BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi Programin e Vlerësimit të Sektorit Financiar të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore

Data e publikimit: 16.07.2013

 

Mbështetur në kërkesën e Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë të datës 26 shkurt 2013, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB) do të kryejnë përditësimin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP). Nëpërmjet vlerësimeve të FSAP-së, dy institucionet e rëndësishme ndërkombëtare ofrojnë një analizë të plotë mbi stabilitetin e sektorit financiar të një vendi dhe mbi nevojat që ai ka për t’u zhvilluar më tej. Vlerësimi i fundit i FSAP-së për Shqipërinë është kryer në vitin 2005, dhe ky ushtrim i planifikuar do të realizojë një përditësim të vlerësimit të mëparshëm. Një mision planifikues i FSAP-së do të vizitojë Tiranën në datat 17-19 korrik për të diskutuar me autoritetet mbi spektrin e shtrirjes dhe procesin. Puna kryesore për FSAP-në do të kryhet gjatë një misioni të mëvonshmëm, i planifikuar paraprakisht në periudhën tetor-nëntor 2013. Pas këtij misioni, stafi i FMN-së do të paraqesë pikëpamjet e tij të nxjerra nga kryerja e FSAP-së në një raport të quajtur Vlerësimi i Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSA).

Veçmas nga ky proces, një mision ekspertësh të FMN-së pritet të vizitojë Tiranën në fund të muajit shtator 2013. Qëllimi i vizitës do të jetë vlerësimi i zhvillimeve të fundit në ekonominë tonë si dhe diskutimi me qeverinë dhe bankën qendrore rreth politikave ekonomike dhe atyre financiare që do të ndiqen në të ardhmen. Kjo vizitë do të jetë pjesë e mbikëqyrjes ekonomike që kryen FMN-ja dhe do të pasohet nga një mision i Konsultimeve për Artikullin IV nga fundi i këtij viti. Zakonisht, gjetjet më të rëndësishme të Artikullit IV dhe FSAP-së përfshihen në raportin e stafit të FMN-së në përfundim të ciklit të konsultimeve. Raporti i ekspertëve të FMN-së sipas Artikullit IV të vitit 2012 gjendet në adresën e internetit: http://www.imf.org/external/pubs/ft/scr/2013/cr1307.pdf.