BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Data e publikimit: 20.07.2022

 

Më 19 korrik 2022 në Bruksel, u mbajt Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së, një moment historik i rrugëtimit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe një hap më afër në realizimin e aspiratës së popullit shqiptar për të qënë pjesë e familjes evropiane. 

Delegacioni shqiptar përbëhej nga 25 drejtues dhe zyrtarë të lartë, pjesë e Grupit Negociator, kryesuar nga kryeministri Sh.T.Z. Edi Rama, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme zj. Olta Xhaçka dhe Kryenegociatori z. Zef Mazi, në përputhje me strukturën institucionale të ngritur për negociatat e anëtarësimit. Pjesë e ketij delegacioni ishte edhe Banka e Shqipërisë, e cila u përfaqësua nga Zëvendësguvernatorja e Dyte zj. Natasha Ahmetaj, anëtare e Grupit Negociator.

KE 2

Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare sot në Bruksel shënohet një fazë e re e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, ajo e fillimit  të çeljes së negociatave të anëtarësimit.

Gjatë negociatave, fillimisht, i gjithë legjislacioni shqiptar, i ndarë sipas 35 kapitujve të acquis-së së Bashkimit Evropian, do të kalojë procesin e ashtëquajtur screening, për të vlerësuar saktësisht së sa i përafruar është me atë të Bashkimit Evropian.  

Presidentja e Komisionit Evropian zj. Ursula von der Leyen nënvizoi këtë moment historik në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama dhe Kryeminsitrin e Maqedonisë Veriut z. Dimitar Kovacevski si dhe Kryeministrin çek z. Petr Fiala, vend që mban Presidencën e rradhës së Bashkimit Evropian.  Ajo theksoi se qeveritë e Shqipërisë dhe  Maqedonisë së Veriut  kanë zbatuar reformat e nevojshme jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për të mirën e të dy popujve dhe për të rritur cilësinë e jetesës në këto vende. Ndërkohë Kryeministri  Rama theksoi se çelja e negociatave është vetëm “fundi i fillimit” të anëtarësimit në BE dhe “ne kemi nevojë të ndërtojmë një Shqipëri demokratike dhe evropiane”. Kryeministri çek z. Fiala, në cilësinë e Presidencës së rradhës së Këshillit të BE-së përshendeti këtë arritje si një “gur kilometrik” në rrugëtimin e anëtarësimit në BE. 

KE 1

Aktualisht, Banka e Shqipërisë kontribuon në një sërë kapituj, si pjesë e grupeve ndërinstitucionale të ngritura për secilin prej 35 kapitujve, si dhe Zëvendësguvernatorja e Dytë zj. Natasha Ahmetaj është zgjedhur në cilësinë e negociatores së Kapitullit 17 – Politikat Ekonomike dhe Monetare dhe atë të kryetares së grupit ndërinstitucional për kapitullin 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit. Kapitujt e tjerë në të cilët Banka e Shqipërisë ka një rol kryesor kontribuues janë Kapitulli 9 –Shërbimet Financiare, Kapitulli i Kriterit Ekonomik, Kapitulli 32 – Kontrolli Financiar dhe Kapitulli 18 – Statistikat. Krahas këtyre kapitujve, Banka e Shqipërisë kontribuon edhe në kapitujt 3, 20, 28 dhe 24.

Në përputhje me metodologjinë e re të zgjerimit, negociatat pritet të vijojnë me miratimin e kuadrit të negociatave përgatitur nga Komisioni Evropian dhe, më pas, hapjen e Grupit të parë të Kapitujve “Themeloret”, ku përfshihen çështjet e gjyqësorit dhe të drejtave themelore.