BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi kërkesën për transferimin e zotërimit të tërthortë të aksioneve

Data e publikimit: 04.12.2007

 

Në Bankën e Shqipërisë është paraqitur nga Banka Raiffeisen kërkesa e bërë nga shoqëria "Cembra Beteilingungs GmbH" një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me seli ne AM Stadtpark 9, 1030, Vienë-Austri, për miratimin paraprak të ndryshimit të pjesëmarrjes influencuese në aksionet e Bankës Raiffeisen, Shqipëri. Kërkesa konsiston në miratimin e transferimit të pjesëmarrjes influencuese indirekte të pronësisë së 70 për qind të aksioneve në Raiffeisen International BANK-Holding AG, zotëruar nga Raiffeisen Zentral Bank tek shoqëria Cembra Beteilingungs GMBH. Aplikimi është mbështetur në ligjin nr. 9662, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe rregulloren "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë" miratuar me vendim nr.71, datë 11.09.2002 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës.

Raiffeisen International Bank-Holding AG, me seli ne AM Stadtpark 9, 1030, Vienë - Austri ("RI"), është aksioner i vetëm i Raiffeisen Bank sh.a. Shqipëri, ndërsa Raiffeisen Zentralbank Osterreich AG, me seli në AM Stadtpark 9, 1030, Vienë - Austri ("RZB"), është zotëruese e 70% të aksioneve të RI-së.

Bazuar në ligjin austriak, Këshilli Drejtues i Raiffeisen Zentralbank Osterreich Aktiengesellschaft (RZB) me seli në Vienë, Austri ka vendosur në datë 21 Maj 2007 transferimin e të gjitha aksioneve të zotëruara nga RZB në Raiffeisen International Bank Holding AG tek Cembra Beteilingungs GmbH. Ky vendim në po të njëjtën datë është miratuar edhe nga Këshillit Mbikëqyrës i RZB-së.

Në datë 25 shtator 2007 është nënshkruar edhe marrëveshja paraprake midis RZB-se dhe Cembras për transferim aksionesh. Marrëveshja parashikon transferimin nga RZB tek Cembra i 70 për qind të aksioneve që RZB zotëron tek RI. Transferimi i aksioneve të RI-së do të bëhet në formën e investimit, nga RZB-ja tek Cembra, pa u kryer asnjë lloj pagese nga Cembra dhe konsiderohet ristrukturim duke i shërbyer qëllimit të vetëm për të optimizuar administrimin e aksioneve të RI-së, në vështrim të legjislacionit tregtar dhe tatimor të Austrisë. Në këtë kuptim, ky transferim nuk do të ndryshojë kontrollin aktual, administrimin dhe pronësinë ekonomike të RZB-së në lidhje me aksionët e RI-së. RZB do të mbetet zotërues i aksioneve të RI-së, por në mënyrë indirekte.

Në rast të miratimit nga Banka e Shqipërisë të këtij transferimi, struktura e aksionerëve me zotërim të terthortë të të drejtës së pronësisë mbi aksionet e Raiffeisen Bank sh.a. Shqiperi, do të ndryshojë me transferimin e 70 % të aksioneve të RI-së, nga RZB-ja tek "Cembra Beteiligungs GmbH".

Banka e Shqipërisë është e interesuar të dijë opinionin dhe do të marrë në konsideratë çdo koment për këtë kërkesë. Komentet me shkrim mund të adresohen në:

Banka e Shqipërisë
Departamenti i Mbikëqyrjes
Sektori i Licencimit, Rregullimit dhe Standardeve

Sheshi "Skënderbej", Nr. 1, Tiranë

Banka e Shqipërisë e bën këtë njoftim në zbatim të kërkesave të rregullores "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë".