BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi Workshop-in XIII të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë

Data e publikimit: 05.12.2019

 

Në datat 5-6 dhjetor 2019, Banka e Shqipërisë organizoi Workshop-in XIII të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore. Prej trembëdhjetë vjetësh, ky aktivitet synon të ofrojë një forum për diskutimin e punëve kërkimore më të fundit mbi çështje ekonomike dhe financiare, të nxisë shkëmbimin e pikëpamjeve midis kërkuesve të Bankës së Shqipërisë, bankierëve qendrorë, komunitetit akademik, studiuesve dhe politikëbërësve në rajon dhe më gjerë.

DSC 833 498

Këtë vit, Workshop-i ka në fokus të veçantë zhvillimet e sektorit të jashtëm dhe ato të stabilitetit financiar, si dhe implikimet e tyre për bankat qendrore dhe ekonominë. Megjithatë, në përputhje me traditën e tij, në të do të prezantohen edhe hulumtime multidisiplinare dhe kontribute teorike e empirike mbi çështje të tjera të lidhura me bankingun qendror. Gjatë 2 ditëve të punimeve të Workshop-it do të prezantohen dhe diskutohen 26 materiale studimore, prej të cilave 8 materiale kanë për autorë punonjës të Bankës së Shqipërisë.

Hapja e punimeve u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, SH.T.Z Adrian Maître.

DSC 0828 498

Guvernatori Sejko u shpreh për të pranishmit se temat që do të diskutohen gjatë këtyre dy ditëve si politika monetare, stabiliteti financiar, si dhe metodologjitë e reja në këto fusha janë të gjitha mjaft të pranishme në veprimtarinë e përditshme të bankës qendrore, si dhe janë hartuar për t’i ardhur në ndihmë analizës, vendimmarrjes dhe zbatimit të politikës monetare dhe stabilitetit financiar.

Guvernatori theksoi se ky aktivitet është kthyer në një traditë të vyer për Bankën e Shqipërisë dhe bankat qendrore të rajonit të Evropës Juglindore, dhe vazhdon të ngjallë interes edhe përtej rajonit dhe komunitetit të bankave qendrore. Këtë vit, lista e pjesëmarrësve është zgjeruar duke përfshirë folës nga banka qendrore, institucione akademike apo financiare, kombëtare dhe ndërkombëtare nga BE, SHBA dhe nga Azia Juglindore.

Guvernatori shtoi se përveç temave tradicionale, këtë vit do të diskutohen edhe kërkime në fusha të reja dhe të rëndësishme, siç janë: digjitalizimi i shërbimeve financiare, reformat strukturore, ekonomiksi i shërbimit shëndetësor dhe ndikimet e tij për objektivat e bankës qendrore dhe mirëqenien kombëtare. Zhvillimet teknologjike si dhe ato demografike paraqesin disa nga sfidat më të rëndësishme për shoqëritë dhe institucionet tona. Prandaj, është e rëndësishme që këto dukuri të studiohen dhe të kuptohen saktë. Gjithashtu duke marrë shkas nga ndodhitë e fundit, Guvernatori nënvizoi se në të ardhmen, fusha kërkimore e Bankës së Shqipërisë do të thellohet me tej në studimin e impakteve të mundshme që mund të ketë në stabilitetin financiar, dhe ekonominë në përgjithësi, goditjet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Nga ana e tij, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, SH.T.Z Adrian Maître, vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë si dhe bashkëpunimin me Sekretariatin Zviceran të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Programin e Asistencës Dypalëshe për ngritjen e kapaciteteve të bankave qendrore (BCC) për mbështetjen e veprimtarisë kërkimore në Bankën e Shqipërisë.

DSC 0809 498

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori diskutoi mbi tiparet dalluese dhe  parimet bazë të mirëfunksionimit të një institucioni si: një mandat i qartë dhe pavarësi në  zbatimin e tij, profesionalizëm dhe lidership legjitim, menaxhim i bazuar në rezultate, integritet dhe llogaridhënie ndaj parlamentit dhe publikut,  bashkëpunim dhe zhvillim i kapaciteteve. Ai theksoi se është mjaft interesante të shkëmbehen idetë dhe eksperiencat në kontekstin rajonal në këtë drejtim.

DSC 0714 498

Në përfundim ai u shpreh se bashkëpunimi i deritanishëm me Bankën e Shqipërisë ka qenë mjaft frytdhënës dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të metodologjive dhe produkteve të kërkimit shkencor.

 

Guvernatori Sejko falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre duke u shprehur se ata ndihmojnë zgjerimin dhe pasurimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve, si dhe kontribuojnë për të përmirësuar punën dhe konkluzionet e kërkimit shkencor, duke i bërë ato më të vlefshme për institucionin tonë.