BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi hedhjen në qarkullim të monedhës metalike të prerjes 50 lekë, emetim i vitit 2003, me kurs ligjor, me tematikë "Antikiteti Shqiptar"

Data e publikimit: 24.06.2004

 

Në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, me vendimin nr.30, datë 24.04.2002, miratoi shtypjen e monedhës përkujtimore për qëllime numizmatike, me kurs ligjor, me vlerë nominale 50 lekë, emetim i vitit 2003.

Kjo monedhë metalike është shtypur me tematikën "Antikiteti Shqiptar" dhe ka këtë konfigurim :

- Në pamjen kryesore, në qendër të monedhës, ka të shkruar vlerën nominale 50 lekë dhe në hark sipër shkruhet " ANTIKITETI SHQIPTAR ".
- Në pamjen e pasme, në qendër të monedhës, ka një helmetë ilire, në hark sipër, ka të shkruar "Republika e Shqipërisë 2003" dhe në hark posht "ANTIKITETI SHQIPTAR".

Kjo monedhë metalike, ka të njëjtat karakteristika të materialit, të peshës, të diametrit, të formës dhe të ngjyrës, si monedha metalike me vlerë nominale 50 lekë, që aktualisht është në qarkullim, me kurs ligjor.

Në zbatim të vendimit të mësipërm, njoftohet publiku shqiptar se Banka e Shqipërisë, në datën 1 gusht 2004, do të hedhë në qarkullim monedhën metalike të prerjes 50 lekë, emetim i vitit 2003, me kurs ligjor, me tematikë "Antikiteti Shqiptar", e cila do të pranohet për të gjitha pagesat e detyrimeve publike e private pa kufizim, me vlerën nominale.
Sqarojmë publikun se monedhat metalike me vlerë nominale 50 lekë, emetime të viteve 1996 dhe 2000, që aktualisht janë në qarkullim, do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor e do të pranohen për të gjitha pagesat e detyrimeve publike e private pa kufizim, me vlerën e tyre nominale.

Ndërkohë, informojmë publikun se monedha metalike, me vlerë nominale 50 lekë, me kurs ligjor, me tematikë "Antikiteti Shqiptar" është shtypur në kuadrin e monedhave përkujtimore për qëllime numizmatike, e për rrjedhojë, ajo është shtypur në një tirazh shumë të vogël prej 200.000 copë. Emetimi i kësaj monedhe krijon mundësinë që individët të kenë në dorë një monedhë të tillë, e cila i përkushtohet, historisë dhe kulturës shqiptare.

Informacione të mëtejshme, mund të merren nga publikimet e Bankës së Shqipërisë dhe në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë www.bankofalbania.org si dhe pranë çdo banke të nivelit të dytë e zyre të këmbimeve valutore.

Pranë Bankës së Shqipërisë mund të gjeni fletë prezantuese për monedhën metalike me vlerë nominale 50 lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2003, me tematikë "Antikiteti Shqiptar".