BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë, 17 Shtator 2009

Data e publikimit: 17.09.2009

 

Në datën 17 shtator 2009, Banka e Shqipërisë organizoi konferencën e 8-të ndërkombëtare me temë “Politika të stabilitetit monetar dhe financiar – Leksione nga kriza”, Tiranë, Shqipëri.

Punimet e kësaj konference janë përshëndetur edhe nga Kryeministri, z. Sali Berisha dhe Ministri i Financave, z. Ridvan Bode. Në këtë konferencë morën pjesë shumë guvernatorë, zëvendësguvernatorë, përfaqësues të lartë të bankave qendrore, emra të njohur të botës akademike ekonomike dhe financiare, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare, drejtues të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri si dhe shumë personalitete të tjera të vendit dhe të huaja.

Kjo konferencë zhvillohet në kushtet kur stabiliteti financiar qëndron në krye të axhendës së bankierëve qendrorë për të patur një sistem bankar e financiar të shëndoshë në kohë të vështira, i cili kontribuon fuqishëm në zhvillimin e qëndrueshëm makroekonomik të një vendi. Konferenca ka qenë e konceptuar me tre panele diskutimi. Në dy panelet e para të ftuarit nga bota akademike, bankare e financiare ndërkombëtare kanë trajtuar krizën me të gjitha elementet e saj përbërëse dhe mësimet e deritanishme si dhe ndikimin që ka patur ajo në ekonomitë e Evropës Juglindore.

Paneli i tretë ka mbledhur në një tryeze të përbashkët guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e bankave qendrore të Ballkanit, të cilët kanë diskutuar rreth qëndrimeve, masave dhe eksperiencave të tyre në situatën e krizës.

Në vijim të traditës së saj disavjeçare, në përfundim të konferencës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, shpalli edhe fituesit e konkursit “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë”, për vitin 2009.

Në faqen tonë të internetit www.bankofalbania.org do të gjeni të publikuar fjalën e hapjes si dhe konkluzionet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, të mbajtura në fund të kësaj konference.