BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi Workshop-in XV të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë

Data e publikimit: 06.12.2021

 

Në datat 6-7 dhjetor 2021, Banka e Shqipërisë organizon Workshop-in XV të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore. Ky workshop i organizuar për të 15-in vit nga Banka e Shqipërisë, synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve dhe projekteve kërkimore të kryera nga banka gjatë vitit 2021, dhe punët e kolegëve dhe kërkuesve nga bankat qendrore dhe universitetet prestigjioze brenda dhe jashtë vendit.

 DSC2275

Edhe këtë vit, për shkak të kufizimeve që vazhdojnë të mbeten në fuqi si pasojë e pandemisë, punimet e workshopit mbahen online. Gjatë dy ditëve të punimeve të aktivitetit do të prezantohen dhe diskutohen 20 materiale studimore, prej të cilave 5 materiale kanë për autorë punonjës të Bankës së Shqipërisë.

Çelja e punimeve u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Në fjalën e tij, ai u shpreh se një vit më parë, diskutimet e workshopit fokusoheshin te politika monetare moderne, sipas të cilës bilanci i bankës qendrore mund dhe duhet të përdoret gjerësisht si një instrument i përhershëm i politikës monetare për të nxitur kërkesën agregate. Ndërkohë, tema që mbizotëron këtë vit diskutimin e politikës monetare është shqetësimi për inflacionin e vërejtur së fundmi dhe jetëgjatësinë e tij.

 DSC2353 copy

Zhvillimet e fundit inflacioniste i kanë ndarë akademikët dhe bankierët qendrorë në dy kampe me qëndrime diametralisht të kundërta. Në njërën anë janë ata që mendojnë se inflacioni aktual është një fenomen i rrezikshëm që mund të nxisë një situatë inflacioniste e rrjedhimisht, kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme për të zhbërë politikat e bilancit e rritjen e normave të interesit, ndërsa në kampin tjetër mbështesin idenë se zhvillimet aktuale të inflacionit janë fenomene të përkohshme, të nxitura nga problematikat e ofertës që reflektojnë efektet negative të pandemisë.

 DSC2532 foto grupi copy 498

Guvernatori shtoi se, duke marrë parasysh pikëpamjet e ndryshme ndërmjet ekonomistëve, puna kërkimore për përmirësimin e modeleve të inflacionit nuk duhet të ndalet, sidomos kur edhe pas gjithë këtyre viteve pune dhe kërkimi për njohjen e fenomenit të inflacionit, përsëri shfaqen dyshime dhe qëndrime të dyzuara.

Baner 15th South-Eastern European Economic Research Workshop of the Bank...

Më tej, Guvernatori theksoi se COVID-19 me problematikat dhe kufizimet e tij, vazhdon të mbetet një faktor dominant në jetën dhe aktivitetin tonë ekonomik e shoqëror, dhe natyrisht është pjesë e rëndësishme e analizës dhe kërkimit edhe për bankën qendrore.

Megjithatë, zhvillimet e vitit të fundit tregojnë se agjendat e kërkimit të bankave qendrore janë pasuruar me studimin e rreziqeve të tjera, si ato që lidhen me ndryshimin e klimës e mjedisit, rreziqet demografike, digjitalizimin dhe monedhat digjitale etj. Këto janë identifikuar si sfida të mëdha e afatgjata për ekonominë globale dhe autoritetet e çdo vendi, dhe natyrisht që edhe Banka e Shqipërisë ka filluar punën për krijimin e infrastrukturës për modelimin dhe analizën e këtyre fenomeneve.

Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, duke u shprehur se kontributi i tyre shërben për të përmirësuar punën dhe konkluzionet e kërkimit shkencor, duke i bërë ato më të vlefshme për institucionet tona, veçanërisht në një periudhë krejt të pazakontë si kjo që po kalojmë për shkak të pandemisë COVID-19.