BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi firmosjen nga Banka e Shqipërisë të Rezolutës për një Zhvillim Global të Qëndrueshëm

Data e publikimit: 20.07.2017

 

Në datat 13-14 korrik 2017 në qytetin Karlsruhe, Gjermani, u zhvillua Konferenca e 7-të për një zhvillimin të qëndrueshëm financiar në mbështetje të rezolutave të Kombeve të Bashkuara lidhur me "Objektivat e një zhvillimi të qëndrueshëm" dhe "Marrëveshjen e Parisit për Klimën", në të cilën u përfaqësua edhe Banka e Shqipërisë.

Në konferencë morën pjesë 200 delegatë nga 30 vende të ndryshme, përfshirë personalitete dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare si dhe të bankave, institucioneve të mikrofinancës, ndër to Drejtori Ekzekutiv i Organizatës Evropiane për një Zhvillim të Qëndrueshëm, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Zhvillimin e Institucioneve Financiare në Azi dhe Paqësor, Sekretari i Organizatës Afrikane të Zhvillimit të Institucioneve Financiare, si dhe përfaqësuesi i Ministrisë Federale për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik të Gjermanisë, Kryetari i Bashkisë së qytetit Karlsruhe, etj.

Delegatët e konferencës firmosën në një ceremoni zyrtare të organizuar në Bashkinë e Karlsruhes me 13 korrik 2017, një Rezolutë lidhur me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të quajtur "Rezoluta e Karlsruhes".

Rezoluta thekson rolin e rëndësishëm të industrisë së shërbimeve financiare për arritjen e aspiratave të Axhendës 2030 të tilla si, ndër të tjera, financimin dhe investimin e projekteve në kuadër të zbatimit të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, mbështetur nga Kombet e Bashkuara, dhe të Marrëveshjes së Parisit për Klimën (COP21); apeli për krijimin e kuadrit të politikave që nxisin investimet në inovacion, të cilat do të kontribuonin në krijimin e një ekonomie të gjelbër, përfshirëse dhe të qëndrueshme; dhe apeli për veprim të përbashkët në nivel global për të siguruar kushte të barabarta loje për të gjithë lojtarët në sektorin financiar.