BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Leksion i hapur i Guvernatorit Sejko në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës

Data e publikimit: 29.03.2019

 

Në datë 29 mars 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko me ftesë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës mbajti një leksion të hapur për një audiencë të gjerë studentësh me temë “Roli i Bankës së Shqipërisë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit – stabiliteti financiar, një parakusht i domosdoshëm në zhvillimin ekonomik”.

DSC 5679 - Copy 498

Ky leksion u organizua në kuadër të Javës së Parasë 2019, përgjatë së cilës Banka e Shqipërisë organizon një sërë aktivitetesh me karakter edukativ për nxënës dhe studentë në të gjithë vendin.

Të pranishëm në këtë leksion ishin studentë të Fakultetit të Biznesit, stafi akademik i universitetit si dhe ekspertë të fushës ekonomike.

Gjatë leksionit, Guvernatori njohu studentët me mënyrën se si Banka e Shqipërisë, krahas objektivit të saj kryesor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve përmes ushtrimit të politikës monetare, i ka dhënë përparësi edhe objektivave që lidhen me stabilitetin financiar, përmes forcimit të procesit tradicional mbikëqyrës të veprimtarisë bankare dhe sipërmarrjes së një roli parësor në ushtrimin e politikës makroprudenciale.

DSC 5778 - Copy 498

Këto zhvillime kanë reflektuar bindjen se politika monetare dhe stabiliteti financiar ndërveprojnë mes tyre, ndaj ky ndërveprim duhet analizuar me kujdes për të rritur sinergjitë dhe pakësuar konfliktet e mundshme. Gjithashtu, ky zhvillim reflekton ndryshimet në standardet ndërkombëtare pas krizës financiare globale të vitit 2008 dhe nevojat e tregut të brendshëm financiar.

Masat e marra nga Banka e Shqipërisë në dekadën e fundit, në drejtim të forcimit të gjendjes së likuiditetit, kapitalit dhe cilësisë së aktiveve të sektorit bankar, kanë synuar parandalimin e rreziqeve sistemike dhe forcimin e rezistencës së sektorit bankar ndaj tyre. “Stabiliteti i sektorit bankar mbetet themelor për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. Paralelisht, janë përmirësuar edhe proceset e brendshme dhe ndërinstitucionale, që vendimmarrja finale e institucionit të reflektojë në mënyrë të përshtatshme këndvështrimet monetare dhe financiare. Me këto ndryshime, në zbatim të përgjegjësive ligjore, Banka e Shqipërisë i përgjigjet më mirë sfidave të kohës dhe vijon pandërprerë procesin e modernizimit të saj.” - u shpreh Guvernatori.

Leksioni u mbyll me një sesion pyetje-përgjigjesh ku Guvernatori iu përgjigj interesit të studentëve mbi çështje të bankingut qendror dhe me gjerë.  

DSC 5766 - Copy 498

Në përfundim, Guvernatori Sejko u uroi studentëve suksese në studimet e tyre, si dhe i siguroi ata se Banka e Shqipërisë është përherë e hapur për praktikat mësimore dhe punësimin e studentëve.