cilat kanë qenë edhe të mbartura. Paralelisht, kemi dhe një situatë më konservatore të ndjekur nga ana e bankave të nivelit të dytë, e cila vjen dhe si pasojë e politikave që kanë bankat mëma nga të cilat këto banka varen. Bankat e tyre mëma që operojnë në vende të Bashkimit Evropian, rregullohen dhe monitorohen nga Banka Qendrore Evropiane. Tani këto banka, në një situatë krize rajonale, nuk kanë më "agresivitetin" që kanë pasur dhe sigurisht që ky është një faktor që ndikon në politikat e tyre të kreditimit, pasi ato perceptojnë nivele më të larta të rrezikut jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon.

Pyetje: Si mendoni, sa ka në dorë pushteti gjyqësor, sipas sinjaleve që keni dhe bisedave që ju keni me bankat e nivelit të dytë?

Guvernatori: Në këtë kontekst, ne si Bankë e Shqipërisë së bashku me Qeverinë Shqiptare dhe me aktorët e tjerë, kemi hartuar një plan masash për menaxhimin e kredive me probleme. Kreditë me probleme në Shqipëri kanë pasur nivelin më të lartë në rajon, rreth 25%. Si pasojë e masave të këtij plani të koordinuar me qeverinë dhe me aktorët e tjerë, niveli i kredive me probleme ka rënë nga niveli 25 në nivelin 20%. Ky plan masash konsiston në masa ligjore, rregullative dhe administrative për të lehtësuar marrëdhënien e bankave me klientin dhe për të lehtësuar rikthimin e vlerës së kredive të dhëna në bankat e nivelit të dytë. Ky plan synon të ketë një ndarje të qartë të atyre bizneseve, të cilët kanë projeksione pozitive dhe mund të vazhdojnë biznesin e tyre me ato biznese të cilat nuk kanë projeksione pozitive dhe duhet të shkojnë drejt falimentit. Normalisht në këtë plan janë prekur disa ligje, si ligji për falimentin, ligji për barrën siguruese dhe ligje të tjera, të cilat synojnë të lehtësojnë marrëdhënien me gjyqësorin. Është shumë e rëndësishme që nga praktika ne të shohim në punën e bankave të nivelit të dytë, procesin e ekzekutimit të kolateraleve.

Procesi i ekzekutimit të kolateraleve është shumë i rëndësishëm. Sigurisht që ky proces është ligjërisht i kopsitur me ligjet respektive, por në një situatë kur kredia me probleme është në nivele problematike, sikurse e kemi theksuar mund të konsiderohet edhe çështje me interes kombëtar, pasi ndikon në rritjen e kreditimit dhe gjallërimin e ekonomisë. Në këto kushte, sigurisht që kjo çështje duhet të marrë më shumë vëmendje dhe duhet trajtuar si prioritare.

Për ta shpjeguar me fjalë më të thjeshta, mosekzekutimi i kolateraleve në kohë nga bankat bën që ato të mos rimarrin likuiditetin e nevojshëm për të rikuperuar situatën e tyre financiare. Kjo sigurisht që ndikon në gjendjen financiare të bankave, por ndikon kryesisht në optimizmin e tyre për të vazhduar kreditimin. Pikërisht për këtë arsye dhe ne synojmë qe të korrigjojmë këta elementë, në mënyrë që bankat t'i rikthehen kreditimit, pra t'i rikthehen normalitetit dhe të rikthehet optimizmi në kreditim.

Pavarësisht nga ky plan masash, është e rëndësishme të theksohet, se në rast se nuk do të vazhdojë kreditimi, me gjithë masat e marra për uljen e nivelit të kredive me probleme, përqindja e tyre do të mbetet e lartë, pasi në fund të fundit kredia me probleme është një raport ndaj totalit të kredisë.

Synimi i planit të masave është nxitja e kreditimit për të gjallëruar ekonominë, por duhet thënë që bizneset kanë vështirësitë e tyre. Ne synojmë të rrisim optimizmin dhe iniciativat për investime dhe nivelin e konsumit. Pritshmëritë tona për të ardhmen janë që do të rritet niveli i konsumit dhe ai i investimeve. Por kjo do të vijë paralelisht: me reformat strukturore që do të merren nga ana e qeverisë, me reformat financiare të Bankës së Shqipërisë dhe nga zhvillimi makroekonomik që do të kenë vendet partnere të Shqipërisë.

Pyetje: Këto ditë në parlament është duke u diskutuar buxheti i ri për vitin 2016 dhe paketa fiskale. Sa mendon Banka e Shqipërisë që nxit ekonominë buxheti i ri dhe paketa fiskale për vitin e ardhshëm? Dhe një parashikim dhe pritshmëri që ka vetë Banka e Shqipërisë për ekonominë, sa do të rritet për 2016?

Guvernatori: Po e filloj nga fundi. Lidhur me rritjen ekonomike sikurse e theksuam në konferencën e fundit për shtyp, Banka e Shqipërisë ka bërë një korrektim të parashikimit për rritjen ekonomike nga niveli 3% në nivelin midis 2.5 dhe 2.7% për këtë vit, ndërsa për vitin e ardhshëm projeksionet janë midis nivelit 3 dhe 3.4%. Parashikimet me kohë bëhen më precize, por gjithsesi ky është parashikimi ynë. Korrektimet janë bërë për bërë për shkak të elementëve të cilët ne i kemi shpjeguar.

Rritja ekonomike nuk ka qenë në nivelet e pritshme, por nga ana tjetër ne kemi vazhduar të kemi një rritje ekonomike. Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në recesion. I rëndësishëm është trendi i rritjes ekonomike. Ne po presim të dhënat për mbylljen e fundit të vitit. Në rast se ne do të arrijmë parashikimin, pra rritjen ekonomike të parashikuar së fundmi prej 2.5%, dhe nëse vitin tjetër do të kemi një rritje ekonomike mbi 3%, në mënyrë prudente unë do ta vlerësoja pozitivisht pasi ecuria dhe trendi do të vazhdonin në kahun pozitiv. Këto janë parashikime dhe mbeten për t'u parë.

Lidhur me buxhetin, ne si Bankë e Shqipërisë jemi gjithmonë të interesuar mbi parametrat kryesorë bazë. E rëndësishme është që të ulet deficiti buxhetor, pra të mbahet nën kontroll dhe të monitorohet deficiti buxhetor nëpërmjet një politike fiskale konsoliduese. Ne kemi koordinuar dhe harmonizuar politikën tonë monetare me atë fiskale konsoliduese, gjithmonë në drejtim të uljes së deficitit buxhetor.

Marrja së fundmi e eurobondit është një element tjetër, i cili ndikon në atë çka thashë më parë, në krijimin e fondeve të lira për stimulimin e ekonomisë. Pra marrja e borxhit të jashtëm ka ndikuar në lënien e likuiditeteve të lira në funksion të bizneseve dhe të ekonomisë shqiptare për kredi nga ana e bankave të nivelit të dytë.

Ky buxhet, mesa kemi parë, synon vazhdimin e një politike fiskale konsoliduese. Kjo përputhet dhe me këshillimin që ne i kemi bërë për uljen e deficitit buxhetor dhe për vazhdimin e politikës fiskale konsoliduese.

Lidhur me paketën fiskale, Ministria e Financave dhe Qeveria kanë bërë analizat e tyre. Sikurse e thashë, ne si Bankë Qendrore kemi synimin dhe objektivin tonë për të ruajtur parametrat makroekonomikë. Sigurisht që taksat dhe paketa fiskale e diskutuar nga qeveria janë në përputhje me politikat që ndiqen dhe në funksion të reformave strukturore, por edhe në funksion të politikave të qeverisë shqiptare. Sigurisht që ekspertiza dhe analiza e caktuar bëhet në Ministrinë e Financave. Ne si Bankë Qendrore kemi dhënë këshillimet dhe opinionet tona lidhur me buxhetin, gjithmonë në funksion të ruajtjes së parametrave kryesorë makroekonomikë, në funksion të vazhdimit të një politike fiskale konsoliduese dhe të uljes së nivelit të deficitit buxhetor. Ky është dhe synimi ynë. Dhe për sa kohë që ne shohim që këta parametra mbahen në kontroll, ecin në drejtimin e duhur dhe nuk shkelen, atëherë është në varësi të qeverisë të vendosë se çfarë politike fiskale dhe çfarë politike taksash do të ndjekë, sipas shtresave të ndryshme. Kjo është një e drejtë e qeverisë shqiptare.