BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar

Data e publikimit: 29.12.2016

 

Në datën 28 dhjetor 2016, u zhvillua mbledhja e radhës e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje morën pjesë Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.

Sipas programit, në fillim të mbledhjes përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë paraqitën një vlerësim mbi ecurinë financiare dhe rreziqet për veprimtarinë e sektorit bankar mbështetur në të dhënat më të plota të tremujorit të tretë të këtij viti. Të pranishmit vlerësuan se veprimtaria e sektorit bankar po zhvillohet me ritme të qëndrueshme dhe rezulton me fitim. Kreditimi vijon të mbizotërohet nga kreditimi në lekë, ndërkohë që në rritjen e depozitave, kontributin kryesor e japin ato në valutë. Të pranishmit analizuan gjithashtu treguesit përkatës të rreziqeve për veprimtarinë bankare, duke vlerësuar që ato mbeten të kontrolluara. Nga analiza rezultoi që sektori bankar vijon të ketë nivele të mira të kapitalizimit dhe të likuiditetit, duke pasur kështu një mbrojtje të mjaftueshme ndaj rreziqeve të veprimtarisë.

Në vijim të diskutimeve në mbledhjen e mëparshme, lidhur me nevojën për të forcuar përdorimin e monedhës vendase në ekonominë shqiptare dhe në sistemin financiar, të pranishmit mbështetën hartimin e një kuadri të përgjithshëm bashkëpunimi, si edhe u njohën me disa propozime konkrete në këtë drejtim. Të pranishmit theksuan rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e efektivitetit të politikës monetare dhe uljen e rreziqeve për stabilitetin financiar. Njëherazi, të pranishmit evidentuan sfidat që përmban ky proces dhe nevojën për të vepruar në mënyrë graduale dhe të qëndrueshme.

Në kuadër të zhvillimeve ndërkombëtare dhe rajonale, të pranishmit diskutuan mbi ekspozimin dhe ndjeshmërinë e ekonomisë dhe të sektorit bankar shqiptar. Nga analiza dhe përvoja e viteve të fundit, GKSF vlerësoi që në marrëdhëniet tregtare dhe në ekspozimet e sistemit financiar, ekonomia shqiptare ka përmirësuar diversifikimin dhe përshtatshmërinë, duke kontrolluar në këtë mënyrë ndjeshmërinë ndaj zhvillimeve të pafavorshme. Megjithatë, GKSF theksoi se kjo është një çështje e cila duhet të mbetet në fokusin e monitorimit të autoriteteve respektive.

Në vazhdim të mbledhjes, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare informoi të pranishmit për zhvillimet në tregjet financiare, duke veçuar rritjen e interesit të pjesëmarrësve të tregut për përmirësimin e infrastrukturës së tij, veçanërisht atë që lidhet me tregtimin e titujve të borxhit dhe të kapitalit.

Si një çështje tjetër, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare solli në mbledhje edhe një informacion të fundit mbi ecurinë dhe monitorimin e portaleve të tregtimit online, një çështje e cila ishte diskutuar posaçërisht në mbledhjet e kaluara të GKSF-së, për ndërgjegjësimin e publikut lidhur me rreziqet që e shoqërojnë. Të pranishmit mbështetën përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të rregullt të tregut financiar, ku iniciativa e aktorëve të tregut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional i autoriteteve publike, duhet të mbështeten dhe të trajtohen sipas përcaktimeve që ofron kuadri përkatës ligjor.

Me mbylljen e diskutimeve në mbledhje sipas programit, drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse miratuan këtë njoftim për shtyp dhe autorizuan publikimin e tij.