BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi Programin e Vlerësimit të Sektorit Financiar të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 15.12.2005

 

Qëllimi i kësaj vizite është për të ndarë me ju gjetjet kryesore të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar, i cili u krye në fillim të 2005 nga një mision i përbashkët i Bankës Botërore dhe i FMN-së.

Çdo vend anëtar i FMN-së dhe i Bankës Botërore mund të kërkojë që vendi i tyre të marrë një program vlerësimi të sektorit financiar, i quajtur FSAP. Ky program vlerësimi sjell një skuadër ekspertësh të cilët vlerësojnë sektorin financiar të një vendi në thelb për të bërë një fotografi se çfarë po ndodh në sektorin financiar në një kohë të caktuar. Deri më tani më shumë se gjysma e 184 vendeve anëtare të FMN-së kanë marrë një FSAP dhe 30 vende të tjera janë në proces.

FSAP-i ka dy qëllime kryesore. Së pari për të parë nëse ka probleme që po lindin në horizont dhe që mund të çojnë në destabilitet financiar ose në vështirësi për të zbatuar politikat e duhura makroekonomike. Së dyti, për të parë se si një vend mund të përmirësojë funksionimin e sistemit të tij financiar për të mbështetur më mirë rritjen ekonomike, pra që të përmirësojë jetesën e qytetarëve të tij. Konkluzionet e FSAP-it bëhen publike me autorizimin e vendit, në një dokument që quhet Vlerësimi i Stabilitetit të Sistemit Financiar. Në rastin e Shqipërisë, ky dokument është publikuar në datën 9 Gusht 2005 dhe mund të gjendet në faqen e internetit të FMN-së (www.imf.org) si dhe në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë (www.bankofalbania.org).

Vlerësimi ynë i sektorit financiar shqiptar tregon se sektori financiar është i shëndetëshëm dhe në përgjithësi funksionon mirë. Që nga 1991, kur Shqipëria hyri në sistemin e ekonomisë së tregut, sektori financiar ka pasur një përmirësim të qëndrueshëm në mbledhjen e kursimeve të popullatës dhe të bizneseve dhe në vendosjen e këtyre parave në investime të ndryshme sasia e parave që qarkullon jashtë sistemit financiar është duke u zvogëluar gradualisht. Në shumë aspekte, sistemi financiar shqiptar dhe më se shumti bankat, duke qënë se ato janë institucionet në zemër të sistemit financiar, kanë bërë një progres të konsiderueshëm. Bankat janë duke ecur shumë mirë sidomos në mbledhjen e depozitave dhe në ofrimin e shërbimeve më të mira një klientele më të madhe, janë duke përmirësuar procedurat e tyre të vlerësimit të riskut lidhur me dhënien e kreditve. Megjithatë, kreditë janë ende një pjesë e vogël e biznesit të bankave dhe shumica e bankave janë ende duke investuar në bono thesari të qeverisë. Por kjo është e vërtetë dhe në shumë vende të tjera në këtë shkallë zhvillimi dhe do të ndryshojë me kalimin e kohës, kur mundësitë për kreditimin e ekonomisë shqiptare nga bankat private të bëhen gjithnjë e më të disponueshme. Në të njëjtën kohë, investitorë të tjerë të mundshëm si fondet e pensionit dhe qytetarët e zakonshëm do të shikojnë se ata mund të investojnë në bono thesari të qeverisë, çka do të zgjerojë bazën e zotëruesve të letrave me vlerë të qeverisë.

Megjithëse sektori financiar është duke funksionuar mirë, ka gjithnjë vend për të bërë përmirësime. Me një rritje ekonomike kaq të shpejtë dhe me nevoja akute për një infrastrukturë dhe kushte jetese më të mira, rritja e kredisë ka qenë shumë e shpejtë.

Prandaj do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme që stafi i mbikqyrjes së Bankës së Shqipërisë të sigurohet që huatë do t'i jepen vetëm atyre huamarrëve që do t'i paguajnë edhe në rast se situata e tyre ekonomike do të përkeqësohet disi qofshin këto kredi në lekë apo në euro. Prandaj FSAP-i rekomandon që bankat t'i njoftojnë formalisht kredimarrësit se nëse ata do të duhet të paguajnë kredinë dhe interesat në një monedhë të huaj, si psh euro, vlera e kësaj monedhe mund të ndryshojë në kohë duke e bërë më të shtrenjtë ripagimin. FSAP-i gjithashtu rekomandon që stafi i mbikqyrjes së Bankës së Shqipërisë të vazhdojë të monitorojë me kujdes përdorimin e valutës dhe praktikat e menaxhimit të riskut. Duke qëne se pasuritë e paluajtshme, si tokat dhe shtëpitë përdoren shpesh si kolateral për kreditë, FSAP-i rekomandon që bankat t'i kushtojnë më shumë rëndësi vlerësimit të pasurive të paluajtshme dhe që Banka e Shqipërisë të hartojë disa metoda statistikore për të matur më mirë çmimet e pasurive të paluajtshme. Për të siguruar që kredimarrësit nuk po i tejkalojnë mundësitë e tyre dhe që mbikqyrësit mund ta shikojnë këtë po qe se ndodh, FSAP-i rekomandon krijimin e një zyre për informacionin e kredive, ku të dhënat për kreditë mund të regjistrohen. Skuadra e FSAP-it mendon se Banka e Shqipërise është në pozicionin e duhur për të shërbyer si katalizatore në zhvillimin e një zyre informacioni pë kreditë. Gjithsesi bankat që ofrojnë informacionin duhet të bien dakord mbi llojin e informacionit që do të paraqitet dhe sesi ky informacion do të shpërndahet, në mënyrë që të sigurojnë që kredimarrësve që nuk janë në gjendje të paguajnë nuk do tu jepen kredi.

Lidhur me temën e zhvillimit të sektorit financiar që të përmirësohet performanca e rritjes ekonomike dhe për t'i dhënë akses të gjithë shqiptarëve në frytet e kursimeve të tyre, FSAP-i vëren së pari se shumë fusha të sistemit financiar janë ende në fazën e tyre të hershme të formimit dhe kështu që ka ende shumë për të bërë.

Si në shumë vende në zhvillim të Europës Lindore, sektori bankar në Shqipëri është në rrugë të mbarë për të qenë në bazë solide për zhvillimin e sektorit financiar. Por për familjet dhe bizneset e vogla që jetojnë larg qyteteve të mëdha dhe në zonat rurale, rritja e Shoqatave të Kursim-Kreditit do të jetë gjithashtu e rëndësishme. FSAP-i rekomandon që këto institucione të përpiqen të unifikojnë disa nga veprimtaritë e tyre për të ulur kostot dhe për të tërhequr shuma më të mëdha parash nga donatorët dhe depozituesit. Kjo do t'i mundësojë ato që të japin kredi më të mëdha dhe të sigurojnë shërbime më të ngjashme me bankat, duke vazhduar në të njëjtën kohë të ruajnë vendim-marrjen në nivel lokal. Për t'i bërë depozituesit më të sigurtë që t'i mbajnë kursimet e tyre në këto institucione, FSAP-i rekomandon që të ngrihet një skemë sigurimi depozitash për shoqatat e kursim-kreditit, e ngjashme me atë që ekziston për bankat.

Një tjetër fushë që ka nevojë për vëmendje në të ardhmen e afërt është sektori i sigurimeve. Këtu FSAP-i vuri re se numri i kompanive të sigurimit u dyfishua brenda 2004. Më se shumti, kompanitë shqiptare ofrojnë sigurime për makinat, por kur produktet e sigurimit të jetës të fillojnë të zgjerohen dhe qytetarët të ndihen më të sigurtë për investime afatgjata, do të jetë e rëndësishme që ky sektor të ketë një reputacion për integritet dhe për aftësi në menaxhimin e mirë të investimeve afatgjata. FSAP-i rekomandon një numër masash bazë për ta vendosur sektorin e sigurimeve në rrugën drejt këtij qëllimi si p.sh. praktika më të mira për kontabilitetin dhe informacionin e publikuar. Standartet e reja të kontabilitetit të 2006 janë një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Ekzistenca e një agjencie mbikqyrëse me reputacion, njohuri dhe pavarësi politike është gjithashtu shumë e rëndësishme. Është gjithashtu e rëndësishme që kompanitë e sigurimit dhe së fundmi edhe fondet private të pensionit të kenë vende të sigurta ku t'i investojnë paratë e tyre letrat me vlerë të qeverisë janë një fillim i mirë, por tani për tani maturimi është afatshkurtër. FSAP-i rekomandon që me kalimin e kohës, obligacione më afatgjata mund të emetohen nga qeveria për të siguruar një instrument më të mirë ku kompanitë e sigurimit dhe fondet e pensionit mund të investojnë. Në mënyrë më të përgjithshme Ministria e Financave duhet të përgatisë një strategji për të menaxhuar më mirë borxhin publik dhe për të zhvilluar instrumenta të reja për të kënaqur kërkesat e investitorëve të ndryshëm.


FSAP-i ka disa sygjerime se si në afat të gjatë, sektori financiar mund të bëhet një instrument më i mirë për ata që kursejnë dhe ata që investojnë. Është e rëndësishme që këto zhvillime të ndodhin në mënyrë të natyrshme, kur nevoja ekonomike për to të lindë. Për shembull nuk është e qartë se në këtë fazë zhvillimi Shqipërisë i duhet një bursë. Prandaj, FSAP-i rekomandon që bursa shqiptare me pronësi publike të ofrohet për shitje në sektorin privat dhe nëse nevojat për një bursë nuk janë të mjaftueshme për të ngjallur interesin e privatëve për zotërimin dhe menaxhimin e saj, ajo duhet të mbyllet deri në atë kohë kur të jetë ekonomikisht e justifikueshme. Duke qenë se 90% e ndërmarrjeve shqiptare janë të vogla me më pak se 5 punonjës ka pak nevojë që këto ndërmarrje të emetojnë aksione. Të paktat ndërmarrje të mëdha që ekzistojnë aktualisht janë më së shumti në pronësi të pak individëve ose të të huajve dhe ata mund të sigurojnë fonde për investime nga partnerët e tyre jashtë. Mungesa e një burse nuk duhet të shikohet si hap prapa por ri-orientim i ekspertizës së pakët financiare dhe burimeve në fusha ku ato mund të përdoren më mirë.

Për shkak të vetë natyrës së saj, bota financiare varet shumë nga besimi dhe marëdhëniet, prandaj është e rëndësishme që sektori financiar të zhvillohet në një mënyrë të tillë që të inkurajojë shkallën më të lartë të integritetit dhe të profesionalizmit. Në këtë aspekt, skuadra e FSAP-it mendon se në vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka bërë shumë për ta pozicionuar veten si një institucion i besueshëm dhe profesional. FSAP-i rekomandon disa ndryshime të vogla në mënyrë që të sigurohet që të mos ketë raste të konfliktit të interesit në menaxhim dhe që punonjësit e saj të jenë të mbrojtur ndaj padive nëse atyre do t'u duhet të marrin vendime të vështira. Konflikti i interesit mund të lindë në nivelet e larta të vendim-marrjes, p.sh. nëse një anëtar bordi zotëron aksione në një bankë mbi të cilën ushtron dhe aktivitet rregullues. Në fakt, janë ndërmarrë hapa për të siguruar që të mos ketë të tilla konflikte interesi dhe rekomandimi ynë është që të sigurohet baza ligjore për këtë. FMN-ja do të asistojë Bankën e Shqipërisë në zhvillimin dhe zbatimin e këtij kuadri ligjor. Këto ndryshime në praktikat e tyre të punës dhe ligjet duhet të bëhen transparente, po ashtu si edhe rregullat me të cilat Banka e Shqipërisë bën këmbime valutore me dilerat janë bërë publike në faqen e internetit. Një tjetër mënyrë për të vendosur profesionalizmin është të sigurohet që të gjitha agjencitë mbikqyrëse janë të drejtuara mirë dhe të gjitha konfliktet e interesit janë shmangur. Për këtë qëllim, FSAP-i rekomandon që agjencitë mbikqyrëse jo-bankare të bashkohen nën një çati, siç është shembulli i Sllovakisë, Çekisë dhe së fundmi dhe Kroacisë. Kjo gjithashtu do të kursejë burimet e pakta financiare.

Në ndërtimin e institucioneve që kanë integritet dhe profesionalizëm, do të duhet t'i kushtohet vëmendje asaj që mund të quhet infrastruktura e sistemit financiar atyre gjërave që nuk janë të dukshme në publik. Për shembull, standarte më të mira kontabiliteti, po gjithashtu përmirësime në sistemin gjyqësor për t'i bërë kontratat më të zbatueshme dhe procedurat ligjore më efiçente, përpjekje të mëtejshme për të parandaluar pastrimin e parave nga të gjitha fushat e ekonomisë dhe disa ndryshime të vogla në sistemin e pagesave të vogla, të cilat do të mundësojnë që pagesat të jenë më të lira dhe më efiçente. Sa më e fortë infrastruktura e sistemit financiar, aq më i shpejtë do të jetë progresi me qëllimin final për ta sjellë sistemin financiar shqiptar në standartet e Bashkimit Europian.


Laura Kodres Ann-Margret Westin Greta Minxhozi
Zv/shefe e misionit e FMN-së Përfaqësuese e Përhershme Përfaqësuese e Autorizuar
Skuadra e FSAP-it Misioni i FMN-së në Shqipëri Banka Botërore, Zyra Tiranë