BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Konferenca e 4-t e Bankës së Shqipërisë "Ekonomia shqiptare: arritjet dhe sfidat e politikës ekonomie", Sarandë, 11 - 12 Shtator 2003

Data e publikimit: 12.09.2003

 

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të Konferencës "Ekonomia Shqiptare: Arritjet dhe Sfidat e Politikës Ekonomike", organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës, u analizua ecuria e sistemit të ekonomisë së tregut, bilancit të pagesave, ekonomiksit të trazicionit dhe politikes monetare.

Konferenca solli risi jo vetëm në mënyrën e organizimit të paneleve me tema të veçanta dhe të rëndësishme të zhvillimit tranzitor të ekonomive në rajon, por edhe në propozimet konkrete për autoritetet politikbërëse e vendimmarrëse, si edhe per komunitetin e biznesit.

E konceptuar si konferencë shkencore me pjesëmarrjen e personaliteteve nga jeta akademike, institucionale dhe e biznesit bankar, konferenca ballafaqoi ide mbi reduktimin e ekonomisë informale në Shqipëri, reduktimin e deficitit të bilancit të pagesave, rritjen e efikasitetit të sektorit publik në këtë fazë të tranzicionit ekonomik dhe rritjen e efektivitetit të politikës monetare në veçanti dhe politikave ekonomike në përgjithësi me synim stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Por, ky stabilitet sipas referuesve, nuk duhet të prekë zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë në përgjithësi.

Institucionet që mbështesin ndërtimin e një ekonomie të mirëfilltë tregu kanë nevojë ende të stabilizohen. Reforma institucionale në ekonomitë e trazicionit, siç është edhe ekonomia shqiptare, ka qenë më komplekse sesa pritej. Progresi jo shumë i madh i reformës institucionale duket se ka ndikuar për një zhvillim joadekuat në disa fusha të ekonomisë, siç u diskutua në konferencë.

Sipas disa referuesve, shkalla e ekonomisë informale në Shqipëri ka kapur nivele të tilla që është bërë pengesë për zhvillimin ekonomik dhe ka ndrydhur rolin e qeverisë nëpërmjet politikës së saj fiskale. Procesi i transformimit te ekonomisë informale drejt një ekonomie formale kërkon shtimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e sidomos zbatimin e një plani edhe me të besueshëm kundër evazionit fiskal.

Nga ana tjetër qëndrueshmëria e deficitit të llogarisë korrente u trajtua në Konferencë në gjetjen e mënyrës se si mund të rritet konkurueshmëria e produkteve shqiptare në funksion të zëvendësimit të importit dhe nxitjes së eksportit.

Konferenca vlerësoi procesin e integrimit por diskutoi nivelin e reformave ekonomike dhe institucionale dhe sfidat që i presin ato e në mënyrë të veçantë problemet me të drejtën e pronësisë, zhvillimin e sektorit privat si dhe të atij financiar.

Diskutimet për tregjet në zhvillim u paraqitën si angazhim kryesor për ekonominë shqiptare dhe ekonomitë e tjera në fazën e tranzicionit dhe theksuan domosdoshmërinë e konsolidimit të institucioneve. Kjo nuk do të thotë që politikat ekonomike e në mënyrë të veçantë politika monetare dhe zhvillimi i tregjeve financiare, nuk janë po aq të rëndësishme sa kjo fazë e trazicionit.

Pas arritjes së stabilitetit makroekonomik në Shqipëri, është përmirësuar klima për rritjen e eficensës dhe rolit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, shumë vende në tranzicion kanë hasur vështirësi në arritjen e stabilitetit makroekonomik.

Konferenca u nderua me pjesëmarrjen e z.Kemal Dervis, antar i Parlamentit turk, i cili në përshëndetjen e rastit vlerësoi rëndësinë që kanë specifikat jo vetëm ekonomike por dhe sociale të ekonomive në tranzicion në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike, sidomos nga institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Nga ana e tij, z.Hossein Samiei, Shef i Divizionit Financiar në Departamentin I-rë Evropian I FMN-së, theksoi se kohët e fundit Banka e Shqipërisë ka filluar të zbatojë një politikë më sistematike monetare bazuar në ndryshimet e normave të interesit në bazë të sinjaleve që merr nga zhvillimet e inflacionit dhe të ekonomisë reale.

Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore edhe për Shqipërinë, Franco Passacantando u fokusua në përmirësimin e klimës për aktivitetin privat në Shqipëri. Sipas tij biznesi dhe klima e investimeve janë çelësi për një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ulje të varfërisë. Sipas z.Passacantando për klimën për biznes janë të nevojshëm si stabiliteti makroekonomik ashtu edhe ai politik ndërsa duhen reduktuar burokracitë shtetërore që i shkaktojnë kosto aktivitetit privat dhe frenojnë investimet vendase dhe të huaja.

Gjatë punimeve të konferencës, ishin të pranishëm referuan dhe diskutuan përfaqësues të lartë të bankave qendrore të rajonit si nga Banka Qendrore e Turqisë, Banka qendrore e Greqisë, Banka Kombëtare e Kroacisë dhe Banka Kombëtare e Bosnje-Hercegovinës.

Më konkretisht konferenca arriti në disa konkluzione kryesore:

Se pari, filozofia dhe politika ekonomike duhet të shikojë nga bashkëpunimi mes qeverisë dhe tregjeve si plotësues të njëri-tjetrit, duke e bërë të qartë ndërkohë se tregjet janë thelbi i ekonomisë dhe kjo deri diku kufizon rolin e qeverisë.

Së dyti, shteti duhet të ketë një rol të rëndësishëm në krijimin dhe mbajtjen e rritjes ekonomike. Tashmë ka ardhur koha të kuptohet drejt roli i sektorit publik, në mënyrë të veçantë në periudhat e depresionit ekonomik.

Së treti, klima për biznes në Shqipëri ka nevojë për masa shtesë që do të promovonin eksportet dhe investimet e huaja direkte, të cilat janë kthyer në domosdoshmëri për mbajtjen e ekuilibrit të jashtëm dhe një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Se katërti, autoritetet dhe komuniteti i biznesit duhet të angazhohet për respektimin e rregullave të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme dhe zbatimit e rregullave ligjore. Biznesmenët duhet të rrisin transparencën e aktivitetit të tyre dhe duhet të drejtkuptojnë se partneriteti me autoritetet shtetërore është "çelësi" për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat po përballet ekonomia shqiptare.

Së pesti, Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë zhvillimin e kapaciteteve në analizat e zhvillimit ekonomik në funksion të mbajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar duke nxitur zhvillimin ekonomik.

Së gjashti, sistemi financiar, si "zemra" e ekonomisë së tregut kërkon një vëmendje të veçantë në funksion të vazhdimësisë së rritjes së mëtejshme të nivelit të kreditimit, aq i nevojshëm për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.