BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike

Data e publikimit: 01.03.2019

 

Në datën 1 mars 2019, në ambientet e Bankës së Shqipërisë u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Bankës së Shqipërisë lidhur me zbatimin e fazës së dytë të programit të asistencës dypalëshe dhe zhvillimit të kapaciteteve për bankat qendrore për vitet 2018 – 2022.

 

DSC 2621 - Copy-2 498

Marrëveshja u nënshkrua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, SH.T.Z Adrian Maître.

DSC 2725 - Copy-2 498

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se kjo marrëveshje vjen pas mbylljes së një bashkëpunimi të suksesshëm në periudhën 2013-2018,  e cila solli dhe një përmirësim të dukshëm të punës analitike, kërkuese dhe teknike të Bankës së Shqipërisë. Në këtë kuadër, Guvernatori theksoi se rezultatet e këtij projekti bashkëpunimi kanë qenë frytdhënëse në fushën e zbatimit të politikës monetare, mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar dhe sistemit të pagesave. 

Duke falënderuar Qeverinë Zvicerane për këtë bashkëpunim, Guvernatori Sejko u shpreh se falë marrëveshjes së re, Banka e Shqipërisë do të jetë pjesë e programit të asistencës dypalëshe në fushën e bankingut qendror. “Pritshmëria jonë nga zbatimi i fazës së dytë është që vendimmarrja e politikës monetare të mbështetet nga kapacitete parashikuese të përmirësuara, që formulimi i politikës makroprudenciale të përdorë njohuri më të zgjeruara mbi rreziqe të ndryshme, që kërkimi të pasurohet më tej me metodologjitë dhe praktikat më të mira të kërkimit shkencor. Këto synime qëndrojnë edhe në thelb të strategjisë sonë afatmesme”, u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko.

DSC 2614 498

Nga ana e tij, Ambasadori i Zvicrës shprehu vlerësimet e tij për këtë bashkëpunim dhe theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së tij në të ardhmen. Në fjalën e tij Ambasadori Maître nënvizoi se:  “Shqipëria ka nevojë për institucione të efektshme në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet. Unë do ta konsideroja Bankën e Shqipërisë si një institucion të tillë. Mund t’ju siguroj se programi për dhënien e asistencës për Bankën e Shqipërisë në ndërtimin e kapaciteteve të saj ka qenë mjaft frytdhënës, falë edhe burimeve njerëzore tejet profesionale që ka ky institucion. Pa dyshim, Banka e Shqipërisë ka qenë një partner i shkëlqyer, aktiv dhe i përkushtuar në këtë bashkëpunim”.  Ambasadori shtoi se marrëveshja e re i hap rrugë shkëmbimit të ekspertizës dhe njohurive.

DSC 2703 - Copy-2 498

Programi i ri do të realizohet nëpërmjet misioneve të ekspertëve, kurseve online, workshopeve teknike dhe vizitave të punës.  Ai do të mbulojë fusha të tilla si menaxhimi i burimeve njerëzore, vijueshmëria e biznesit në kohë krize, komunikimi i kërkimit, etj..

DSC 2745 - Copy-2 498

Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike është qendra e ekspertizës së qeverisë federale të Zvicrës, e cila shqyrton të gjitha çështjet kryesore që lidhen me politikat ekonomike dhe ato të tregut të punës. Qëllimi i tij është mbështetja e rritjes së qëndrueshme ekonomike, rritjes së punësimit dhe kushteve të drejta të punës, përmes krijimit të kornizës së nevojshme rregullatore, ekonomike dhe të politikës së jashtme. Që prej vitit 1992, SECO, bazuar në kërkesat në rritje për asistencë teknike në fushën e bankingut qendror, ka mbështetur bankat qendrore të vendeve partnere, nëpërmjet një bashkëpunimi strategjik me Institutin e Studimeve për Zhvillime Ndërkombëtare (Graduate Institute of International and Development Studies). Bashkëpunimi me disa banka qendrore konsiston, përgjithësisht, në shërbime të përgjithshme këshilluese dhe aktivitete specifike të përshtatura sipas vendit, në formën e Asistencës Teknike dhe të Programeve të Trajnimit (TATPs).

 

  Foto

 Video