BANKA E SHQIPËRISË

Ekonomia në Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë - shpjegimi i strukturës dhe i të dhënave konkrete
Leksion i Guvernatorit Cani me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit Luigj Gurakuqi të Shkodrës

Data e publikimit: 09.04.2004

 

Sot paradite, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, zhvilloi një leksion me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës, me temë "Ekonomia në Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë - shpjegimi i strukturës dhe i të dhënave konkrete".

Guvernatori Cani e nisi leksionin e vet me një trajtim të përgjithshëm të përmbatjes së Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë, si një nga publikimet më të rëndësishme të saj, i cili nëpërmjet analizës dhe shifrave jep një vështrim të përgjithshëm mbi zhvillimin ekonomik të vendit, politikën monetare, tregun valutor, mbikëqyrjen bankare, operacionet monetare të Bankës së Shqipërisë, zhvillimin e sistemit të pagesave si dhe mbi të gjitha aktivetetet e tjera të Bankës së Shqipërisë në harkun kohor prej një viti.

Më tej, Guvernatori Cani vazhdoi me prezantimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2003, i cili u paraqit para disa ditësh në Parlament. Ai nënvizoi ndër të tjera ngjarjet më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare gjatë vitit të kaluar duke u ndalur në zhvillimet në sektorin real e ato monetare e fiskale, për të vazhduar me ecurinë e inflacionit dhe politikën monetare e atë të mbikëqyrjes të ndjekur nga Banka e Shqipërisë gjatë 2003. Një vend i veçantë iu kushtua edhe të rejave që viti i fundit solli në drejtim të zhvillimit të sistemit të pagesave, si dhe vështrimit perspektiv të Bankës së Shqipërisë për 2004.

Hollësi të mëtejshme mbi leksionin mund t'i lexoni duke klikuar në linkun e mëposhtëm.

"Ekonomia në Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë - shpjegimi i strukturës dhe i të dhënave konkrete" (ppt).