BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko dhënë për gazetën Shqip

Data e publikimit: 14.12.2015

 
  • Në fillim të nëntorit, qeveria rinovoi Eurobondin me një shumë prej 450 milionë eurosh. A është konsultuar qeveria me Bankën e Shqipërisë mbi mënyrën si t'i shpenzojë këto para?
Qeveria dhe Banka e Shqipërisë janë në proces të vazhdueshëm komunikimi për çështjet që kanë të bëjnë me financimin e deficitit dhe ecurinë e tregjeve të brendshme financiare. Natyrisht që pjesë e këtij komunikimi ka qenë edhe rifinancimi i Eurobondit, nëpërmjet emetimit të një instrumenti me parametra të ngjashëm dhe me kosto më të ulët.

foto guvernatorit

Banka e Shqipërisë e ka shprehur edhe më parë opinionin e saj lidhur me këtë çështje, si në shkëmbimet dypalëshe të opinioneve me Ministrinë e Financave, ashtu edhe në komunikimet tona publike. Në mënyrë të përmbledhur, mund të them se emetimi i një Eurobondi të ri krijoi fondet e nevojshme për të paguar detyrimin ekzistues që kishte qeveria shqiptare, prej rreth 300 milionë eurosh, pa krijuar presion mbi normat e interesit, treguesit e likuiditetit apo kursin e këmbimit në tregjet e brendshme financiare. Nga ana tjetër, është e vërtetë që Eurobondi i ri u emetua në një shumë më të madhe se Eurobondi që maturohej. Diferenca prej rreth 150 milionë eurosh, në dijeninë tonë, po përdoret dhe do të përdoret për reduktimin e borxhit. Ky veprim ruan nivelet e parashikuara të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, dhe ndihmon në çlirimin e mëtejshëm të likuiditetit në tregjet e brendshme financiare.

  • Bashkë me kryeministrin Rama keni shpallur se keni një plan për uljen e nivelit të kredive me probleme në banka dhe rritjen e kreditimit të ekonomisë. Çfarë detyrash përmban ky plan për BSH?

Plani i masave për uljen e kredive të këqija në sistemin bankar përmban një sërë ndryshimesh ligjore dhe rregullatore të cilat nga njëra anë do të synojnë një efikasitet më të madh të sistemit gjyqësor në zbatimin ligjor të marrëdhënieve kontraktuale mes bankave dhe huamarrësve dhe nga ana tjetër do të mundësojnë rritjen e efektivitetit të sistemit bankar në trajtimin e portofolit të kredive me probleme.

Në mënyrë më të detajuar, në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, ne miratuam shtyrjen e afatit të masave prudenciale të marra më herët nga ana e Bankës së Shqipërisë në lidhje me stimulimin e kreditimit nëpërmjet vlerësimit të koeficienteve që përdoren për të matur rrezikun për rritjen e portofolit të kredisë dhe për vendosjet jashtë vendit. Ndryshime të tjera rregullatore kanë lidhje me terminologjinë e nxjerrjes jashtë bilancit të kredive të këqija si edhe ndryshimin e limitit të mbajtjes së kolateralit të marrë në pronësi nga bankat. Trajtimi i grupeve të mëdha që mbajnë pjesën kryesore të kredive me vonesë, përmirësimi i kuadrit rregullator në lidhje me kompanitë që blejnë portofol të keq si edhe përmirësimi i regjistrit të kredisë duke përfshirë në të fillimisht proceset e hapura gjyqësore nga ana e bankave dhe më vonë edhe të gjitha detyrimet e tjera që individët apo kompanitë mund të kenë, përbëjnë drejtimet e tjera të parashikuara ku do të ndërhyhet nga ana e Bankës së Shqipërisë. Masa e fundit por jo më pak e rëndësishme është edhe vendimi që duke filluar nga janari i vitit 2018, Banka e Shqipërisë do të kërkojë nga bankat dhe nga institucionet e tjera kredidhënëse që në procesin e shqyrtimit dhe miratimit të kredive, të bazohen vetëm në dokumentacionin financiar ligjor të aprovuar nga ana e organeve tatimore. Ky do të jetë edhe një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të mëtejshëm të biznesit.

  • A keni bërë një bilanc mbi pasojat e krizës greke tek bankat tona dhe në ekonomi?

Ajo që konsiderohet si "kriza greke" është shfaqur në vitin 2010 dhe ka pasur 2 kulme të saj, në vitin 2012 dhe në verën e vitit 2015. Kemi vlerësuar që në fillim, se ndikimi më i mundshëm mbi ekonominë shqiptare, do të ishte një kontaminim i mundshëm nëpërmjet:

- Marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve:

Efekti negativ i krizës në ekonominë greke në këtë rast, do të ishte në drejtim të rënies së eksporteve, të remitancave dhe të fluksit të investimeve të huaja. Nga ana tjetër, tkurrja e ekonomisë greke do të çonte në rënien e çmimit të mallrave të importuara dhe rënien e presioneve inflacioniste.

- Sektorit bankar, kryesisht përmes gjendjes financiare të bankave shqiptare me kapital grek:

Efekti negativ në këtë rast, do të ishte rënia e peshës së këtyre bankave në treg, si rezultat i veprimeve të nevojshme për ristrukturimin e veprimtarisë. Në varësi të mënyrës se si do të zhvillohej kriza, situata ekonomike dhe financiare e emigrantëve dhe pasiguria për qëndrueshmërinë e sistemit bankar në Greqi, mund të sillte lëkundje të besimit të publikut në bankat shqiptare me kapital grek. Një kanal i mundshëm transmetimi i stresit do të lidhej me ekspozimin që bankat shqiptare me kapital grek, do të kishin me grupet bankare zotëruese në Greqi. Situata do të ishte më e komplikuar nëse Greqia do të dilte nga Eurozona dhe do të adoptonte monedhën e vet kombëtare.

Në lidhje me kanalin e parë të ndikimit, kemi konstatuar se për shkak të peshës relativisht të ulët të eksporteve drejt Greqisë (vetëm rreth 1.4% të PBB-së), ndikimi ka qenë tërësisht i përballueshëm. Përmes axhustimeve të kostove të veprimtarisë, bizneset kanë qenë në gjendje të ruajnë tregjet. Në rast nevoje, ato kanë lëvizur drejt tregjeve të reja. Për shkak të sektorëve ku janë përqendruar investimet nga Greqia (kryesisht: telekomunikacion dhe banka) flukset e investimeve kanë qenë përgjithësisht të stabilizuara, dhe Greqia ka vijuar të jetë ndër partnerët kryesorë të ekonomisë shqiptare në drejtim të investimeve të huaja direkte. Në lidhje me remitancat, kriza greke ka nxituar mjaft familje emigrantësh që të kthehen përfundimisht në Shqipëri. Kjo ka bërë për shembull, që në vitin 2013, ne të vërejmë një rritje të remitancave. Në përgjithësi, remitancat kanë qenë të qëndrueshme gjatë kësaj periudhe dhe pritjet për rënie të tyre nuk janë vërtetuar. Përsa i takon ecurisë së kursit të këmbimit, Leku ka pasur disa presione nënçmuese në periudhën 2012-2013, por më pas ecuria e kursit të këmbimit ka qenë mjaft e qëndrueshme.

Ndërkohë në lidhje me kanalin e dytë të infektimit do të doja të sqaroja se kujdesi i treguar ka qenë i shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme gjatë gjithë periudhës që përmenda më sipër. Për rrjedhim, sot mund të përmend se falë përpjekjeve të vazhdueshme është mundësuar:

a. Rënie graduale e peshës së bankave shqiptare me kapital grek, e nxitur nga nevoja që këto banka të përqendroheshin në ristrukturimin e veprimtarisë së tyre, në drejtim të përmirësimit të strukturës së financimit, uljes së nivelit të kredive me probleme, uljes së kostove të veprimtarisë, përmirësimit të rezultatit financiar dhe të kapitalizimit;

b. Përmirësim i dukshëm i situatës së likuiditetit dhe i kapitalizimit përgjatë gjithë periudhës;

c. Shndërrimi i plotë i "degëve" të bankave greke në "filiale", duke sjellë rritjen e kontrollit ligjor të Bankës së Shqipërisë mbi këto institucione (në vijim të ndryshimeve të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" në fund të vitit 2011);

d. Uljen gati në "zero" të ekspozimit të tyre ndaj grupeve bankare zotëruese. Si rezultat, vendosja e kontrollit mbi lëvizjet e kapitalit si edhe mbyllja e bankave në Greqi në verën e këtij viti, nuk dëmtoi as në mënyrë periferike aftësinë e bankave shqiptare me kapital grek për të kryer operacionet e tyre financiare të përditshme në mënyrë normale.

Përfundimisht në lidhje me këtë pyetje dua të sqaroj se pavarësisht, efektit psikologjik tek klientët e bankave rreth zhvillimeve të krizës greke, në asnjë rast këto banka dhe i gjithë sektori bankar nuk pati probleme me likuiditetin e veprimtarisë, pra me aftësinë e tij për të shlyer në kohë të gjitha detyrimet ndaj klientëve. Gjatë gjithë periudhës, Banka e Shqipërisë ishte në komunikim dhe monitorim të afërt të situatës financiare dhe zhvillimeve në bankat shqiptare me kapital grek, si edhe në komunikim me autoritetet respektive në Greqi dhe në Eurozonë. Gjithashtu, është ruajtur një komunikim i afërt me autoritetet mbikëqyrëse dhe rregullatore të sistemit financiar në vend, për të konsoliduar kuadrin e veprimeve të përbashkëta për monitorimin e situatës.

Konstatojmë me kënaqësi, se vetë bankat shqiptare me kapital grek, sektori bankar në përgjithësi dhe autoritetet në vend vepruan në koordinim të mirë për të mundësuar ruajtjen e qëndrueshmërisë së bankave të veçanta dhe të sektorit bankar në përgjithësi, dhe përballimin me sukses të stresit financiar të atij momenti.
 

  • Si po ecën ekonomia ne tremujorin e fundit, sipas vëzhgimeve të BSH, a do të arrihet parashikimi i rritjes ekonomike?

Ka kaluar rreth një muaj nga analiza e fundit që i bëmë ekonomisë shqiptare, në fillim të muajit nëntor. Më lejoni të risjell në vëmendje të lexuesit se, duke u nisur nga analiza e të gjithë informacionit të disponuar mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare, qoftë ky informacion direkt apo indirekt, Banka e Shqipërisë bëri një rifreskim të parashikimeve të saj për rritjen e pritur ekonomike të vitit 2015. Parashikimet e reja për vitin 2015 flasin për një rritje ekonomike në intervalin 2.5-2.7%, çka përbën një rishikim të lehtë për poshtë të parashikimeve tona të mëparshme. Në bazë të informacionit të disponuar dhe të analizave të stafit profesionist të Bankës së Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës arriti në përfundimin se ky rishikim i detyrohet kryesisht goditjeve kalimtare të ofertës dhe se tendencat e zhvillimit afatmesëm dhe afatgjatë të vendit mbeten pozitive. Megjithatë, duke gjykuar mbi balancën e faktorëve që veprojnë në inflacion, si dhe për të adresuar dobësitë që ka shfaqur kanali i kredisë, Banka e Shqipërisë thelloi dozën e stimulit monetar në ekonomi, duke e zbritur normën bazë të interesit nën nivelin e ri historik prej 1.75%. Kjo lëvizje krijon stimuj më të mëdhenj monetarë për nxitjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve, duke kontribuar në nxitjen e rritjes ekonomike dhe në përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit.

Për t'iu rikthyer pyetjes suaj, treguesit e rinj ekonomikë dhe monetarë nuk kanë pasur devijime të mëdha nga pritjet tona, çka na bën optimistë për përmbushjen e parashikimeve që përmenda më sipër.

  • Si do të kontribuojë Banka e Shqipërisë në arritjen e synimit për rritjen e prodhimit kombëtar?

Banka e Shqipërisë ka një mandat direkt ligjor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Megjithatë, në përputhje me filozofinë tonë dhe praktikat moderne të bankave qendrore, stabiliteti i çmimeve nuk mund të shihet i veçuar apo pa lidhje me stabilitetin ekonomik. Ajo që dua të them, është se inflacioni mund të jetë nën kontroll vetëm nëse ekonomia është në ekuilibër, dhe në këtë prizëm nuk ka ndonjë konflikt afatgjatë midis stabilitetit të çmimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Përkundrazi, stabiliteti ekonomik është parakusht për stabilitetin e çmimeve.

E bëra këtë parashtrim për të thënë që politika jonë monetare, e cila në një kuptim të ngushtë synon kthimin e inflacionit në objektivin e synuar prej 3%, i shërben njëherazi edhe nxitjes së kërkesës agregate dhe rritjes ekonomike. Nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit, ne kemi ulur kostot e financimit të të gjithë ekonomisë. Ndërkohë, injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit synon funksionimin në parametra normalë të tregjeve financiare, të bizneseve dhe të ekonomive familjare. Komunikimi transparent i kahut të politikës monetare në të ardhmen është një informacion i dobishëm i cili orienton pritjet e agjentëve ekonomikë, redukton pasiguritë, dhe krijon stimujt e mëtejshëm për gjallërimin e konsumit dhe të investimeve. Të gjitha këto janë pjesë e arsenalit klasik të bankave qendrore dhe ne nuk do të hezitojmë t'i përdorim, madje edhe në doza më të mëdha nëse do të jetë e nevojshme.

Megjithatë, politika monetare sa thashë më sipër nuk është kontributi i vetëm i Bankës së Shqipërisë për nxitjen e aktivitetit ekonomik. Paralelisht me të, si mbikëqyrës dhe rregullator i sistemit bankar, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë edhe një sërë masash mbikëqyrëse e rregullatore, një pjesë e të cilave i shërbejnë direkt nxitjes së kreditimit apo përmirësimit të marrëdhënieve bankë-klient. Këtu mund të përmend masat për nxitjen e kreditimit nëpërmjet uljes së kërkesave për kapital dhe reduktimit të rrezikut të kreditit, masat për dekurajimin e daljes së valutës jashtë vendit, si dhe masave për lehtësimin e barrës financiare të bizneseve nëpërmjet stimulimit të procesit të ristrukturimit të kredive. Në të njëjtin kah - atë të stimulimit të kredisë dhe të aktivitetit ekonomik - kanë vepruar edhe masat tona për rritjen e transparencës së sistemit bankar, për përmirësimin e funksionimit të sistemit të pagesave, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e regjistrit të pagesave e kështu me radhë.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për respektimin e objektivit të saj të stabilitetit të çmimeve, si dhe në zbatim të detyrave të saj për mbështetjen e stabilitetit financiar të vendit. Të dyja këto aksione tonat mbështesin rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.