BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Marrëveshja për krijimin e një sistemi të pagesave të shpejta në vendet e Ballkanit Perëndimor

Data e publikimit: 10.01.2025

 

Sot, në ambientet e “Pallatit Koch” në Bankën e Italisë u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mbi nisjen e projektit për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në vendet e Ballkanit Perëndimor. 

9 498x332

Në këtë ceremoni morën pjesë Guvernatori i Bankës së Italisë, zoti Fabio Panetta,  dhe Zëvendësguvernatorja, zj Chiara Scotti, së bashku me Guvernatorët dhe Zëvendësguvernatorët e bankave qendrore të: Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë. 

7 498x332

Marrëveshja e bashkëpunimit parashikon që Banka e Italisë të ofrojë një sistem pagesash të shpejta të bazuar në një kopje të shërbimit TIPS, e cila është platforma evropiane për shlyerjen e pagesave në kohë reale, e projektuar, krijuar dhe administruar nga Banka e Italisë në emër të Eurosistemit. Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria, i janë bashkuar kësaj iniciative, e cila është miratuar nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane (BQE). (Maqedonia e Veriut ruan të drejtën për t’ju bashkuar kësaj iniciative në një datë të mëvonshme).   

1 498x332

Platforma e re, e cila do të jetë funksionale brenda 18 muajve nga nisja e punës – e planifikuar për javët e ardhshme – do të mundësojë kryerjen e pagesave në të gjitha monedhat e vendeve pjesëmarrëse. Menjëherë pas nisjes së fazës së zbatimit, do të zhvillohen dhe funksione të tjera. Gjithashtu, platforma do të krijojë një lidhje dypalëshe për shlyerjen e pagesave midis zonës gjeografike ku TIPS operon dhe zonës së Ballkanit Perëndimor, duke përdorur një zgjidhje teknologjikisht të përparuar dhe me kosto të ulëta.

2 332x498

Nënshkrimi i marrëveshjes është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me sistemin financiar të Bashkimit Evropian.

16 498x332