BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi hapjen e Konferencës së 4-t të Bankës së Shqipërisë "Ekonomia shqiptare : arritjet dhe sfidat e politikës ekonomike"

Data e publikimit: 11.09.2003

 

Sot paradite në qytetin e Sarandës hapi punimet Konferenca e Katërt Ndërkombëtare e Bankës së Shqipërisë e organizuar në bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës dhe me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara nga institucionet vendase dhe të huaja.

Në fjalën e hapjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani u shpreh se "Shqipëria dhe shqiptarët, në këta 10 vjet, kanë ecur në rrugën e përparimit. Ekonomia shqiptare, përfundimisht është orientuar drejt zhvillimit, dhe ne të gjithë, si autorë dhe përjetues të kohës sonë, jemi të prirur drejt më të mirës dhe ajo që përpiqemi të bëjmë ka lidhje me të ardhmen".

Shoqëria, shteti dhe mendësia shqiptare, u shpreh Guvernatori, kanë evoluar, përgjithësisht, në mënyrë të njëkohshme. Kjo është ndoshta e lidhur me traditën tonë të hershme; ndoshta e imponuar nga vështirësia e mbijetesës sonë nëpër vite; ndoshta lidhet me dëshirën tonë të madhe për ta parë vendin dhe veten midis më të zhvilluarve.

Sipas z.Cani, një gjë është e sigurtë, që kjo ecje e përgjithshme përpara, mbështet dhe mbështetet në një ekonomi që zhvillohet. Se sa është rritur ekonomia shqiptare dhe në ç'mënyrë; në ç'drejtime ka lëvizur dhe sa herë ka ngecur; këto nuk janë objekt i kësaj fjale. Ajo që dua në këto momente të theksoj është që në fund të fundit ekonomia shqiptare ka shënuar rritje të dukshme dhe të prekshme nga të gjithë. Kjo rritje bëhet mbështetje e projekteve dhe e sfidave tona të ardhme. Kjo rritje ushqen besimin se të gjithë ne po përpiqemi për t'i dhënë vetes dhe vendit çka më të mirë zhvillimi i sotëm ofron dhe se ne realisht merritojmë më shumë.

Sipas Guvernatorit, tashmë i kemi hedhur themelet e një zhvillimi të përgjithshëm ekonomik. Që ky zhvillim do të jetë i shpejtë apo i ngadalshëm; i sigurtë apo i brishtë; i qetë apo i ngarkuar me të papritura është diçka tjetër. Rëndësi ka që ne i kemi projektuar ekonomisë tonë një të ardhëe ambicioze. Realizimi kërkon shumë përpjekje; kërkon mendim të qartë ekonomik; kërkon vendimmarrje të guximshme; kërkon vizion të gjerë në trajtimin e problemeve; mbi të gjitha kërkon dëshirë për mirëkuptim dhe për harmoni njerëzore.

Paneli i parë iu kushtua çështjes "Ekonomia e tregut, koha për të vendosur rregullat e lojës dhe konkurencës së ndershme" ku diskutimet u përqëndruan në zhvillimet e tregjeve në Shqipëri, zhvillimet dhe sfidat e tregut financiar, përmasat e tregut informal dhe mënyrat e përmirësimit të ambientit për biznes.

Z.Andrew Spindler, Drejtor Ekzekutiv i Korpusit të Vullnetarëve për Shërbimet Financiare (FSVC) diskutoi mbi temën "Zhvillimi institucional i ekonomisë së tregut në Shqipëri" ku u ndal gjerësisht në zhvillimet institucionale, liberalizimin e ekonomisë, nivelin e zhvillimit të infrastrukturës dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Sipas z.Spindler, biznesi vendas në procesin e hapjes së ekonomisë ndeshet me një konkurencë në rritje nga biznesi i huaj por ekonomia duhet të ndjekë trendin e integrimit evropian dhe global. Kjo do të kërkonte zhvillime në reformën institucionale, përmirësim të infrastrukturës, rritje të rolit të sistemit bankar dhe vendosja të rregullave dhe ligjeve në aktivitetet tregtare.

Më pas, Drejtori Ekzekutiv i Bankës Botërore edhe për Shqipërinë, Z.Franco Passacantando u fokusua në përmirësimin e klimës për aktivitetin privat në Shqipëri. Sipas tij biznesi dhe klima e investimeve janë çelësi për një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ulje të varfërisë. Sipas z.Passacantando për klimën për biznes janë të nevojshëm si stabiliteti makroekonomik ashtu edhe ai politik ndërsa duhen reduktuar burokracitë shtetërore që i shkaktojnë kosto aktivitetit privat dhe frenojnë investimet vendase dhe të huaja.

Në komentet e tij, Ministri i Financave, z. Kastriot Islami theksoi se qeveria i është përgjigjur shqetësimeve për klimën e biznesit përmes një plani veprimesh ku adresohen çështjet kryesore të stabilitetit makroekonomik, forcimit të sistemit financiar, zgjidhjes së problemit të pronësisë mbi tokën, forcimit të sistemit gjyqësor, përmirësimit të infrastrukturës, përmirësimit të qeverisjes në luftën kundër korrupsionit, thjeshtimit dhe lehtësimit të procedurave të licensimit etj. Sipas z.Islami thithja e investimeve të huaja ka qenë dhe do të mbetet prioritet i reformave ekonomike të qeverisë. Qeveria, sipas tij po punon për finalizimin e procesit të privatizimit të sektorëve strategjikë, përmirësimin e infrastrukturës së rrugëve, energjisë telekomunikacionit etj., rritjen e sigurisë publike, rritjen e burimeve të brendshme të financimit por edhe të granteve të huaja koncensionale e pothuaj koncensionale që do të vazhdojnë edhe për periudhën 2003-2005.

Përfaqësuesi i përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, z.Jan Peter Olters mbajti diskutimin "Shqipëria, treg informal" ku u shpreh se një strategji e suksesshme për të lehtësuar në fomalizimin e ekonomisë, sipas Olters, do të mbështetej në dy kolona: ofrimin e shërbimeve më të mira të shërbimeve publike, (qeverisjes, cilësisë së shërbimeve administratë publike-taksapagues, nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në) dhe së dyti, zhvillimin e një plani të besuëshëm kundër evazionit fiskal.

Në këtë panël diskutuan edhe Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, z.Klodion Shehu dhe znj.Aida Deliu, specialiste në këtë departament duke u fokusuar në zhvillimet e tregut financiar në Shqipëri, ku përfshihen bankat, kompanitë e sigurimitdhe tregun e kapitaleve. Sipas tyre ky treg ka nevojë për më shumë lehtësira në mënyrë që të zhvillohet konkurenca dhe për më shumë transparencë për burimet e mëdha financiare.

Z.Hossein Samiei, shef i Divizionit financiar në Departamentin e Parë për Evropën në FMN mbajti referatin "Rregullat e politikës monetare" duke arritur në analizën se politika e normave të interesit ka ndikuar sistematikisht në zhvillimin ekonomik. Sipas metodave statistikore rezulton se norma e interesit i "përgjigjet" normës së inflacionit por jo "gap" (diferencës) të prodhimit.

Konferenca zhvillon punimet dhe sesioni i dytë do t'i kushtohet temës "Kanalet potenciale të hyrjes së valutës në Shqipëri dhe orientimi i ekonomisë drejt eksportit".