BANKA E SHQIPËRISË

INFORMACION
Mbi miratimin e disa ndryshimeve dhe shtesave në rregulloret e transparencës së Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 08.04.2011

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi së fundi disa ndryshime dhe shtesa në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare” dhe në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare për individët”.

Këto ndryshime plotësojnë në vazhdimësi kuadrin rregullativ të Bankës së Shqipërisë mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare dhe financiare të ofruara nga sistemi bankar shqiptar. Ndryshimet synojnë mbrojtjen e përdoruesit/ve të këtyre produkteve dhe shërbimeve nëpërmjet rritjes së nivelit të transparencës së subjekteve që licencohen dhe mbikëqyrën nga autoriteti mbikëqyrës dhe janë në vazhdën e procesit të përafrimit të mëtejshëm të kuadrit rregullativ mbikëqyrës për transparencën me direktivat e Bashkimit Evropian.

Banka e Shqipërisë synon të forcojë nëpërmjet këtyre ndryshimeve kërkesat e saj për subjektet kryesisht lidhur me:

  • transparencën për komisionet dhe metodologjinë e llogaritjes së tyre;
  • raportimin periodik të normave të interesit për depozitat dhe kreditë si dhe komisionet për të gjitha produktet dhe shërbimet sipas një forme të standardizuar;
  • publikimin nga Banka e Shqipërisë të të dhënave të raportuara nga subjektet për interesat dhe komisionet mbi baza të përmbledhura dhe krahasimore, për të mundësuar përdorimin e tyre nga publiku;
  • përcaktimin e detyrimit për subjektet lidhur me ruajtjen e pandryshuar të metodologjisë së llogaritjes së interesave për gjithë kohëzgjatjen e kredisë/ve;
  • përfshirjen e disa kufijve maksimale lidhur me kompensimet në rastet e shlyerjeve të parakohshme të kredisë/ve duke konsideruar dispozitat e direktivës 2008/48/EC;
  • përcaktimin e normës fikse dhe të normës së ndryshueshme të interesit mbështetur në direktivën e sipërcituar, me qëllim saktësimin e elementëve përbërës të tyre duke synuar shmangien e praktikave të veçanta të disa bankave lidhur me përdorimin e normës së interesit për kreditë mbështetur në Normën Bazë të Kredidhënies ( Base Lending Rate).

Këto ndryshime dhe shtesa në rregulloret e sipërcituara, u miratuan me vendimet e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë respektivisht nr.13 dhe nr.14, të datës 09.03.2011 dhe janë botuar në fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë nr. 32, datë 04. 04.2011. Këto vendime hyjnë ne fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas botimit në këtë fletore.