BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi leksionin e parë të serisë së leksioneve publike të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 23.03.2006

 

Sot, më datë 23 mars 2006, në hollin kryesor të Bankës së Shqipërisë u mbajt leksioni i parë i "Serisë së Leksioneve Publike" që Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Zyrën e GTZ-së (Shoqata Gjermane per Bashkëpunim Teknik) në Tiranë, do të organizojë gjatë këtij viti.

Leksioni i parë trajtoi çështje të lidhura me regjimin e këmbimeve valutore, ku lektor ishte Prof. Helge Berger nga Freie Universität në Berlin. Në leksion ishin të pranishëm edhe profesorë dhe studentë të fakulteteve ekonomike në vend, përfaqësues të sektorit bankar, të Ministrisë së Arsimit, të institucioneve financiare ndërkombëtare, anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës dhe ekspertë të Bankës së Shqipërisë etj.

Në fjalën e tij të hapjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, theksoi faktin që leksioni i parë i Serisë së Leksioneve Publike shërben për të sjellë në vëmendjen e publikut profilin e rëndësishëm kërkimor të Bankës së Shqipërisë, krahas profilit të saj operacional të lidhur me përmbushjen e detyrave ligjore që i janë ngarkuar asaj, si ruajtja e stabilitetit të çmimeve, mbikëqyrja e sistemit financiar, sigurimi i funksionimit të sistemeve të pagesave apo hartimi i një pjesë të rëndësishme të të dhënave statistikore në vend.

Në vazhdim z. Fullani komunikoi lançimin e projektit të "Çmimit të Guvernatorit - Governor's Award". Ky projekt konsiston në zhvillimin e një konkursi të hapur, ku të gjithë studentët e interesuar të fakulteteve ekonomike mund të konkurojnë me temat e tyre të diplomës që fokusohen në çështje të lidhura me fushën e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Temat më të mira të diplomës do të përzgjidhen nga një komision i posaçëm dhe për to do të ketë edhe shpërblime materiale.

Një tjetër çështje që u theksua në fjalën e Guvernatorit kishte të bënte me rëndësinë që Banka e Shqipërisë i kushton intensifikimit të bashkëpunimit me fakultetet ekonomike të universiteteve si dhe me qendrat e tjera të specializuara në kërkimet ekonomike në vendin tonë. Guvernatori shprehu bindjen e tij se ky bashkëpunim do të mundësojë thithjen e mendimit të specializuar akademik nëpërmjet pjesëmarrjes së stafit të universiteteve në projekte të ndryshme kërkimore, së bashku me stafin e Bankës së Shqipërisë.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori shprehu besimin se këto nisma të Bankës së Shqipërisë do të mirëpriten nga komuniteti akademik dhe ai studentor dhe së bashku me angazhimin serioz të stafit të Bankës së Shqipërisë, do të kontribuojnë në arritjen e objektivit madhor të përmirësimit të kërkimeve ekonomike në vendin tonë.