BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko dhënë për televizionin Klan

Data e publikimit: 22.07.2015

 

Marrëveshja Greqi - BE ul rrezikun e efekteve të krizës greke në Shqipëri 

Zoti Sejko, si paraqitet stabiliteti financiar në vend, duke marrë shkas nga zhvillimet më të fundit që po ndodhin në vendin fqinj, Greqi? I përmbaheni sërish vlerësimeve të mëparshme, sipas të cilave sistemi bankar nuk preket nga kriza greke dhe cilat janë vlerësimet tuaja më të fundit? 

Gent Sejko - Guvernator i Bankës së Shqipërisë: Ne u përmbahemi të njëjtave vlerësime lidhur me gjendjen e stabilitetit financiar në Republikën e Shqipërisë. Stabiliteti financiar në vend mbetet i shëndoshë, në gjendje të mirëkapitalizuar dhe me një tepricë likuiditeti të bankave të nivelit të dytë, pavarësisht nga situata në Greqi. Sikurse kemi theksuar edhe më parë, Shqipëria paraqitet me banka të cilat kanë tepricë likuiditeti. Në këtë situatë, sfida dhe qëllimi ynë, si Bankë Qendrore, në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave dhe me bankat e nivelit të dytë, ka konsistuar në drejtim të rritjes së kreditimit në ekonomi, për të influencuar rritjen ekonomike në Shqipëri. Në këtë kontekst, ne kemi konstatuar një situatë teprice likuiditeti, e cila është e kundërt me situatën në të cilën ndodhet sot Greqia, ku bankat qëndrojnë të mbyllura dhe kanë vendosur kufizime mbi kapitalin. Unë do të thosha që situata në Greqi ka ndikuar psikologjikisht, por jo ekonomikisht dhe financiarisht mbi bankat e nivelit të dytë. Ne, e kemi monitoruar dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën çdo ditë, dhe kemi vënë re një situatë tërësisht normale në sistemin tonë bankar, pavarësisht nga situata në Greqi. Ne shpresojmë se kjo do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Ajo çka unë do të theksoja dhe që e kemi ndjekur nga media, është lajmi pozitiv mbi arritjen e marrëveshjes midis kreditorëve dhe qeverisë së Greqisë. Kjo marrëveshje do t'i japë një frymëmarrje jo vetëm bankave dhe sistemit financiar në Greqi, por dhe të gjithë shtetit, popullsisë, politikës dhe të gjithë situatës ekonomiko - financiare dhe shoqërore në Greqi, pavarësisht masave shtrënguese të vendosura. Me sa kemi ndjekur, janë 85 miliardë euro ndihmë për Greqinë, nga të cilat 25 miliardë euro do të përdoren për rikapitalizimin e bankave. Dje parlamenti grek ka aprovuar këtë marrëveshje dhe nga momenti i miratimit në parlamentin grek dhe deri në momentin e miratimit në disa nga parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, BE ka vendosur të miratojë një hua ‘urë' prej 7 miliardë eurosh, në mënyrë që t'i japë një frymëmarrje, t'i japë një mbështetje kapitali bankave greke. Pra, vëmë re që kemi hapa pozitivë, kemi lëvizje pozitive. E rëndësishme është që marrëveshja mes Greqisë dhe kreditorëve u arrit. Kjo do të ketë padyshim zhvillime pozitive në krahasim me skenarin e "Grexit". 

intervista klan

Kur themi ka vetëm ndikim psikologjik, kemi pasur ndonjë rast që qytetarëve që të shfaqin frikë apo pasiguri në sistemin bankar? 

Ne jemi të vetëdijshëm që nga Republika e Shqipërisë drejt Greqisë, prej vitesh ka pasur një emigrim të konsiderueshëm. Shifra mund të mos jetë e saktë, por mbi 500 mijë shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Republikën e Greqisë dhe do të ishte naive të thoshim se nuk ka ndikim psikologjik. Patjetër që ka, pasi këta njerëz janë në kontakt të vazhdueshëm me familjet e tyre dhe ndikimi i situatës ekonomike të vështirë në Greqi, reflektohet në opinionin dhe psikologjinë e qytetarëve shqiptarë. Gjatë këtyre ditëve, ka pasur disa tërheqje në bankat shqiptare me kapital grek dhe transferim drejt bankave të tjera, por këto kanë qenë të papërfillshme në raport me situatën e likuiditetit dhe kapitalit që kanë këto banka. Me gjithë situatën e këtyre ditëve, këto banka vazhdojnë të kenë një gjendje të qëndrueshme dhe me tepricë likuiditeti. Pra, nuk ka pasur asnjë lloj kufizimi nga ana jonë mbi tërheqjet apo mbi lëvizjet e kapitalit. Ka pasur një mundësi dhe një hapësirë nga ana e bankave shqiptare me kapital grek për t'iu shërbyer dhe për të qenë korrekte me klientët. Por, e përsëris edhe një herë, arritja e marrëveshjes do ta qetësojë situatën e bankave mëma në Greqi dhe kjo do të reflektohet edhe në gjendjen e përgjithshme psikologjike në Shqipëri, si dhe në aktivitetin e bankave, që është pjesa më delikate dhe që ka lidhje me stabilitetin financiar. 

A mendohet se dhe arritja e marrëveshjes mund të përkthehet në rikthim të emigrantëve apo në ulje të remitancave? E keni thënë edhe në deklaratën tuaj më të fundit se, një nga rreziqet mund të jetë në drejtim të tregtisë apo në kthimin e emigrantëve apo në uljen e remitancave. Vazhdoni t'i qëndroni kësaj deklarate? 

Arritja e marrëveshjes është një hap pozitiv. Kjo është e padiskutueshme. Ne jemi tepër të kënaqur që është arritur një marrëveshje, në radhë të parë për situatën e përgjithshme në Greqi, situatën ekonomike dhe financiare atje si dhe për një lehtësim për vetë popullin grek. Premisat janë më pozitive dhe kthimet e emigrantëve parashikohet të jenë në nivele më të ulëta, nga sa do të ishin nëse nuk do të ishte arritur një marrëveshje. Nuk mund të parashikohet saktë nëse do të ketë kthime emigrantësh dhe sa do të jetë numri i tyre, nëse situata në Greqi do të përkeqësohet. Ajo që duhet theksuar është se kriza në Greqi ka filluar prej 5 vitesh. Gjatë këtyre viteve, një numër i konsiderueshëm emigrantësh janë kthyer nga Greqia. Natyrisht që mund të ketë një rënie të lehtë të remitancave dhe një kthim emigrantësh, por ekonomia shqiptare  është ballafaquar dhe i ka marrë goditjet nga kriza greke. Ne parashikojmë që arritja e marrëveshjes do të ketë një ndikim pozitiv si në drejtim të stabilitetit të çdo emigranti (pavarësisht nëse jeton në Greqi, në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër) ashtu dhe përsa i takon ecurisë së remitancave. Megjithatë, ne kemi marrë të gjitha masat që të jemi të përgatitur kundrejt rënies së remitancave.  

Përsa i përket ecurisë së remitancave, kemi ndonjë shifër për 6 muajt e parë të këtij viti? 

Nisur nga të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2015, e vërteta është se remitancat, në përgjithësi, janë rritur, nuk kanë rënë. Ka pasur një rënie të remitancave nga disa shtete, por në përgjithësi ato janë rritur. Po kështu dhe hyrjet kapitale kanë regjistruar rritje, kryesisht si pasojë e faktit që një pjesë e kapitalit dhe depozitave nga Greqia janë kthyer në Shqipëri. Gjendja e depozitave në sistemin bankar në Shqipëri, ka treguar rritje të remitancave edhe nga shtete tjera, si Anglia apo Gjermania. Pra, nëse do t'i referohemi një periudhe afatshkurtër, 3-mujore, remitancat në Shqipëri janë rritur dhe në këtë rast kriza greke nuk ka pasur asnjë ndikim. Por në një periudhë afatgjatë, duke marrë në konsideratë vetëm faktorin "Greqi", ne parashikojmë që mund të ketë një rënie të remitancave. Ky parashikim, mbështetet nga situata e vështirë ekonomike dhe financiare në shtetin grek, e cila do të reflektohet më pas edhe në një rritje të nivelit të papunësisë dhe sigurisht do të prekë edhe emigrantët shqiptarë, pasi papunësia reflektohet në këtë shtresë. 

INSTAT-i para disa ditësh publikoi të dhënat e fundit për tremujorin e parë të këtij viti, lidhur me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ku vlerësohej një rritje me 2.82%. Si e vlerësoni ju këtë shifër? 

Shifra e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 2.82% është në linjë me parashikimet tona. Parashikimi ynë për rritjen ekonomike në nivelin 3% për 2015-ën, i korrektuar së fundmi me misionin e FMN-së në nivelin 2.70%, përputhet plotësisht me këtë nivel rritjeje për tremujorin e parë. Kjo është një shifër pozitive, për  Prodhimin e Brendshëm Bruto, që tregon se ekonomia shqiptare është drejt rritjes dhe reformat strukturore të ndërmarra nga qeveria shqiptare, por dhe reformat financiare që ne si Bankë Qendrore kemi ndërmarrë, po japin rezultatet e tyre. Nëse i referohemi tendencave historike, fillimi i vitit është gjithmonë me një rritje më të ulët dhe gjysma e dytë e vitit ka një rritje më të lartë. Në rast se ne do të kishim të njëjtin trend historik, rritja ekonomike do të ishte mbi nivelin  2.82%, por referuar situatës së krizës në Greqi, ne do ta monitorojmë me kujdes dhe do të shohim sesi do të jetë ajo në tremujorët pasues. E rëndësishme është që kemi një fillim të mbarë të vitit në drejtim të rritjes ekonomike dhe një arritje të objektivave tona, si rezultat i reformave strukturore, të ndërmarra deri më tani. 

A tregon kjo shifër se deri në këto momente ekonomia jonë nuk është prekur nga kriza, por vazhdon të rritet sipas parashikimit? 

Kjo shifër tregon që ekonomia shqiptare është duke ecur në drejtimin e duhur dhe pavarësisht nga ndikimi i krizës greke, ne kemi regjistruar një rritje prej afro 2.82%. Nëse nuk do të kishim një ndikim nga kriza greke, rritja ekonomike do të kishte qenë më e lartë. Pra, me gjithë ndikimin e krizës greke, ekonomia jonë vijon të rritet me ritme pozitive. . 

Lidhur me ndryshimet e fundit rregullative të bëra nga Banka e Shqipërisë, me qëllim përmirësimin e kreditimit dhe mesazhit tek kredimarrësi, çfarë do të sjellin këto ndryshime? Si paraqitet kreditimi në ekonomi? 

Kredia në ekonomi ka pësuar një rritje edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Në kemi premtuar që në fillim të vitit, se do të rrisim transparencën dhe do të rishikojmë të gjitha kushtet dhe kriteret për mbrojtjen e interesave të konsumatorit. Rregullorja e re që kemi miratuar, ka pasur si synim pikërisht uljen e disa komisioneve dhe interesave të shërbimeve bankare. Ne kemi ulur komisionin e shlyerjes së parakohshme për kreditë konsumatore dhe ato hipotekare. Kjo është bërë në mënyrë që konsumatorët, pra kredimarrësit shqiptarë, të fitojnë nga normat e interesit dhe komisionet. Nga niveli 2% ne e kemi ulur komisionin e shlyerjes së parakohshme të kredive në 1%, dhe në harkun e një viti në nivelin 0.5%. Gjithashtu, kemi rishikuar edhe kritere të tjera. Kredimarrësit, mund të tërhiqen nga një marrëveshje kredie brenda një afati dyjavor në rast se është kredi konsumatore dhe brenda një afati njëjavor në rastin e një kredie hipotekare, pa pasur asnjë pasojë. Normalisht kemi rishikuar kriteret e marrëveshjes së kredisë midis bankës dhe konsumatorit në drejtim të favorizimit të individëve. I gjithë ky rishikim rregullator është bërë me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve kundrejt shërbimeve bankare. Sigurisht që ka një komision për mbylljen e parakohshme të kredive, pasi vetë banka kryen një punë dhe ne nuk mund ta zerojmë, por jemi përpjekur të jemi sa më të korrektë, sa më të drejtë në mbrojtjen e interesave të të dy palëve, por kryesisht të konsumatorëve shqiptarë.  

Gjithashtu, në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, kemi rishikuar edhe rregulloren e mjaftueshmërisë së kapitalit të bankave, në drejtim të dhënies të frymëmarrjes bankave të nivelit të dytë, për investimin në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare në valutë të huaj. Më konkretisht, kemi ndryshuar normën e ponderimit, nga 100% në 50%, për t'u dhënë mundësi bankave dhe qeverisë shqiptare, të marrin hua në valutë të huaj nga bankat e nivelit të dytë. 

Kronika e trasmetuar nga televizioni Klan