BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi kontributin e Bankës së Shqipërisë në procesin e integrimit evropian të vendit

Data e publikimit: 29.10.2013

 

Në datën 16 tetor 2013, Komisioni Evropian (KE) publikoi Progres Raportin 2013 për Shqipërinë. Në bazë të konkluzioneve të këtij raporti, të cilat mbështeten në një analizë të detajuar të zhvillimeve politike, ekonomike e legjislative, Komisioni rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian përfshin plotësimin e tre kritereve të Kopenhagenit- atij politik, ekonomik dhe përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së.

Në raport paraqiten zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, ku,ndër të tjera, evidentohet puna e bërë nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim. Banka e Shqipërisë është angazhuar dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në plotësimin e kriterit ekonomik, konkretisht në ruajtjen e stabilitetin makroekonomik të vendit. Në këtë kuadër, ruajtja e nivelit të inflacionit brenda intervalit të përcaktuar 2-4% është vlerësuar si një faktor kryesor.

Për sa i përket zhvillimeve në sektorin financiar, në raport theksohet se sistemi bankar shqiptar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, kjo falë masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë. Konkretisht, janë miratuar ndryshime në disa rregullore, të cilat synojnë përafrimin e pjesshëm me acquis. Këto ndryshime prekin  procedurat e ndërhyrjes në tregun valutor të brendshëm, administrimin e rrezikut të kredisë, mjaftueshmërinë  e kapitalit, administrimin e rrezikut të likuiditetit, si dhe krijimin, licencimin dhe funksionimin e bankës urë. Ndryshime të rëndësishme janë ndërmarrë dhe në kuadrin rregullator të mbikëqyrjes në përputhje me dispozitat e Bazel III, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis.

Krahas vlerësimeve të mësipërme në Progres Raport është kërkuar punë e mëtejshme në përafrimin e legjislacionit në fushën e sistemit të pagesave, si dhe në përafrimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë me acquis, në fushën e politikës monetare.

Progres Raportin 2013 për Shqipërinë e gjeni në adresën: http://ec.europa.eu/enlargement/countries/strategy-and-progress-report/index_en.htm