BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP 
Mbi Workshop-in e 12-të të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë

Data e publikimit: 06.12.2018

 

Në datat 6-7 dhjetor 2018, Banka e Shqipërisë organizon workshop-in e 12-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore. Ky workshop synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve kërkimore inovative mbi çështje të lidhura me bankingun qendror dhe të nxisë shkëmbimin e pikëpamjeve midis kërkuesve të Bankës së Shqipërisë,  bankave qendrore simotra, akademisë dhe institucioneve të tjera kërkimore.

DSC 6645-2 - 498

Në këtë aktivitet marrin pjesë përfaqësues të bankave qendrore evropiane perëndimore, rajonit e më gjerë, akademikë nga universitete dhe kërkues nga institucione financiare vendase e të huaja, si dhe ekspertë të Bankës së Shqipërisë.

Gjatë punimeve dyditore, pjesëmarrësit do të prezantojnë dhe diskutojnë 35 punime kërkimore shkencore, nga të cilat 17 i përkasin punonjësve të Bankës së Shqipërisë.

600foto grupi, konf e 12kerkimet - 498

Workshop-i organizohet në sesione të veçanta, të ndara sipas temave kryesore duke mbuluar një gamë të gjerë çështjesh të dobishme, ndër të cilat dominojnë debatet ekonomiko-politike dhe akademike në fushën e ekonomisë, financës dhe bankingut qendror.

Materialet studimore të paraqitura në këtë workshop pasqyrojnë opinionet dhe diskutimet e kërkuesve, ekspertë për çështje thelbësore në bankat qendrore. Ato përfshijnë jo vetëm punën e Bankës së Shqipërisë, por dhe punën kërkimore të kryer në banka të tjera qendrore dhe nga bota akademike. Të pranishmit në këtë aktivitet të përvitshëm, nëpërmjet një debati energjik, shkëmbejnë mendimet e tyre në mënyrë që të ndihmojnë dhe kontribuojnë për të përmirësuar dhe forcuar punën e gjithsecilit nga një perspektivë e ndryshme.

Punimet e workshopit u përshëndetën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili theksoi se temat që do të diskutohen gjatë këtyre dy ditëve si politika monetare, stabiliteti financiar, si dhe metodologjitë e reja në këto fusha janë të gjitha mjaft të pranishme dhe të rëndësishme në veprimtarinë e përditshme të bankës qendrore.

Në vijim, Guvernatori Sejko theksoi se shumë herë, ngjarje të paparashikuara dhe ndonjëherë ngjarje të reja globale apo rajonale godasin ekonomitë e brendshme, dhe autoriteteve u duhet të marrin vendime mbi çështje të caktuara. Për rrjedhojë, ato duhet të përdorin të gjithë informacionin e nevojshëm dhe kërkimin mbi këto çështje, për ta bërë këtë informacion të dobishëm për politikëbërësit.

Gjithashtu, Guvernatori shtoi se disa nga tendencat që do të diskutohen në këtë workshop ndoshta ende nuk i kanë arritur ekonomitë tona, por pa dyshim do të kenë ndikim të konsiderueshëm në ekonominë dhe sistemin tonë financiar në të ardhmen.  Ai mori si shembull, metodologjitë e bankingut qendror dhe teknologjitë e reja të fushës financiare, të cilat i cilësoi si sfida kryesore për bankat qendrore.

Në këtë kuadër, tha ai, kërkimi shkencor brenda bankës qendrore, është një faktor, i cili luan një rol të qenësishëm si në procesin e analizimit të drejtë të të dhënave dhe impakteve, ashtu edhe në mirëpërgatitjen e reagimit institucional e vendimmarrjen përkatëse. Pikërisht për të gjitha këto arsye, theksoi ai, Banka e Shqipërisë i mbështet rregullisht dhe në mënyrë aktive vendimet e saj, në rezultatet e punës kërkimore. 

Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre duke i ftuar ta përdorin këtë aktivitetet si një platformë për të forcuar bashkëpunimin individual dhe institucional, si dhe për të diskutuar mbi çështje relevante për bankat qendrore.