BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhënë radios Zëri Amerikës, "Banka e Shqipërisë është institucion i përgjegjshëm dhe i pavarur"

Data e publikimit: 27.09.2005

 

Zëri i Amerikës: Zoti Fullani, ju nënshkruat projektin me Bankën Botërore për administrimin e rezervave valutore. Çfarë do të përfitojë Shqipëria nga ky projekt?

Ardian Fullani: Ky program është pjesë e vizionit tim për Bankën Qendrore. Për këtë, dua sinqerisht të falenderoj Bankën Botërore, e cila na ndenji afër dhe me të cilën bashkëpunuam për rreth tetë muaj për të realizuar marrëveshjen që u nënshkrua sot (e premte). Kjo është shprehje e bashkëpunimit të ngushtë dypalësh, që ka qenë i shkëlqyer me Bankën Botërore. Ky bashkëpunim ka qenë i rëndësishëm jo vetëm për këtë marrëveshje, por edhe për projekte të tjera të përbashkëta, si projekti i kleringut të pagesave me vlerë të madhe dhe ai i pagesave me vlerë të vogël, i cili është përfunduar dhe do të jetë një bazë mjaft e mirë për pagesat e "utilities". Nëpërmjet bankave, dhe padyshim, nëpërmjet shtimit të kartave të kreditit ky sistem pagesash i jep një nxitje mjaft të madhe perfeksionimit të sistemit të pagesave, luftës kundër ekonomisë informale dhe njëkohësisht ndikon në uljen e nivelit të qarkullimit të "cash"-it në ekonomi. Marrëveshja me Bankën Botërore do të bëjë që Shqipëria në dy deri në tre vjet të përfitojë jo vetëm administrimin e asaj pjese që do të administrohet nën Bankën Botërore, por pas përfundimit të këtij projekti njëkohësisht do të jetë e aftë teknikisht dhe administrativisht të administrojë vetë nën parimet bashkëkohore rezervën e saj valutore.

Zëri i Amerikës: Deficiti buxhetor mbetet problematik për financat shqiptare. Qeveria para disa ditësh mori vendimin për të përgjysmuar taksat e biznesit të vogël. A është konsultuar Qeveria Shqiptare me institucionet ndërkombëtare dhe me institucionin tuaj për një vendim të tillë dhe si do të ndikojë ky vendim në deficitin buxhetor të Shqipërisë?

Ardian Fullani: Shqipëria është në programin e Fondit Monetar dhe ne jemi këtu (në Uashington) për të diskutuar, së bashku me Ministrin e Financave, të gjitha problemet që lidhen me politikën fiskale dhe me politikën monetare të Bankës së Shqipërisë. Natyrisht, iniciativa e re do të merret mjaft parasysh në programin e ri, për të cilin do të bashkëpunojmë me Fondin Monetar, dhe njëkohësisht do të bëhen të gjitha llogaritjet e mundshme për buxhetin e vitit tjetër. E rëndësishme është që Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë të rrisin më tej bashkëpunimin e tyre, me qëllim krijimin e një instrumenti ose të instrumenteve të reja për administrimin e borxhit të brendshëm. Qeveria ka një rrjet të gjerë konsultimi në lidhje me vendimet që merr, por përsëri të gjitha efektet (e pritshme) do të jenë objekt diskutimi këtu (me Bankën Botërore), në mënyrë që të kemi një përgatitje sa më të mirë për buxhetin e ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Fullani, shtypi shqiptar ditët e fundit ka botuar shkrime skeptike për nivelin e lartë të normave të interesit të bonove të thesarit. Si lidhet ky shqetësim me iniciativën tuaj për të liberalizuar tregun e bonove të thesarit për bankat e nivelit të dytë?

Ardian Fullani: Mesazhi që ne japim, dhe kjo u duk qartë në deklaratën e Bankës së Shqipërisë të disa ditëve më parë, është fakti që ne të gjithë duhet të kuptojmë që tashmë kemi një treg privat; atë treg për të cilin kemi shpresuar me kohë, tashmë e kemi. E kam thënë që në ditët e para të zgjedhjes sime si Guvernator se 2005-a dhe më tej do të jetë ndryshe nga 2004-a, sepse kemi një treg ndryshe. Tashmë kemi të privatizuar të paktën 60 për qind të një tregu shtetëror, siç ishte Banka e Kursimeve. Tashmë kemi një bankë me një sjellje private, e cila, mbi të gjitha, ka parimet e saj të konsolidimit dhe të arritjes së rezultateve sa më të mira financiare.

Zëri i Amerikës: A ka ndikuar në punën tuaj, si institucion i pavarur, ndryshimi i mazhorancës dhe i ministrave të sektorit të ekonomisë?

Ardian Fullani: Unë mendoj se Banka e Shqipërisë është një institucion i konsoliduar, i pavarur dhe i përgjegjshëm, dhe mbi të gjitha, vigjilent. E them vigjilent, për kujdesin që ne tregojmë për tregun. Në qoftë se ka rritje të "yield"-eve të bonove, kjo tregon që tregu po sillet siç duhet të sillet në mënyrë private. Në qoftë se ka "distortions", në qoftë se ka manipulime, në qoftë se ka shpërpjesëtime përsa i përket rolit monopol ose konkurrencës, këto janë probleme që ne duhet t'i shohim me mjaft kujdes dhe ne jemi duke i ndjekur ato. Banka Qendrore është me ligj një institucion i pavarur, i mirëorganizuar dhe me objektiv kryesor ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve. Ndryshimet janë parë gjithmonë në kuadrin e bashkëpunimit, koncept i cili është i imi dhe njëkohësisht i institucionit që unë përfaqësoj; koncepti i bashkëpunimit është një koncept mjaft i rëndësishëm dhe themelor për Bankën Qendrore, është një koncept modern. Duke qenë një institucion i pavarur, duhet të jesh njëkohësisht edhe një institucion i përgjegjshëm dhe bashkëpunues me Qeverinë, me Ministrinë e Financave, me Ministrinë e Ekonomisë dhe ministritë e tjera, në mënyrë që të arrish qëllimin kryesor, qëndrueshmërinë makroekonomike dhe financiare.