BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi kërkesën për ndryshimin e aksionerëve të Bankës Italo - Shqiptare

Data e publikimit: 12.04.2006

 

Në Bankën e Shqipërisë, në datën 11.04.2006 është paraqitur nga Banka Italo-Shqiptare, Tiranë kërkesa për miratimin e transferimit të një pjesëmarrjeje aksionere prej 80 për qind të kapitalit të kësaj banke në favor të SanPaolo IMI S.p.A., shoqëri italiane. Kërkesa është mbeshtetur në rregulloren "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë", miratuar me vendimin nr. 71, datë 11.09.2002 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës.

Sipas dokumentacionit të paraqitur, shoqëria SanPaolo IMI S.p.A. do të zotërojë 80 për qind të aksioneve të Bankës Italo - Shqiptare. Struktura e aksionerëve të Bankës Italo - Shqiptare, pas miratimit të këtij transferimi të pronësisë do të jetë si më poshtë:

  • SanPaolo IMI S.p.A. do të zotërojë 80 për qind të kapitalit aksioner të BISH;
  • BERZH do të zotërojë 20 për qind të kapitalit aksioner të BISH.

SanPaolo IMI S.p.A. është shoqëri e krijuar nga ligjet e Republikës Italiane me zyra qendrore në Piazza San Carlo, nr. 156, Torino, Itali, e regjistruar në regjistrin e kompanive të Torinos dhe në autoritetet fiskale, me NIPT dhe kodin përkatës fiskal. Shoqëria SanPaolo IMI S.p.A. ka për objekt të veprimtarisë së saj pranimin dhe grumbullimin e depozitave nga publiku dhe dhënien e kredisë në format e saj më të ndryshme, në Itali dhe jashtë saj.

Banka e Shqipërisë e bën këtë njoftim në zbatim të kërkesave të rregullores "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë".